Ditar, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit”, 1917, Boston Mass SHBA

Ditar, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit”, 1917, Boston Mass SHBA

 

Sotir Treska

 

Sotir Tereska, dyqanxhiu i fshatit Panarit, një ndër aktivistët e luftës për Pavarësi, mik i Themistokli Gërmenjit në ditarin e tij, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit”, 1917, përshkruan ngjarjet e asaj kohe.

 

Ndër të tjera në ditar ai përshkruan edhe një udhëtim të datës 20 janar 1914, ku bashkë me një grup prej 12 vetësh shkojnë nga Panariti në Çorovodë për të takuar Themistokli Gërmënjin, ndërkohë që në Panarit, Treskë e Trebickë kishin pllakosur andartët grekë.

 

Takimi me Themistoklinë do të bëhej për t’u organizuar dhe vepruar për t’i bërë ballë pushtimit grek.

 

Në ditarin e tij Sotir Treska, veçse tregon se ç’po ndodhte ato ditë në Panarit dhe disa fshatra të Skraparit, përshkruan edhe udhëtimin për në Çorovodë.

 

Në shënimet e tij ka edhe një përshkrim për  fshatin tim, Qafën.

 

Ja ç’thotë ai ndër të tjera:

 

“U nisëm për udhë, por me zemër të thyer dhe plot hidhërimë. Nata na zuri në Potom, po këtu nuk mundëm të gjenim jo vent për të fjetur po as bukë, se ishtej mbushur plot refugjatë. Muarëm udhë, dyke vendosur të harrijmë në fshatin Qafë.

 

Kur harrimë ne qaf’ të Potomit, nuk ishtej ngrysur mirë. Ndenjëm të çlodhemi pakë e të marrim frymë. Panorama përpara nesh ishtej e bukur, se vendi i lartë ku po rrijmë për të dëfryer shpirtin brengosur, na lintej të shikonim fshatra të bukura, vende të shtruar dhe të thyer.

 

Të veshur me dushk, male të unjët dhe të lartë, ku me pyll të dendur ku të rrallë; ku të lërur e mbjellë e ku të shkretë e pa zot. Kundreq nesh qëndronte mali i lartë i Tomorrit, me krye të bardhë përpjetë, me shtatin të drejtë e të lartë, i cili shikon në të gjithë anët e Shqipërisë dhe adhurohet prej popullit, si një sent i shenjtëruar.

 

Pëshpëllima e fletëve të dushkut, dyke u tundur prej erës qëruar të vendit, fylli i bariut, zilet, këmborët dhe blegërimat e bagëtive, ishin muzika më e bukur, që ngazëllonin shpirtin e brengosur dhe dëfrenin zemrën e hidhëruar.

 

Pas dy orë udhe nëpër errësirën natës, harrimë në fshatin Qafë ku hoqëm dreq për në shtëpinë e atdhetarit të flaktë z. Sulejman Qafa, ndonëse ishim 12 shpirt, po, u pritmë kaq mirë sa unë dhe shokët kemi nga një kujtim të pa harruar në zemrat dhe në mendjet tona.

 

Të nesërmen në mesin e ditës harrimë në Çorovodë.

 

(Marrë nga libri “Masakra e Panaritit”, Petrit Zeneli, faqe 117-118)