“Goditet rëndë” personaliteti i Dervish Iliazit, jo rastësisht, jo pa dashje, por me një qëllim të caktuar nga grupe hije të caktuara!…
Ka vite që nga “studiues”, njerëz kompetentë të institucioneve religjioze të bektashinjve, të medias, të artit, kryesisht të këngës popullore dhe deri te besimtarë të thjeshtë, spekulojnë me figurën e njohur, poliedrike të Dervish Iljazit, duke hedhur në dyshim prejardhjen e tij, duke spostuar gjeografinë e veprimtarisë së tij në ato vende që ai nuk ka qenë kurrë, duke injoruar dhe zbehur bëmat e tij filantropike në Tomorr dhe disa vende rreth Tomorrit.
Disa përpjekje të fundit, megjithëse rasti është denoncuar dhe është bërë publik disa herë nga studiuesi dhe njohësi në themel me tri monografi të shkruara për të, me një numër të madh dokumentesh dhe referencash arkivore të paraqitura në këto libra, media dhe rrjete sociale, Gjergji Qafoku, persëri ndodh e njëjta gjë, mjegullohet dhe hidhet hije dyshimi mbi veprën dhe jetën e Dervish Iljazit.
Më skandalozi, është shkrimi pa autor i portalit “Krahina e Ballollit, Dobronik, Zhitom, Terpan, Rehova, Plashanik, Teman, Malinat”, që në faqen 21, e nxjerrin Dervish Iliaz Qafokun nga Plashniku i Beratit, çuditërisht me të njëjtin vit lindje ashtu edhe gjeshtisje, por me një fotografi që nuk i përket atij(!).

Ja skandali i publikuar nga portali “Krahina e Ballollit….”

Ja dhe një koment që thellon skandalin, për të cilin Kryegjyshata nuk duhet të heshtë
Skandaloze tjetër e pak kohëve më parë, është kënga për Dervish Iljazin, kënduar dhe regjistruar, nga Ylli Baka dhe Behar Spahiu, ku vargjet e këngës janë deformuar djallëzisht keqas.
Nga vargjet origjinale: “Ike nga rehati, shkove në Kulmak”; këndohet prej tyre: “Ike nga Berati, shkove në Kulmak” (në këngën e Behar Spahiut ilustrohet edhe me pamje nga Berati(!!!!)…
…kur në Berat ai shkonte thjeshtë dhe rrallë si të gjithë skraparllinjtë e tjerë që shkonin në qendrën administrative më të lartë që përfshinte edhe Skraparin.
E vetmja herë që njihet zyrtarisht nga dokumentet arkivore që ai ka qenë në Berat, është ajo e vitit 1914, kur ka shërbyer si sekretar dhe përkthyes mes dërgatës së autoriteteve lokale të Skraparit me misionarin holandez kolonel Tomsoni.
Veprimet e mësipërme, fatkeqësisht, megjithëse të denoncuara vazhdimisht nga studiuesi i jetës dhe veprës së Dervish Iljazit, Gjergji Qafoku, janë të përsëritura.
Ndaj ai, i shqetësuar, iu bën një thirrje miqësore të gjitha mediave, rrjeteve sociale dhe gjithë dashamirësve që e kanë kënduar këtë këngë, ose ta këndojnë në tekstin origjinal ose hiç fare!
Pasi Dervish Iljazi është një autoritet i lartë, jo vetëm i Vërzhezhës, jo vetëm i Skraparit dhe Tomorricës, por është edhe NDERI I KOMBIT, që të “detyron” të lash gojën para se ta zësh atë në gojë dhe, të heqësh duart nga xhepat, kur ndesh emrin e tij.
Por jo vetëm kaq, ai detyron institucionin e lartë, prestigjoz të Bektashinjve, Kryegjyshatën Botërore në Tiranë, t’i dalë në mbrojtje, pasi është cënuar rëndë personaliteti i tij.
Gjergji Qafoku, duke menduar se, me këtë njoftim në “Orakujt e Tomorrit”, ka rehatuar dhe qetësuar shpirtin, uron nga Franca, gjithë bashkëpunëtorët, ndjekësit dhe lexuesit e “Orakujve të Tomorrit”:
“Gëzuar Vitin e Vitin e Ri 2026”!…
