Gëzim Voda: “Epopeja” e dollisë
Gëzim Voda
Gëzim Voda, një veprimtar i shquar dhe i njohur i krahinës së Dëshnicës së Përmetit. Ka qënë dhe është në vazhdimësi prezent në platformën mediatike “Orakujt e Tomorrit,” si një bashkëpunëtor i vjetër, professional dhe i rrallë i kësaj platforme.
Prej tij kemi botuar dhe do të botojmë në vazhdimësi materiale me shumë vlera. Sepse krahina e Dëshnicës me atë të Çepanit të Skraparit, kanë një lidhje të gjithanshme sociale, kulturore, etnografike, folkorike dhe shpirtërore.
Është botues i 20 librave me poezi, monografi dhe botime me karakter studimor e historik, kryesisht për krahinën e vet, që i kalojnë 5000 faqe.
I është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Këlcyrës.
“EPOPEJA” E DOLLISË
Të rrallat vlera shqiptare,
S’gjenden veç në këngë e valle.
Kemi dhe jo pak të tjera,
Që mbeten “stoli” përhera.
Ja të flasim për Dollinë,
Që ka për simbol rakinë.
Ngrihet në gosti e dasma,
Sa herë që ka miq tek vatra.
Bëhet si e do adeti,
Trokëllihet, bromp “shëndeti”.
Me raki, kadaja mbushur,
Pihet shtruar, e pa u ngutur.
Por, pa shkak dollia s’bëhet,
Kërkon “burra” tek kuvendet.
Kërkon burra tabieti,
Që dinë ç’është muhabeti.
S’ka dolli po s’pati “palë”,
Po nuk pate mik përballë.
Në vetmi, nuk shkon dollia,
Dhe përmbys të bjerë shtëpia.
Shkon mbarë me raki qilari,
Raki proto, ballë kazani.
Nxjerë nga pjergullat ndër lisa,
Në Skrapar dhe tek Dëshnica.
Nuk është raki shkuar radha,
Që del nga kumblla e thana.
Është raki rrushi pa hile,
Prodhuar pjergullat debine.
Raki-miku, shqeto rrushi,
Pjekur, korriku e gushti.
Pjekur dielli në shullë,
E pi dhe siklet s’të lë.
Stazhionuar në kàde druri,
Bërsitë “ndezin” aromë mushti.
Zjehet dhe mbushet tamzanja,
Nga kazani, nga llullaja.
“Lëngu artë”, i shkon “ziafetit”,
Shton më tej dozën e qejfit.
Nga rrushi që e do vendi,
Kush e piu dhe nuk e dëndi.
Çfarë thuhet, s’janë fjalë goje.
S’janë as lavde, dalë boje.
Janë thjesht, tradit’ e “Odës”,
Të hershme, sa mosh’ e Tokës.
Gjithkush lipset që ta dijë,
Dollia ka kusht rakinë.
Kush thotë: “shkon me birrë e verë…”
Gënjen veten, njëqind herë.
Kush nuk beson, le të pyesij,
Por druaj, se mbase e qeshin.
Fundja le të shkojë mik.
Në Skrapar a në Dëshnicë.
Dhe në vajt si kalimtar,
S’i shkon humbur, del “me qar”.
Dhe një “rob” të ketë shtëpia,
Ardhësit i bëhet dollia.
Dollia do ustallarë,
Skraparlij dhe dëshnicarë.
Prej andej merr famë rakia,
Aty ka rrënjët dollia.
Ja të pyesim pa zili:
Kush trevë çmohet për raki?
Edi dhe foshja tek djepi:
-Janë Skrapari dhe Përmeti!
Dhe kur flitet për Përmetin,
Nuk është fjala për qytetin.
Krahinat që bëjnë rakinë,
Dëshnica me Dangëllinë.
Lipset ta them dhe një herë,
Është raki nga rrush në pemë.
Ndër lisa edhe hereke,
Pihet për shtatë palë qejfe.
Çfarë të duan le të thonë,
Të mburren, a të mallkojnë.
Ku nuk ka traditë rakia,
Them se s’njihet as dollia.
Raki bëjnë dhe plot krahina,
Gjer nga hurma dhe shalqina.
Bëjnë me lloj-lloj marifete,
Por nuk vlejnë për muhabete.
Kjo që them, nuk është trillë,
Është fakt, të gjithë e dinë.
E di e gjithë Shqipëria,
Burra sufre dhe graria.
Dollia nuk do “memecë”
Nuk është as për pijanecë.
Është “melhem” për muhabetin,
Bën mik fukaranë me mbretin.
Në dolli nuk ka “martirë”,
“Kamikazë”, dehur pa pirë.
Ka ashikë, që pinë me masë,
Zullumi tek ta nuk qas.
Ka në thelb veç miqësinë,
Pa interes e pa cmirë.
Korrektesën ka të parë,
Pa dalldi e pa të sharë.
Ka gjithnjë fisnikëri,
Njerzillëk, pa ligësi.
Pinë raki, “thumba” pa hedhur,
S’synojnë dikë për ta dehur.
Kush dehjen e ka në mëndje,
Është “ofsajt” në kësi kuvende.
Sepse kush i gëzon qejfit,
S’pranon dot marrëzinë e tjetrit.
Prej dollisë, zgjat muhabeti,
Ndizet hareja, lezeti.
S’e harrojnë kurrë tabiatin:
-“Mirësinë”, për Dollibashin…!
Pas dollisë ka radhën kënga,
Me bejte, dhe fjalë të ëmbla.
E nis i zoti shtëpisë,
Për t’i lënë radhë miqësisë.
Kush e brodhi Shqipërinë,
T’më thotë një këngë për rakinë?
Këngë që nuk sjellin zarar,
Si në Dëshnicë e Skrapar:
-“Moj raki, moj shkumbi,
Vallë, nga ke dalë ti.
Nga llullaja, nga kazani…
Pije Bake, kapedani…
Dollia është bërë në breza,
Ndër traditat, është më e vjetra.
Sa “ngacmuese”, aq komode,
Nuk ka dalë kurrë jashtë mode.
Kush ia di vlerën rakisë,
I qëndron besnik dollisë.
Flas për dollinë e Skraparit,
Të Dëshnicës, e të Gramshit.
Sigurisht, të Dangëllisë,
Të Strënecit e Pagrisë.
Bëjnë dolli si ua do xhani,
Si fakiri, e kapedani.
Domosdo, ka edhe gjetkë,
Qejfi kërkujt mos t’i mbesë.
Por në s’njihni teraqinjtë,
Gjenden veç tek bektashinjtë.
Ata ja dinë bilahinë,
E pinë pa zarar rakinë,
Merren vesh me zakon fshatshe,
Dhe bëjnë dolli Zabërzançe.
Thonë, se Perënditë u mblodhën,
Dhe për pijet një ditë folën:
-Verë e birrë, për priftërinjtë,
Rakia për bektashinjtë…!
Veç ata ja dinë kimetin,
Dinë ta “përzjejnë” muhabetin.
Në sufër, dashi i pjekur,
U thotë: -“Kujdes, jo përpjekur”.
Muhabeti, shtruar e mbarë,
Nuk nxitet nga lakmiqarë.
Pinë raki bukur e mirë,
Gjer me qepë, e pakës gjizë.
Kjo që them nuk është dasi,
As mburrje për “madhështi”.
Është “peshqesh” nga shekujt prurë,
Kultivuar, dhe s’soset kurrë.
Dollia ka “Kod” më vete,
S’pihet pa ngritur “shëndete”.
S’pihet pa mik në qoshe,
Pa qënë këmbkryq në shilte.
E ngrenë dhe me shtatë dollinë,
Veçse kurrë s’e dehin miknë.
Veç aty “Kodi” nuk shkelet,
Kush e shkel turpi i ngelet.
“Kodin” që ka një dolli,
Shtete mund ta kenë zili.
Vihet rregull, ndiqet radhë,
Nuk del dot gjithkush “i Parë”.
“Kod” që mban mirë terezinë,
S’lejon kërkënd të peptijë.
Miku është “kurorë” respekti,
Për të bëhet muhabeti.
Kur i vjen koha dollisë,
Është kulmi i qetësisë.
Asnjë fjalë nuk këmbehet,
Aq sa dhe miza nuk ndjehet.
Atë çast, ka zot “katundi”,
Flet i pari, dëgjon fundi.
S’vlejnë ofiqet;- ky dhe tjetri,
Vlerë ka miku, vlerë ka nderi.
I bëhet “hymni” rakisë,
I thurin lavde dollisë.
Me fjalë zemre, të ndjera,
Jo llafe, që i merr era.
Ka “Kod” edhe “Jerarki”
Pa radhë, nuk bën kush dolli.
Kur “komandë” bën dollibashi,
Merr vlerë tjetër edhe çasti.
S’pranohen llafet me ngutje,
Kërkush s’bën “devër” me huqe.
Përballë mikut matet fjala,
“S’prashit” dot, siç ndodh ndër ara.
Nderi i të zot shtëpisë,
Është t’i japë karar dollisë.
T’i thotë gjithkjut: “ti bëj tënden,
Ndero mikun, mos pi mëndjen…”
Paskej thënë dikur i pari,
Qejfi bëhet përsëgjalli.
Bëhet me mikun përballë,
Kur ëmbël, këmbehen fjalë.
I ka shkruar bukur të tëra,
Profesor Bundo*, nga Bënja.
Bënja e krahinës sonë,
E Dëshnicës, që është zonjë.
Ç’thashë më lart, a s’është kështu?
Apo them fjalë kuturu?
Më thoni po s’e kam mirë,
Se me fund ua pi dollinë.
