Mësuesi i Merituar që nuk e meriton harresën
Nga Besim Dervishi
Nahija e Tomorit, kjo trevë e lashtë e Shqipërisë, nuk ka të drejtë t’i mbajë në hije bijtë e vet.
Sepse historia nuk shkruhet vetëm me beteja, pushkë dhe kryengritje, por edhe me ata që ndezin dritën aty ku sundon errësira e padijes. Janë pikërisht çështjet që duken “të vogla” ato që mbajnë mbi shpinë peshën më të rëndë të kombit.
Sot figura e mësuesit është zbehur, është shtyrë në periferi, është trajtuar si diçka e zakonshme. Dikur, ajo ishte shtylla morale e shoqërisë, autoriteti i padiskutueshëm që ushqente filizat e dijes prej nga do të ngrihej shteti dhe vetëdija kombëtare.
Tomori ka nxjerrë figura të mëdha të arsimit shqiptar: Jani Vruho, që hapi shkollën e parë në Nahije më 1881, dhe Spiro Papaj (19.12.1897), mësuesi që në vitin 1917 hapi shkollën e parë shqipe në Malësinë e Tomorit, duke ndriçuar rrugën e dijes për Maleshovën, Peshtanin, Kapinovën, Lybeshen, Mbrakullën e shumë fshatra të tjera.
Nuredin Ali Allajbeu nga fshati Peshtan i cili ka qene mesues ne fshatrat Bargullas(mesuesi i pare i ketij fshati), Vezhezhe ku ka mesuar deri kryeministra te Shqiperise…
Në këtë vazhdimësi të shenjtë të arsimit shqip u formua edhe një figurë tjetër, që sot rrezikon të mbulohet nga pluhuri i harresës:

Bujari lindi më 9 shtator 1937 në Peshtan, një fshat nën hijen e Malit Tomor. Peshtani nuk është thjesht një emër në hartë.
Siç shkruan Eqerem bej Vlora në veprën e tij “Nga Berati në Tomor” (Sarajevë, 1906), duke u mbështetur në dëshmitë e patriotit Babë Dudë Karbunara, ky fshat ka nxjerrë njerëz me peshë, burra prijës, karaktere që kanë lënë gjurmë. Në këtë truall u farkëtua edhe karakteri i Bujar Allajbeut.
Prindërit e tij ishin Aqif dhe Bejaze (Ismaili) Allajbeu. Ata linden pese femije njeri prej te cileve ishte Bujari. Humbja e hershme e babait ia la gjithë barrën e jetës nënës Bejazes, e njohur nga fshati si Nënë Bekja – një grua punëtore, e fortë, fisnike, me origjinë nga Trebla.
Ajo ishte motra e dy dëshmorëve të popullit, të rënë për çlirimin e atdheut. Nga ajo, Bujari trashëgoi ndershmërinë, qëndresën dhe bindjen se shërbimi ndaj të tjerëve është nder, jo barrë.
Arsimin e kreu në të gjitha ciklet deri në shkollën e lartë, në degën Kimi–Biologji.
Por për të, dija nuk ishte zbukurim personal. Ishte mjet shërbimi, ishte mision.
Punoi si mësues dhe drejtor shkolle në rrethin e Beratit, në Poliçan dhe në Skrapar. U dallua jo thjesht për korrektësi profesionale, por për pasionin e rrallë që e kthente mësimin në përjetim dhe shkollën në institucion me shpirt.
Në vitin 1967 u martua me Virgjiresha Skënder Salillarin, mësuese, me të cilën krijoi një familje të ndërtuar mbi vlerat e dijes dhe punës.
Dy fëmijët e tyre, Geroni dhe Entela, u arsimuan në degën e Inxhinierisë Mekanike dhe sot ushtrojnë profesionin e tyre – njëri në Kanada, tjetri në Shqipëri – si dëshmi e drejtpërdrejtë se arsimi i dhënë me përkushtim nuk humbet, por shumon vlera.
Gjatë veprimtarisë së tij, Bujar Allajbeu u vlerësua me tituj dhe medalje, deri te kulmi i nderimit:
“Mësues i Merituar”, titull i dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
Një titull që nuk iu dha për formalitet, por për vepër konkrete dhe përkushtim të provuar.
Në shkollën 8-vjeçare “Refat Keli” në Poliçan, në Bargullas dhe në shkolla të tjera ku shërbeu, ai ngriti me duart e veta kabinete Biologjie dhe laboratorë Kimie që u kthyen në model për gjithë rrethin dhe më gjerë. Aty mësimi pushoi së qeni abstrakt dhe u bë i gjallë, i prekshëm, i kuptueshëm.
Për ne nxënësit e viteve 1986–1990, hyrja në kabinetin e Biologjisë ishte si hyrje në një univers tjetër: kafshë të balsamosura, bimë e lule të kultivuara me përkujdesje, një botë natyrore që të bënte të ndiheshe pjesë e saj. Profesori ynë, i përkulur mbi eksperimentet, na dukej si një Darvin i kohës moderne.

Në fund të korridorit ndodhej laboratori i Kimisë: lavamanë, epruveta në çdo bankë, reaksione që merrnin jetë përpara syve tanë. Aty, Bujar Allajbeu ishte një Mendelejev shqiptar, i palodhur në shpjegim, i saktë, i pasionuar, i përkushtuar deri në detaj.
Ai ngriti edhe një kopsht botanik në Kullusëm, ku bashkë me nxënësit punonte tokën në mënyrë shkencore, duke mësuar jo vetëm biologji, por respekt për natyrën, për punën dhe për jetën.
Metoda e tij ishte e gjallë dhe kërkuese: pasi e shpjegonte lëndën dhe e konkretizonte në laborator, nxënësit duhej ta shpjegonin menjëherë, pa libër. Dija duhej të kuptohej, jo të memorizohej.
I holle, shtatlartë, me ecje të drejtë, i rreptë kur duhej dhe i dashur kur ishte e nevojshme, ai i konsideronte nxënësit shokë rruge në dijen. Ndërtoi marrëdhënie shembullore me nxënësit dhe prindërit, duke krijuar një komunitet arsimor të vërtetë.
Në fillim të viteve ’90 doli në pension. Anarkia shoqërore shkatërroi shumë nga ajo që ai kishte ndërtuar me dekada. Kabinetet nuk u mirëmbajtën, sot nuk ekzistojnë më. Edhe shkolla rrezikon mbylljen.
Por ajo që nuk u shkatërrua është vepra e tij: nxënësit që u bënë mësues, mjekë, biologë, kimistë, inxhinierë.
Në dhjetor 2014, Bujar Allajbeu ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.
Por mësuesit e vërtetë nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë në mendjen, karakterin dhe ndërgjegjen e atyre që formuan.
Bujar Allajbeu ishte një Mësues i Merituar. Dhe një mësues i tillë nuk e meriton harresën.
Michigan – USA, 10 janar 2026
