Edison Ypi: Vendi im

Edison Ypi: Vendi im

 

Edison Ypi

 

 

Vendi im është i tëri një ankth tronditës, pafundsisht i bukur.

 

 

Është e mërkurë, të duket e premte. Pas së enjtes vjen e diela. E hëna zgjat tre javë. E shtuna dhe e marta mungojnë, ose vinë kur u teket.

 

Kodrat i bien flautit. Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti nuk është shpikur. Selfie nuk bëhen. Televizor nuk ka. Qielli preket me dorë. Nositat e liqereve kullosin nëpër korije.

 

Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një muzg me dy hëna, njëra mbi Tomorr tjetra mbi Peqin.

 

Skrapari po puth me afsh Korçën.

 

Librazhdi me Pukën seç po bëjnë pas një gardhi.

 

Italia prapa derës. Gjermania matanë kodrës.

 

Anglia muhabet në kafene me ca lumjanë nga Kalaja e Dodës.

 

Berati dhe Divjaka po hanë Pasul me mish në tavë balte.

 

Leskoviku po ja lyp Kolonjës.

 

Përmeti po bën qef me Tepelenën.

 

Shkodra me pantallona të shkurtra dhe gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Rinas.

 

Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi.

 

Mallakastra me flokët e zeza që ja merr era ka ndalur anës rrugës në Ballsh se i është çpuar goma dhe po i lutet një gomisti nga Roskoveci t’ja ngjisi.

 

 

Në qiell kullosin re si dele të bardha. Kopenë e deleve qiellore e ruan një bari sa Shpiragu me kërrabë sa Tomorri dhe gunë sa Myzeqeja duke lojtur në fyell një avaz lotndjellës.