Ditarë drite në 40 vite: Me veteranin e mësuesisë së Skraparit, Çelik Nako

Ditarë drite në 40 vite: Me veteranin e mësuesisë së Skraparit, Çelik Nako

 

 

Hajri Nuhu

 

 

Vështirë t’i bësh një portret këtij personazhi. Edhe kur i thuaj se do të shkruaj diçka, ai burrë e ka përgjigjen gati “Unë, si gjithë shokët, asgjë më shumë”.

Ishte brezi i idealistëve të një kohë tjetër…

 

Dhe ai kursehet në fjalë për veten, për të tjerët, jo.

 

Eshtë fjala për një mësues ikonë në Skrapar. Më saktë për një çift mësuesish e bashkëshortësh, për Çelik e Skënderie Nakon.

 

 

 

Fillimet? Sakrifica…

 

Të parët, si ata. Sakrificë. Ai kujton prindërit arsimdashës dhe shkollën fillore.

 

Në fillim e nisa në Turbohovë, e përfundova në fshatin tim, Krushovë.

 

Ishte viti 1951. Banorët e atij fshati e ngritën vetë shkollën. Ishte vit zie. Mungonin shumë gjëra,edhe buka, por jo dashuria për dijen.

 

Disa djem dinin pak shkrim. Ajo që dinte të shkruante e të lexonte ishte çarçiko Hoxha. Ishte e para “mësuese”. Pastaj Ahmet Andoni nga Gjirokastra, mësuesi im.

 

Shkollën 7-vjeçare, në Backë, më pas në Çorovodë. Në fillim tek halla Nuriane dhe pastaj në konvikt.

 

Shokët e mi Dilaver Mekollari, Ikmet e Faik Braho, Dilaver Xhakollari, Xhaferr Hoxha…

Më shumë se shokët mësuesit kanë mbetur në memorien time, Sotiraq Gjergo e Flamur Nallbani, Emir Qafa e Ylli Rruli…Shumë të tjerë. Në një raport prindëror me kujdestaret Milika e Parashqevi Salepi.

 

 

 

Në udhët e mësuesisë…

 

 

Kisha dëshirë të shkoja për ushatarak, por shefi e Arsimit Abdulla Badlonja më nisi në Pedagogjiken e Elbasanit. Ishim ndër të parët nga Skrapari. Me shokë si Abdulla Bregu, Idajet çela, Shaqir Hito etj.

 

Trupa mësimore e shkëlqyer për kohën. Ishte tradita. Në krye një drejtor si Vasil Kamani e mësues të rrallë që lanë gjurmë jo thjesht në formimin tonë shkencor e pedagogjik. Na edukuan, na formuan.

 

Pas shkolle, mësues në Backë. Një fshat me emër. Dhashë Matematikë. Kujtoj Neshat Hodobashin. Kishte mbaruar universitetin për Gjuhë-Letërsi. Njeri me kulturë. Ndikoi shumë që edhe unë të lexoja letërsi. Këtë bënte edhe Ilmi Carkanji e Zenel Feka.

 

Banorët na ndihmuan e mbështetën aq shumë. Njerëz bujarë. Ishim si “djemtë e shtëpisë” në shumë familje.

 

Pastaj në vitet 1964-1965 në Trebël. Dy vjet me drejtues Servet Carkanjin, me Njazi Zoton, Muhamet Kokoshin,Saimir Dilkon nga Korça, Idari Carkanjin Sa shumë miq bëra në Trebël!

 

Dhe në 1965, në 5 shtator në universitet. Nuk kisha bërë kërkesë. Më ndihmoi Engjëll Kolaneci e më pas Thanas Nika. Me tëparin isha takuar në Lirëz dhe i kisha shprehur dëshirën. Isha veprimtar me rininë dhe ata drejtues të saj në Tiranë.

 

Skrapari hezitonte. Nuk kishte mësues. Një muaj me vonesë nisa studimet për Bio-Kimi.

 

 

Dhe tashmë çeloja ishte ndër mësuesit e parë me universitet. Mbaroi me rezultate të larta. Një vlerësim si student ia bëri vetë dekani, prof. Kolë Popa.

 

Mund të qëndronte në Tiranë si etiolog, por rrethi kishte nevojë, por dhe dëshira për mësimdhënien e ktheu në vendlindje.

 

 

Me ish – kolegë e tij, të ndjerin Qani Zaimi dhe Hajri Kapllani

 

 

Drejtues e mësues me emër

 

Në fillim e emëruan drejtor të arsimit në zonën e Potomit. Me pas inspektor për dy vjet pranë seksionit të Arsimit. Njohu gjithë rrethin. Ndërtoi raporte pune e shoqërore me mësues në çdo skaj të tij.

 

“Kishte pasion,kishte mësues shumë të mirë. Veç të ardhurve nga rrethet e tjera, gëzohesha për djemtë e vajzat e rrethit që shkonin shkollave pedagogjike, në universitet e institute për mësuesi. Ky numur po rritej…

 

 

Në vitin 1972-1973 u emërova në gjimnazin “Ramiz Aranitasi”, drejtor. E vetmja shkollë e mesme, mësues të rrallë me përgatitje të lartë shkencore: Qani Zaimi, Gani Zyka, Asqeri Turhani, Urim Bujari, Shkelqim Gjegjani, Agim Hajro e më vonë Fiqiri Aliaj, Petrit Brokaj, Vali Hasko, Syti Hysko, Qemal Zaimi”.

 

Në vitet që pasuan tre vjet stazh. Një vit në Kalanjas dhe më vonë nëndrejtor në shkollën “Kahreman Ylli”. Shkolla me 3-4 paralele, me mësues shumë të përgatitur si, Franceskina Meta, Engjellushe Hysi, Vesel Veseli, Iljaz kapxhiu, Lejla Zaimi.

 

Më pas isha nëndrejtor gjimnazi për konviktin për 5 vjet.

 

 

Një konvikt, me emër. Numri arriti deri në 150 konviktorë. 20 nxënës ishin në ciklin e 8-vjeçares nga Melcka ,Lavdari e Faqekuqi. Një familje e madhe ku të gjithë shkonin mirë.

 

Armata e nxënësve që mbaruan me rezultate të larta shkollë të mesme është e madhe: Abaz Kryemadhi, Krenar Alushani, Artur Goduni. Janë shumë. Edhe në universitet këta e të tjerë shkëlqyen. Ministria e Arsimit kontrolloi dhe organizoi edhe një seminar kombëtar në këtë institucion model.

 

Vlerësime të kohës mori përsëri mësuesi. Medalje e urdhëra. Por vlerësimin më të madh ia bënë brezat e nxënësve, një qytet e mandej një rreth i tërë. Ai rrezatoi. Laboratorin e Kimisë e ngriti duke trokitur në UT, në uzinën e Ballshit, në PVC e Lushnjës. Edhe kur i “prishën shtëpinë” (konviktin në 1997) ai guxoi. Shkoi deri tek ministri i kohës, het’hem Ruka, kërkoi dhe e ringriti edhe me mbështetjen e kolegut të tij Asqeri Jaubelli.

 

 

Dhimbje lanë vitet e fundit. Në horizont, gjithnjë e më pak nxënës. Interesi për shkollën 0… Po pse?

 

 

Me bashkëshorten, Skënderien

 

Erdhi edhe pensioni. Por ai mbeti simbol i njeriut të ditur, simboli i një burri “babaxhan”, një njeri i thjeshtë e punëtor. Mbeti një mësues i madh. I tillë ishte se, veç të tjerave, kishte në krah kolege dhe shoqe jete Skënderien. Mësuesja që për 40-vjet shkëlqeu si mësimdhënëse në Gostënckë, Leshnje dhe për 36 vite në Çorovodë.

 

Edhe ajo model qytetarie, një mësuese me emër. Një familje e lidhur me arsimin, me shkencën.

 

 

Një shkencëtar në fushën Informatikës, i biri i tyre, Erjon Nako.

 

Mësuese e talentuar dhe drejtuese e një prej shkollave më të mira jopublike në Durrës, vajza e tyre, Enriketa. Fëmijë që kanë bërë krenarë këtë çift mësuesish.

 

Jo vetëm ata. Të tillë edhe ata që po rriten, nipërit e mbesa. Dhe ndihen të plotësuar. Jetojnë me dinjitet. Gëzojnë respekt. Kanë një emër. Kjo nuk është pak.