Gjin Marku, gjatë kohës që ka qenë në Berat dhe Skrapar, ka shpalosur një aftësi të jashtëzakonshme organizuese, frymzuese dhe propoganduese të luftës antifashiste si asnjë luftëtar tjetër, ndaj dhe gëzonte një respekt dhe simpati të veçantë në popullin e kësaj zone
Gjek Ndoji
Gjin Marku u lind më 2 qershor 1918, në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinën e Mirditës. Kur vdes i ati, Gjinin 9-vjeçar e dërgojnë në Tiranë, në “Strehën Vorfnore”.
Në vitin 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme Teknike “Harry Fultz”, po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë (vetëm dy muaj), dega Bujqësi. Pas mbarimit të shkollës, emërohet agronom në rrethin e Korçës.
Sapo emërohet në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë, dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Këtu njihet edhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës.
Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut, që në vitin 1941 e në vazhdim, ka qenë intensive dhe e shumanshme. Me 8 nëntor 1941, formohet Partia Komuniste Shqiptare, dhe Gjin Marku ka qenë një nga themeluesit kryesorë të saj.
Merr pjesë themelimin e Çetës së Pezës. Pastaj, në dhjetëor të vitit 1941, shfaqet në Berat.
Caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e atdheut në territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e, deri në Skrapar e më gjerë.
Kur erdhi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristo Isakun dhe me dy arsimtar nga Skrapari; Nuro Dobrusha dhe Tajar Grepcka. Takimi me ta ishte i rëndësishëm pasi nëpërmjet tyre, Gjin Marku u njoh me situatën dhe u orientua shumë shpejt në të.
Në këtë kohë ai bie në kontakt me Mestan Ujanikun, një komandant çete territoriale kaçakësh. Që në bisedën e parë të tyre ata u morën vesh dhe filluan një bashkëpunim të pandashëm.
Gjatë këtyre lëvizjeve me Mestanin, mënyra e komunikimit të tij, tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar, që nuk e ndau nga djemtë e tij biologjikë.
Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut, u shtri jo vetëm në Qarkun e Beratit (që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë- Fier-Mallakastër), por dhe jashtë tij si: në Vlorë, Tiranë, etj.
Pas çlirimit, Gjinit i dhanë disa dekorata e grada, por duke u trajtuar më pak se disa të tjerë, që për nga kontributi i tyre në Luftë, ishin shumë larg Gjin Markut. Kuvendi Popullor, në vitet e para të pas çlirimit, e pati dekoruar me Urdhrin “Medalja e Kujtimit”, me Urdhrin tjetër “Medalja e Çlirimit”, etj., por asnjëherë me medaljen “Hero i Popullit”, që e patën përfituar disa drejtues të Luftës Nacional Çlirimtare.
Deri në vitin 1948, Gjini kishte vazhduar Akademinë Superiore “Voroshollov” në Moskë dhe njëkohësisht ishte atasheu ushtarak, pranë Ambasadës tonë në Bashkimin Sovjetik. Me debatet që bëri Gjini në Kongresin Parë të PKSh-së, me Enverin, nuk u lejua të vazhdonte më në Moskë.
Në vitin 1949, kur u dhanë gradat, ku me gradën e gjeneralit, u graduan disa, ndër to dhe Gjini.
Pas Kongresit I-rë të PKSh-së (që në këtë Kongres mori emrin Partia e Punës e Shqipërisë, PPSH-ja), u dhanë postet kryesore të Pushtetit të Komunist. Caktimi i gjeneral Gjin Markut, në detyrën e Komandantit të Artilerisë, në vitin 1948 dhe në vitet 1951-1953, Komandant i Shkollës së Bashkuar, e shprehte qartë tendencën për ta spostuar gradualisht, ish-udhëheqësin dhe ish-komandantin e famshëm të Luftës.
Në vitin 1953-1955, Gjin Marku, emërohet Komandant Korpusit Ushtarak të Elbasanit. Në vitin 1955, kthehet nga Elbasani në Tiranë, për t’u emëruar në detyrën e Komandantit të Komandës Lokale Kundër- Ajrore, detyrë të cilën Gjini, e mban deri në vitin 1961.
Në korrik të vitit 1961, Gjin Marku, shkarkohet edhe nga kjo detyrë, për t’u emëruar drejtor i Fermës Llakatundit, në rrethin e Vlorës, ku punoi deri në prill të vitin 1963. Se përse, nuk dihet, por problemi më i madh që ka patur Enver Hoxha për Gjin Markun, ka qenë gjithmonë fakti, se ishte shumë e vështirë, të formulonte një akuzë për të.
Gjini ishte kaq i njohur si patriot dhe komunist njëkohësisht, çka përbënte një problem për ta dënuar atë.
Megjithatë u krijuan struktura nga ish-Sigurimi i Shtetit, jo vetëm për ta survejuar hap pas hapi atë, por dhe për ta denigruar, nëpërmjet shpifjeve, inskenimeve e kombinacioneve të pafundme, duke u futur deri në jetën e tij familjare. Dënimi i Gjinit, dukej se ishte detyrë që duhej kryer me çdo kusht dhe kështu ndodhi.
Në prill të vitit 1963, Gjin Markun e internojnë në Zvërnec të Vlorës, internim që zgjati deri në vitin 1967.
Në këtë kohë, bashkëshorten Natali Marku, bashkë me të katër fëmijët, e ndajnë nga Gjini, duke i internuar në Kënetën e Hoxharës, në Fier. Kështu internimi i Zvërnecit, nuk qe një internim, por një burg i vërtetë.
Këtu Gjini u takua ndër të tjerë dhe me disa shokë të Luftës, që vuanin dhe ata të njëjtën gjë, si: Kasem Trebeshinën, Pëllumb Dishnicën, (të cilin Gjini e pati vlerësuar qëndrimin e tij këtu si shumë dinjitoz), Maqo Çomon, Xhavit Qesjen, etj.
Vetëm pas 4 vjet përpjekje u arrit të ngrihej një akuzë absurd për Gjin Markun, ajo e “Agjitacion-Propagandës”, kundër Partisë e Pushtetit Popullor, duke e dënuar me 10 vjet burg.
Kështu Gjin Marku, u dënua për herë të tretë.
Në vitin 1986, Gjini vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Në 6 gjashtë gusht 1986 vdes, ndoshta ky qe i vetmi shpëtim, për Gjin Markun.
Gjin Marku krijoi një familje të mrekullueshme, por që gjithë jetën ngeli nj familje fatkeqe.
Në vitin 1947 martohet me rusen Natalia. Zoti i fali këtij çifti të mrekullueshëm katër fëmijë, dy vajza e dy djem, përkatësisht: Svetllanën (31 tetor 1948), Aleksandrin (më 1950), pastaj vjen Rita në 1952 dhe i fundit lindi Kastrioti, në vitin 1954.
Që në vitin 1963, kur Gjini internohet në Zvërnec, bashkëshortja Natali dhe të katër fëmijët internohen në Fier, në Hoxharë, duke i ndarë për së gjalli nga babai i tyre.
———–
Marrë me shkurtime nga libri me titull “Gjin Marku dhe Lufta”, i autorit Gjek Ndoji
