…për në atë kohë, e zakonshme; për sot, e pakonceptueshme…

 …për në atë kohë, e zakonshme; për sot, e pakonceptueshme…

 

Zylyftar Hoxha

 

Jam lumturuar, kur, në mes dëngjeve të arkivit tim të shkrimeve origjinale dhe të dokumenteve të ndryshme, kam gjetur një libërth të vogël, me titullin “T’u qëndroni si kala”, të botuar në vitin 1977 nga Muzeu Historik i Skraparit, për Brigadën e 7 – të Sulmuese Partizane.


Në këtë libërth, në tri faqe e gjysmë është një shkrim imi për dëshmorin Estref Mehmetasi nga Visocka e Skraparit, i cili është botuar gati 50 vjet më parë.

 

Po e paraqes më poshtë pa i hequr asnjë presje!

 

 

Te ky shkrim unë kam parë dhe kuptuar se kam ngelur ai që kam qenë: në ide, në mendime, në qëndrime dhe në veprime…

 

…veçse tashmë i zhvendosur në një kontekst tjetër kohor, i ngjitur të paktën edhe nja 2000 e ca metra mbi nivelin e detit, me një horizont më të gjerë shkencor, njerëzor, politik, ekonomik, social, pse dhe jo edhe gjeografik (banoj në Tiranë dhe kam vizituar 10 vende të botës), të cilat, bashkë me “abdeitimin” e përditshëm real dhe virtual, domosdo kanë ndikimet e veta.

 

 

 

Ka qenë një zakon i lashtë të ne: Në atë vend ku derdhej gaku i trimit, kalimtarët vendosnin nga një gur sa herë kalonin andej. Kohë mbas kohe atje bëhej një pirg i madh gurësh, shenjë ku ka rënë një trim.

 

 

Kështu kanë hedhur mirditorët në Gëzhiq të Mirditës, në vendin ku ra partizani i Brigadës së 7 –të Sulmuese, Estref Selfo Mehmetaj nga Visocka e Skraparit, megjithëse eshtrat e tij tashmë prehen në varrezat e Dëshmorëve të vendlindhjes së tij, në Skrapar, ku u suallën më vonë, pas çlirimit.

 

 

Në vjeshtën e vitit 1941, megjithëse me ”italianë nëpër këmbë”, u rihap shkolla fillore e Qafës. Rrugës nga Visocka vinin në shkollën e Qafës një grumbull i madh fëmijësh, por ndërmjet tyre kishte edhe disa më të rritur që frekuentonin këtë shkollë.

 

 

Një nga këta ishte Estref Mehmetasi, djali i madh i nënë Qamiles.

 

 

 

Ishte 16 vjeç. Ishte regjistruar i pari. Kishte frikë se nuk e regjistronin se ishte i madh. Por gëzimi nuk vazhdoi shumë. Vdekja e parakohëshme e babait ia këputi shpejt ëndrrën e shkollës dhe e hodhën djaloshin në dallgët e jetës. Punoi bari në Visockë dhe në Mollas te disa miqtë e tij.

 

 

Pas kësaj shkon në Backë te luftëtari i vjetër, Riza Kodheli. E kishin mik. Edhe aty punoi si yzmeqar, por, në darkë, ndryshe nga yzmeqarët e tjerë,  shtrohej në sofër me burrat e shtëpisë.

 

 

Aty mësoi shumë për Luftë, për bëmat e luftëtarëve si Lace Backa, Riza Cerova, Mustafa Kapinova etj.  Këto biseda e brumosën me ide të flakta patriotike.

 

 

Kur Riza Kodheli mori malin me batalionin e tij partizan, Estrefi iu lut ta merrte me vete.

 

 

“Po të kisha djalin tim, do të kisha marrë, – i tha, – nuk mund të hyj në gjynah, se nuk po shkojmë në dasmë”!…Dhe nuk e mori.

 

Nga Backa erdhi në Visockë, ndërsa lufta ishte ndezuar anë e kënd.E, tek merrej me punët e ditës, mendja nuk i hiqej nga ato që kishte dëgjuar në Backë nga Riza Kodheli.

 

 

Një mëngjes u ngrit më shpejt se ditët e tjera. Pasi u hodhi lopës dhe mushkës për të ngrënë, gërmoi thellë në hajat dhe nxori një pushkë të vjetër greke.

 

Në avlli u grind një copë herë me xhaxhanë e tij, Mustafa Mehmetasi, një burrë i njohur në të gjithë krahinën.

 

“Ti je tepër i ri dhe nuk ia di “zëtin” luftës, ku do të vesh”?!

 

 

Por Estrefi e kishte mbushur mendjen top. U përcuall. Nëna e përcolli më larg. Ajo i foli për atë, të fejuarën në Çemerricën e largët.

 

“Ndoshta nuk kthehem më, – i tha së ëmës, –  luftë është, ndoshta marr ndonjë “nuse” tjetër. Do t’i dërgosh këtë letër asaj. Dasmën e kemi kur të çlirohet Shqipëria, në dashtë të më pres”!

 

 

U bashkua me shokët në batalionin “Riza Cerova’, pastaj në Grupin e Tretë të Skraparit dhe më vonë në Brigadën e 7 –të Sulmuese.

 

 

Shokët tregojnë se “luftoi mirë” në të gjithë inkursionin e Brigadës së  7-të Sulmuese, në Qafë Shkozë, Berat, Shën Pal e Gëzhiq.

 

Por më 22 tetor 1944 në luftimet e Gëzhiqit të Mirditës, ra Dëshmor i Atdheut.

 

 

Në fshat nuk kishte ardhur akoma lajmi i vdekjes. Ishin ditët e fundit të Luftës. Liria ishte në prag të derës.

 

 

“Muço, shko në Korçë dhe bli rrobat e nuses, se nga Lufta po vijnë fjalë të mira, djali do të kthehet shpejt dhe do t’i bëjmë dasmën,  – i tha nënë Qamilja të kunatit të saj, Muços.

 

 

Muçua u nis për në Korçë. Kur u kthye me rrobat e dasmës, po atë natë, vjen lajmi i zi i vrasjes së Estrefit.

 

 

Shumë veta kishin ardhur atë natë për ngushëllim.

 

“Qënka “martuar”, – ma tha vetë, prandaj nuk dua asnjë kuje në shhtëpi, – u tha nënë Qmilja miqve të shtëpisë dhe bashkëfshatarëve.

 

Sot kam “dasmën e djalit” dhe u tregonte njerëzve pajën e nuses dhe të dhëndërrit.

 

Ajo i ruajti gjatë ato rroba në sepete, derisa një ditë i mori me vete në varr!