Masakrat e andartëve grekë në Shqipërinë e Jugut
Këto kohët e fundit kanë dalë disa të ashtuquajtur “historianë fejsbuqesh”, që shtrembërojnë faktet dhe dokumentet historike, duke folur kuturu, me rrëfime folklorike
Gaboheni të nderuar “historian”, lexojeni mirë historinë e çetës së Lace Backës, qëllimin, motivin dhe arritjet historike të saj dhe mos e shkëpusni atë nga konteksti historik, nga bashkëpunimi me çetat tjera, të Sali Butkës, Qamil dhe Xake Panaritit, Servet Zaloshnjes etj. Por edhe me çetat e Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit etj.
Besim Dervishi
Njëqind e trembëdhjet vjet më parë, më 25 korrik 1913, në Qafën e Martës, në fshatin Backë të Skraparit, u zhvillua një ndër betejat më legjendare të çetave të Skraparit, Kolonjës dhe Korçës ndaj hordhive andarte.
Skraparasit, kolonjarët dhe koçarët luftuan krah për krah si burrat ndaj kriminelëve andartë.
Po si rrodhën ngjarjet deri në këtë betejë të ashpër.
Historia e teorisë së “Megali Idea-s” ka shënuar një nga faqet e saj më të turpshme dhe të urryer, sidomos me masakrat, të cilat u bënë në jugun e Shqipërisë në vitin 191 3- 1914. Qeveria greke e asaj kohe nuk u mjaftua me marrjen e “Shqipërisë së Poshtme” (siç e quan Epirin e Jugut historiani John Foster Fraser në punimin e tij me të njëjtin emër, por dhe gjithë udhëtarët perëndimorë në vitet 1800), por pretendonte dhe mbi Kazatë e Gjirokastrës dhe Korçës (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant” të autorit Justin Godart, faqa 259).
Për këtë qëllim Qeveria e Venizellosit ideoi, por edhe zbatoi në terren një plan për shkatërrimin e fshatrave shqipëtare sidomos në këto dy kaza por edhe në kaza të tjera si ajo e Beratit dhe e Vlorës.
Po sipas autorit francez Justin Godart të gjitha fshatrat e kazas së Korçës dhe Gjirokastrës ishin shqipëtare përveç 18 fshatrave në Gjirokastër të përbëra nga 400 shtëpi. Por banorët e tyre ishin fermer të thjeshtë të cilët ishin të punësuar nga pronarët e tokave në këto zona (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant” të autorit Justin Godart, faqa 260).
Konferenca e Ambasadorëve në Londër e mbajtur në 1, 5, 8 dhe 11 Gusht, caktoj një Shqipëri të cunguar. Por përsëri qeveria e Athinës nuk ishte dakort. Kjo konferencë unanimishtë vendosi që të hetohej për përkatësin kombëtare në Kazanë e Korçës dhe Gjirokastrës nga KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) dhe të gjitha këto të dhëna dhe rezultate të hidheshin në Protokollin e Firences (17 Dhjetor 1913).
KNK rezultatin e të dhënave në terren ku caktoj vijën kufitare nga Shën Naumi – Konispol dhe vazhdon në kodrat Stilo deri në kuotën 254, e hodhi në Protokollin e Firences dhe në datën 13 Janar 1914 u njoftua qeveria greke në mënyrë kërcënuese që të largoj ushtrinë e saj nga këto toka.
Ndërkohë ministrat e Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë informuar Greqinë për vendimin e qeverive të tyre për të dorëzuar ishujt e Egjeut . Por ata i vunë kusht asaj që Protokolli i Firences do të ekzekutohet më parë. Pra Greqisë do t’i jepeshin ishujt e Egjeut kur trupat greke të ishin larguar nga Kazaja e Gjirokastrës, Korcës, Delvinës dhe Ishulli i Sazanit të cilat i mbanin të pushtuara. Evakuimi i trupave duhet të fillonte më 1 Mars 1914 dhe të përfundonte më 31 Mars 1914 (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant” të autorit Justin Godart, faqa 263 – 264 ).
Çfarë kishte ndodhur “de facto” në terren? 31 marsi 1914, ishte dita e fundit ku forcat e rregullta të ushtrisë greke duhet të largoheshin nga Shqipëria.Por qeveria greke njëkohësishtë duke larguar trupat e rregullta të ushtrisë së saj, futi grupe të përbërë nga “Kretian” (ish të burgosur të arratisur nga burgu i Kretës) si dhe ushtarët grekë (dezertorë).
Në planin politik Venizellosi nxiti dhe financoi një qeveri kukull, epirote me Kryeministër renegatin nga Shqipëria, Jorgji Zeografos, Ministër të Jashtëm Aleksandër Kostandin Karapano si dhe Ministër të Luftës Kolonelin Dhimitër Daulis.
Në këto operacione u përfshinë direkt peshkopët e Gjirokastrës dhe të Korçës.
Më 27 mars trupat e rregullta të Ushtrisë Greke u larguan nga Gjirokastra ndërkohë që menjëherë në terren ato u zëvëndësuan nga trupat të ashtëquajtura vorio- epirote. Turbullira dhe sulme u shënuan dhe në Korçë në 11 prill 1914.
Qeveria greke luajti një loj të fëlliqur në Korçë. Ndërsa qytetin j’a dorëzoj shqiptarëve në fund të marsit 1914. Ajo në mënyrë tinzare la një numër të lartë të personelit saj ushtarak në spitalin e këtij qyteti me preteksin se ishin të sëmurë (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 139).
Nga ana tjetër brënda qytetit ishte një bërtham e njohur filo greke dhe simpatizant të Greqisë për shkakë se në Korçë ishte dhe Gjimnazi grek. Ky fraksion filo grek udhëhiqej nga Kryepeshkopi grek i Korçës. Peshkopi grek ishte ideatori i komplotit për pushtimin e qytetit të Korçës si dhe ura lidhëse dhe koordinatori midis ushtarëve grekë që ishin në spitalin e qytetit me simpatizantëve filo greke (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 140).
Natën e 11 prillit ushtarët grek dhe bashkëpuntorët e tyre filluan komplotin. Nga pozicionet e marra ata sulmuan dhe në pak kohë morën ndërtesat kryesore të qytetit. Por shumë shpejt patriotët dhe populli i Korçës u bashkuan në luftë, dhe pas luftimesh të ashpra, i shpartalluan forcat andarte dhe filo greke.
Pas kësaj andartët u përpoqën për t’u hakmarrë për humbjen e tyre duke kryer shumë mizori ndaj popullsisë së pambrojtur. Më agresivi në këto masakra ishte grupi i të burgosurve nga Kreta- Kretianet (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 141).
Një rast të cilin na e tregon autori Chekrezi ishte ai i Manastirit të Kodrës. 218 persona, pleq, gra dhe fëmij ishin strehuar në Manastirin Ortodoksë të Kodrës. Andartët hoqën një pjesë të çatisë së Manastirit dhe nga andej filluan të qëllonin me armë zjarri refugjatët e pafat që ishin mbyllur në manastir. Pasi ju mbaruan fishekët andartët hynë në Manastir dhe i therën të mbijetuarit me thika dhe sopata.
Ky ishte një krim i tmerrshëm që vështirë se mund të imagjinohet në ditët tona. Por raportim zyrtar të masakrës, e shkroj gjenerali De Ëeer i Misionit Hollandez. Ai konfirmoj në këtë raport se kjo ishte masakra më revoltuese në historinë moderne.
Këto mizori barbare dyfishuan guximin e shqiptarëve të cilët e kuptuan tani se kjo ishte një luftë për jetë a vdekje. Bandat ishin fajtore për krimet më të rënda, ato shkatërruan, dogjën edhe plackitën vendin, masakruar popullsinë (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 142).
Gjatë kësaj kohe Gjenerali Papulias, i ushtrisë mbretërore greke, hodhi këmbësorinë e tij dhe artileri kundër shqipëtarëve duke i detyruar ata të ndalen. Megjithatë, Qeveria greke hodhi poshtë të gjitha përgjegjësitë rreth kësaj ngjarje.
Në këto momente Evropa mendonte se ishte e këshillueshme të ndërhyhej dhe u organizua Protokolli famëkeq i Korfuzit por edhe gjatë këtyre negociatave grekët dogjën Tepelenën dhe Leskovikun. Nën hundën e Komisionit të Kontrollit, rreth tre mijë ushtar u transportuan nga Korfuzi për në Shqipërin e Jugut (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 143).
Edhe gjatë periudhës maj – korrik 1914 u bënë shumë masakra të llahtarshme. Një nga autoret që i përshkruan me detaje këto masakra është Kosta Papa nga Përmeti në librin tij me titull “Barbarite Greke në Shqipëri”, botuar në USA 1917: Në këtë punim ai tregon me fakte se në operacione u përfshinë oficer të rregullt të ushtrisë mbretërore:
“…Andartët bënë përgatitje për ofensivën kundër Këlcyrës dhe Cepanit e cila nisi ditën e Hënë, 29 Maj, 1914. Plani i ofensives u bë kësisoj: Fjorgakaqi, Jorgollaqi, Qiro Vaso, në Miçan do t’i binin Backës. Kapedan Farmaqi në Malind do t’i binte Koprënckës. Sotir Bubuna në Sevran, do t’i binte Qafës së Rogut. Kapedan Niko Aristidhi dhe trupat e Kocifaqit ne Qarishte, do t’i binin Muzhakës. Në ofensiv do të merrnin pjesë dhe Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kapedan Zerva, Kapedan Kollovoj, trupat e Karaxhajt me gjithë topa. Ofensiva zuri në orën 2 në mëngjes në Qarishte (shih fq. 66).
Më tej autori tregon me detaje se topi nga Brezhdani po e bombardonte pa pushim Kelcyren, topi nga Miçani po bombardonte Backen (shih fq. 66). Në pyllin e Qarishtes u perleshen trup me trup andarte dhe shqiptarët, ku u vrane 4 andart dhe 4 u plagosën. Shqiptarët u terhoqën pas disa orë luftimesh të përgjakshme kjo fal epërsisë numerike të armikut dhe armëve të rënda të cilat zotronte ai.
Atëhere andartët hynë në Backë, Çorovodë, Sevran , Rog, Muzhakë, Çepan, Prishtë,Turbohovë, Vlushë, Gjerbës, Spatharë, Vëndreshë e të tjerë fshatra, ku dogjën dhe vranë fëmij, gra dhe pleq (shih fq.67). 300 barrë me kuajë dhe karroca i dërguan në Janinë. Me mijëra krerë gje të gjallë shkuan në Greqi.
Ne Backë u therën 30 gra dhe foshnje, të cilat nuk harritën të shkonin në Zhepov. 15 gra me djep në krahë i zunë dhe i therën me gjithë foshnjet që kishin. Shqiptarët u demoralizuan se nga një anë kishin andartët kurse nga ana tjetër bandat esadiste të cilat zunë Beratin.
Shumë banorë të zonës së Skraparit shkuan “muhaxhirë” në Berat dhe rrethinat e tij, por dhe atje mundoheshin nga bandat esadiste, shumë nga këta persona vdiqën nga mosushqyerja dhe kushtet e këqija, por ata që mbijetuan vendosën që të ktheheshin. Mbi 400 femijë u kthyen ne Skraparë, të cilët ranë në pabesin e andartëve (shih fq.67-68).
Bandat andarte në shenjë hakmarrje shkuan deri ne Ujin e Zi dhe dogjën të gjithë fshatrat qa qena rreth e rrotull. 180 femij therën andartët në Lumin e Skraparit (shih fq. 71). Makabritete e gjaksorëve nuk kishin kufij.
Këta kriminela pasi u thyen në Vëndreshë nga çeta e Sulejman Spatharës u nisën në drejtim të fshatit Spatharë dhe dogjen lagjen Odobash, Kushovalli dhe gati komplet fshatin. Banorët ishin larguar më parë në drejtim të Beratit. Të vetmin njeri që gjetën në fshat ishte një grua plak e sëmurë, të cilët andartët e shkuan në hell dhe e poqën për së gjalli. Këto masakra i përmënd dhe deputeti britanik i asaj kohe, Aubrey Herbert, dhe njëkohësishtë njëri nga miqtë më të mëdhenj të kombit shqipëtar (Aubrey Herbert, gazetar dhe deputet britanik. Njihet si një nga propoganduesit më të fuqishëm të cështjes shqipëtare. Propozohet për mbret të Shqipërisë para Princ Vidit. Nuk dihen rrethanat e mos pranimit të këtij posti nga ana e tij).
Ja si thotë ai midis të tjerave:
“Banorët e fshatrave në jugun e Shqipërisë janë boshatisur dhe shkatërruar nga bandat andarte të udhëhequara nga ish të burgosur ordiner të arratisur nga burgu i Kretës. 60, 000 deri 100, 000 refugjat nga zona e Korcës, Beratit dhe Skraparit kanë shkuar në Vlorë. Unë kamë marr një letër nga një britanik që ka qënë në Vlorë. Ai thotë se: Nuk mund ta besoj këtë që po shohë këtu. Nuk kam fjalë të përshkruaj mizorit e tmerrshme që kanë bërë bandat greke në jugun e Shqipërisë. 100, 000 refugjat janë në Vlorë.
Gjithë vëndi është shkatërruar. Gratë dhe fëmijët shqipëtarë të cilët kishin rënë në duart e grekëve ishin vrarë të gjithë. Gjithashtu është e pamundur të besoshë, por rrugët e Vlorës janë mbushur me trupat e grave lakuriq me shenja të dhunës në trup si shenja mbytjeje në qaf dhe fëmij të vegjël me shenja nëpër trup si të prera me thika (shih librin “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania”, autori Aubrey Herbert , faqa 186).
Po sipas deputetit britanik Aubrey Herbert andartët vranë në fshatin Kodër 250 civila të pambrojtur, 90 trupa i dogjën. Në fshatin Hormovë të Tepelenës ata vranë 159 fëmij dhe 151 gra. Në Gjirokastër 8 000 banorë refuzuan të largohen. Në 1 maj 1914 andartët dogjën 55 shtëpi në fshatin Qinam të Kolonjës. Në Starie 120 shtëpi. Në Leskovik 2, 200 shtëpi, në Frashër 150 shtëpi (shih librin “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania”, autori Aubrey Herbert , faqa 182).
Interesante është letra e dërguar nga Vlora e Edith Durham dhe e botuar në gazetën prestigjoze “The Times” ditën e mërkurë, 15 korrik 1914. Në këtë letër përshkruhet masakra mbi banorët e pafajshëm të fshatit Backë në Skraparë nga forcat kretiane si dhe sulmi dhe masakrimi që i ishte bërë refugjatëve të Skraparit (shih librin “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania”, autori Aubrey Herbert , faqa 184).
Deputeti Aubrey Herbert përmend në librin e tij arrestimin e dy oficerëve të andartëve dhe mbajtjen në burgun e Vlorës nga KNK dhe oficerët hollandez. Ata si dhe armët e sekuestruara dyshoheshin për masakrat e bëra në Hormovë dhe Backë (po këtu fq. 185).
Beteja legjendare e “Qafës së Martës”
Backa ka qënë një çerdhe e patriotizmit Shqipëtar. Këtë e përmend dhe historiania franceze Nathalie Clayer e cila në librin e saj thekson se sidomos teqeja e Backës me Baba Fetahun ishte vatra e këtij patriotizmi (shih “Aux origines du nationalisme albanais: la naissance d’une nation” Nathalie Clayer, faqa 547).
Çeta e Lace Backës ishte spikatur sidomos në përpjekje me turqit në vitin 1900 në fshatin Panarit (Shih librin “Riza Kodheli” Haxhi Çemerica, Ilir Buzali, fq. 6). Repartet turke të ndjekjes ishin bërë vizitor të rregullt në Backë, sepse ai fshat ju nxirrte vazhdimishtë telashe, sidomos për djemtë që duhet të shkonin Nizamë.
Në këtë kohë në Skraparë u formuan dhe çeta të tjera përveç çetës së Lace dhe Zoto Backës me djem që nuk pranonin të shkonin nizamë, si çeta e Servet Zaloshnjes, Ali Farmaqit.
Në vitin 1906 çeta e Lace Backës së bashku me çetën e legjendarit Mihal Grameno kanë shpartalluar forcat turke në fshatin Staraveckë. Po këtë vitë tridhjetë delegatë me në krye Lace Backën, Zoto Backën, Ali Farmaqin, Servet Zaloshnjen, Riza Kodhelin, Kaso Borockën, Qamil Krushovën, Hysen Radëshin dhe të tjerë morën pjesë në mbledhjen e Frashërit. Në këtë mbledhje u dhanë udhëzime të Komitetit të Manastirit për të krijuar çeta luftëtarësh që do të godisnin pushtuesin si dhe për të çelur shkolla shqipe në çdo fshat (Shih librin “Riza Kodheli” Haxhi Çemerica, Ilir Buzali, fq. 5 si dhe librin “Riza Cerova” me autor Mane Nishovën, faqa 12).
Por le të flasim për betejën e Qafës së Martës. Konsiderohet si më e madhja dhe më historikja. Ajo u zhvillua nga 25 korrik i vitit 1913.
Prof. Skënder Luarasi e ka quajtur me të drejtë “Beteja e Termopileve”. Ashtu si 300 spartanë të cilët luftuan heroikisht kunder ushtrise perse nën udhëheqjen e mbretit Leonidhas. Ashtu dhe 150 skraparas, korçarë dhe kolonjarë, nën udhëheqen e komandantëve legjendarë Lace dhe Zoto Backa, Sali Butka, Qamil dhe Xake Panariti, Riza Kodheli pas luftimesh të përgjakshme, të cilat zgjatën disa ditë gozhduan mbi 500 forca kriminale andartësh, duke i’u shkaktuar humbje të mëdha.
Kjo betejë ishte dhe një fitore strategjike sepse andartët grek të cilët hynë nga Marjani i Korçës, kishin si piksynim pushtimin e Skraparit dhe qytetin e Beratit, dhe atëhere mundet të quhej gati e realizuar ëndrra e tyre gati shekullore e “Megali Idhese”.
Me të marrë veshë dhe kuptuar qëllimin e andartëve, Lace Backa lëshoi kushtrimin në të gjithë zonën. Në ndihmë të Lace Backës shkoi Sali Butka, i cili si fillim takoi dhe u keshillua me “Beun e Mëlovës” dhe vendosën të mblidheshin në Turbohovë, në atë që u quajtë “Kuvendi i Burrave” të të gjithë zonës.
Në këtë kuvend morën pjesë banorët e Tomorricës, Gjerbesit, Grevës, Melovës, Grëmshit, Kuçit e tjerë. Kuvendi u mbajtë në shtepinë e Fetah Ymer Koxhabellitu. 58 luftëtarë të lirisë u rregjistruan në çetën e Sali Butkes. Menjëherë pa humbur kohë kjo çetë nën komandën e Sali Butkës u nisë në drejtim te Qafës së Martës.
Në këtë betejë morën pjesë dhe çeta e Servet Zaloshnjes, çeta e Ali Kuçit dhe çeta e Muço Kapinovës.
Lace Backa me të vënë re andartët, të cilët po vini si mizëri nga Marjani mblodhi çetën e tij me gjithë Zoto Backën dhe Riza Kodhelin. Si një strateg i lindur dhe njohës i mirë i terrenit ai vendosi që duhej kapur pika dominuese e Shkëmbit të Bardhë. Kjo detyrë j’u ngarkua Zoto Backës, i cili me disa trima u nisë menjëherë dhe e zunë atë pozicion sundues (Shih librin “Riza Kodheli” Haxhi Çemerica, Ilir Buzali, fq. 11).
Luftimet ishin të rrepta, armiku ishte në epërsi numerike në një raport 1 me 5, por edhe në epërsi ushtarake. Kjo u duk kur pozicionet e luftëtarëve të lirisë u bombarduan me armë të rënda si topa nga Kisha e Marjanit. Pas shumë orë luftimesh Lace Backa plagoset, por luftëtarët e lirisë e vazhduan betejën. Vëndi ishte mbushur me kufoma andartësh.
Nuk vonoi dhe disa ngritën flamurin e bardhë. Beteja ishte fituar, por pa komandantin e saj.
Jehona e kësaj beteje i kaloi kufijtë e Skraparit dhe Shqipërisë. Fitorja e saj kishte disa efekte.
E para, u ndal hovi i hordhive.
E dyta, u shpetua Skrapari dhe Berati.
Dhe, e treat, kjo fitore i’u percolli mesazhin gjithë shqipëtarëve se pa bashkim nuk ka liri.
Këto kohët e fundit kanë dalë disa të ashtuquajtur “historianë fejsbuqesh”, që shtrembërojnë faktet dhe dokumentet historike, duke folur kuturu, me rrëfime folklorike.
Gaboheni të nderuar “historian”, lexojeni mirë historinë e çetës së Lace Backës, qëllimin, motivin dhe arritjet historike të saj dhe mos e shkëpusni atë nga konteksti historik, nga bashkëpunimi me çetat tjera, të Sali Butkës, Qamil dhe Xake Panaritit, Servet Zaloshnjes etj. Por edhe me çetat e Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit etj.
Ishin këto çeta që luftuan njëlloj si në Panarit (1900), Staraveckë (1906) Përmet (1909) kundër turqëve, ashtu dhe në 1913 dhe 1914 bashkëpunuan njëlloj kundër andartëve kretiano – grekë.
LITERATURA
1- “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant”, Justin Godart.
2 – “Shqiperia e Poshteme”, John Foster Fraser , Shtepia botuese “Zeni”, Viti i botimit 2009.
3- “Epirus, Loë Albania”, Sherif Delvina, Shtepia Botuese “Eurorilindja”, viti i botimit 2003.
4- “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania”,redaktuar nga J. Tomes dhe B. Destani, viti i botimit 2011, Nju Jork
5 – “Albania past and present” Constantin Chekrezi, USA, 1919
6 – “Aux origines du nationalisme albanais: la naissance d’une nation” Nathalie Clayer, Paris 2007
8 – “Riza Kodheli”, Haxhi Çemerica, Ilir Buzali, Tiranë 1984
9- “Riza Cerova”, Mane Nishova, Tiranë 1975
10- “Barbarite Greke në Shqipëri”, Kosta Papa Tomorri, USA 1917
11- Kontribuan me të dhëna Nj. Dervishi, A. Guri, B. Hysi, Z. Gode.
