…aq më tepër mikpritja e Skraparit
Kastriot Caka
Mikpritja është një vlerë gjithëshqiptare dhe shfaqet në format nga më të ndryshmet. Ndaj është e vështirë ta parcelizosh. Të thuash që kjo krahinë është më e dallueshme se kjo tjetra në këtë vlerë kombëtare.
Por në këtë rast unë do të mundohem të do të veçojë mikpritjen e zonës së Skraparit, të cilën e njoh, e kam parë dhe e kam provuar, kam lexuar dhe kam dëgjuar, si dhe jam munduar, që brenda apo jashtë mundësive të mia, ta bëj pjesë familjare dhe personale timen.
Ajo që mua më është dukur më e veçantë në këtë trashëgimi kulturore, në këtë virtyt hyjnor të skraparllinjve, është planifikim në “buxhetin familjar” të mikpritjes si një zë më vete.
Që në fillim të ndërtimit të shtëpive, mendohej për dhomat, e ngrënies, e gjumit, anekset e tjera të kuzhinës, ashefet, stallat e bagëtive dhe asnjë herë nuk harrohej, por, përkundrazi , aty përqëndohej i gjithë kujdsesi i një dhome të veçantë, që ishte dhoma ose oda e miqve.
Nëse mendohej dhe planifikohej “buxheti familjar” i vitit që në verë, planifikoheshin harxhet që do të bëheshin për mikun, dy tri kokë bagëti dhe pesë – gjashtë pula që mund të thereshin. Hiqej mënjanë zahireja e mikut, djathi, gjalpi, petët, roshnicat, rakia, vera, rehnia etj, të cilat mbaheshin në një kënd të veçantë si “të mikut”.
Po kështu mendohej për fjetjen, për pritjen, për argëtimin e tij etj.
Vetë skraparlliu në të shumtën e vitit ushqehej me bukë gatuar përgjysmë me krunde, por kur vinte miku gatuante gjellët më të mira, tërhollnin byreqe e bakllava me miell të situr.
Për mysafirin apo udhëtarin, jo vetëm rezervoheshin gjërat më të mira, por nëse në një familje vinte një mysafir, i zoti i shtëpisë për të nderuar atë, thërriste në shtëpi mbi 4-5 burra nga gjaku i tij dhe vazhdonte muhabeti deri vonë me këngë e dolli.
Udhëtarin që kthehej për një gotë ujë, e gostisnin me dhallë dhe raki. Kur dikush thërriste në emër të të zotit të shtëpisë, edhe fëmija më i vogël, që ndodhej në shtëpi, përgjigjej: ”Urdhëroni brënda”!…
Një sakrificë e madhe ekonomike dhe njerëzore ishte që, për të ruajtur “kodin e mikpritjes”, bëheshin harxhe jashtëzakonisht të mëdha, kur familjet ishin shumë të varfëra. Shumë prej tyre detyroheshin të shisnin kaun apo mushkën e vetme, tokën apo bagëtinë, vetëm që të “nderohej”, të bënte një dasëm të vërtetë, ku era e mishit të ndihej deri larg e rakia të derdhej lumë që dasmorët të kënaqeshin e të tregonin nesër se çfarë dasëm të madhe bëri filani.
Dasma nuk ishte një ceremoni e thjeshtë. Ajo niste dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë para dhe kalonte në disa etapa.
Shkëmbeheshin nishanët me gosti nga të dy palët e krushqve
Një javë para vinin bashkëfshatarët apo miqtë për “urim”. Lagjja, kushërinjtë, daja, halla, teze vinin që një javë parëa dhe ja shtronin çdo darkë me raki e muhabet.
Dy –tre ditë para bëheshin drutë e dasmës, ku kushërinjtë sillni mushka me dru apo sende e materiale të nevojshme për dasmë.
Bëhej caktimi i krushqeve, rruajtja e dhendërrit apo zbukurimi in nuses me ceremenoni, ku vinin shumë njerëz.
Pastaj bëhej zbritja e nuses me cermoni, darka për gjithë dasmorët, mbyllja e dhëndrrit, darka e kurbanit etj. etj.
Të hënën bëhej një darkë për” yzmetçinjë”, ata që kishin shërbyer në dasmë.
Pastaj bëheshin përsëri shkëmbime krushqie, kur nusja shkonte në të parë, etj.
Kur vinte fundi dhe bëhej bilanci, familjes i duheshin, jo muaj, por vite, për të marrë marrë veten dhe për t’u kthyer në normalitet.
E, megjithatë, nuk ”qahej”, nuk pendohej, përkundrazi krenohej që kishte nderuar veten, vllazërinë, miqtë dhe fshatin.
