E kemi prezantuar edhe më parë: është mik dhe bashkëpunëtor i “Orakujve të Tomorrit”, djali i madh i publicistit dhe shkrimtarit të njohur skraparlli, Luman Caka.
Është rast i rrallë dhe fatlum që ka marrë “rrugën e letrave”, si i ati. Lëvron në fushën e humorit, fabulës dhe tregimit të shkurtër.
Prej vitit 1994 jeton e punon në qytetin e Korçës, ku jep lëndën e letërsisë në gjimnazet e qytetit të Mësonjëtores së Parë Shqip.
Botimi për herë të parë i pak rreshtave në revistën e famshme humoristike të kohës, “Hosteni”, që në vitet e shkollës së mesme, duket se shenjoi dhe natyrën e krijimtarisë së tij.
Ka botuar disa libra me fabula.
Fabulat e mëposhtme, të freskëta dhe me temën e ditës, janë nxjerrë nga muri i tij i Facebook
“Orakujt…” i urojnë suksese dhe begati krijuese!
F a b u l a
Kilometër
Tutje, tej në shkretëtirë,
Digjet tufa për të pirë…
U prin elefanti i vjetër:
-Mbërritëm, ja, një kilometer
Larg oazit’ dëshiruar…!
-Nuk na thua, i uruar,
(Që t’i hapim mirë ca letra),
Kur thua një kilometër,
Me të reja, a me të vjetra…?!
Vreshti
Kur dëgjoi se vdiq Frika,
U drodh vreshti, i ra pika…
Fodullë
Fodullë në ecje,
Fodullë në vështrim,
Fodullë në lehje,
Fodullë në krim…
Ç’ke pjellë kështu,
Pylli im…?!
Moskuptim…
Gomari “këngën” e vet:
Këtu pëllet, atje pëllet…
Gomarica i heq veshin:
“Mjaft, le nam, të gjithë po qeshin!”
Veshoja të lë pa gojë:
“Qesh kush s’di të më kuptojë…!”
Konflikt pronësie
Tha “Ë”-ja : “S’durohet më,
Duhen vënë pikat mbi “ë” !”
Diabet
Te ekrani, për çdo natë,
Sheqerlajme me lopatë…!
Rënkon gjyshi, nga sikleti:
“Nga m’u shpif ky dreq diabeti…?!”
Dehje
Dy të dehur, sy më sy:
– Kam dy lajme bombë për ty,
Jot shoqe, na tradhëton…!
Tjetri dopion hedh në fyt:
– Cili është lajmi i dytë…?
Rruga dhe Shkëmbi
U ngjir rruga, plot dy muaj:
“Mbahu shkëmb, aman , mos luaj…!”
Me zor shkëmbi shtrëngon dhëmbët:
“O xhan, nuk më mbajnë këmbët…!”
Tek lëshohet me furi:
“Rrugë, mbahu ti tani…!”
Ishulli i Sazanit
Pëshpërit me dhimbjevalë:
“Si më birësuat ,vallë,
Më kishit të vetmin djalë…?!”
Pa fjalë…
Mjegulla të lë pa fjalë:
“Dhe sot e zhduka një…mal”!
Trimëri
Lepurushi nuk di ç’pat’ ,
I shfryu ujkut me inat…!
(Pylli mbarë shushurin :
“Nuk ia njihnim trimërinë?!”)
Të vërtetën vetë e zbardh:
“Atë natë, përveçse tapë,
Ju rrëfej dhe një sekret:
Kisha mbathur…tri palë brekë!”
