Kalova lumin, të dhj*va kalin
Fatos Muçaj
Ne nuk jemi bërë të këqij brenda natës. Jemi bërë rehat me të gabuarën.
Jemi mësuar të kalojmë lumin dhe pastaj të pështyjmë mbi kalin që na shpëtoi.
Të përfitojmë dhe të harrojmë.
Të marrim dhe të mos kthejmë.
Të kërkojmë respekt, por të mos japim as minimumin njerëzor, për të tjerët.
Ne nuk pyesim më: A është e drejtë?
Pyesim vetëm: A më leverdis?
Hedhim plehra, si lopa bajgën dhe ankohemi pse vendi është i ndotur.
Mashtrojmë dhe çuditemi pse askush nuk na beson.
Vjedhim kohë, punë, radhë, dinjitet dhe pastaj qajmë pse jeta është e padrejtë.
Jemi të parët që kritikojmë, por të fundit që reflektojmë.
Të parët që flasim për moral dhe nder, por të parët që i shesim për interes.
Kur dikush ia del, nuk themi “bravo”, themi me kë e ka?, si ja doli?, e pa mundur si e bëri?
Kur dikush bie, apo rrëzohet, nuk e ndihmojmë, themi mirë t’i bëhet, thyetë qafën.
Kemi humbur turpin dhe nderin dhe e quajmë zgjuarsi.
Kemi humbur përulësinë dhe e quajmë vetëbesim.
Kemi humbur kulturën dhe e quajmë liri.
E vërteta është kjo:
Ne nuk vuajmë nga mungesa e rregullave.
Ne vuajmë nga mungesa e ndërgjegjes.
Atë pjesën e trurit ku magazinohet ndërgjegja e kemi “plloç”.
Sepse është e lehtë të mos paguash.
Sepse është e lehtë të shtysh.
Sepse është e lehtë të fyesh.
Sepse është e lehtë të mburresh.
Sepse është e lehtë të heshtësh.
Sepse është e lehtë të shkelësh.
Sepse është e lehtë të thuash “s’është puna ime”.
Por çdo herë që e bëjmë këtë, ne heqim nga një tullë nga themeli i shoqërisë sonë.
Dhe pastaj habitemi pse gjithçka na bie mbi kokën tonë.
Ky vend nuk shkatërrohet nga ata që bëjnë keq.
Shkatërrohet nga ata që bëjnë sikur nuk shohin, bëjnë menefregistin, apo nuk duan.
Ndryshimi nuk fillon nga “ata lart”.
Fillon nga momenti kur njeriu thotë: “Unë nuk do ta bëj këtë edhe pse mundem.”
Sepse qytetërimi nuk matet me fjalë të mëdha, por me gjeste të vogla kur askush nuk po të sheh.
Si përfundim:
Dita që do ndalojmë së thëni “Kalova lumin, të dhjefsha Kalit”, do jetë dita që më në fund do mësojmë të ecim si shoqëri, jo si turma që shtyn vetëm për vete.
