Spathara nuk është thjesht një vend në hartë, por është kujtesë, është rrënjë, është identitet!…

 Spathara nuk është thjesht një vend në hartë, por është kujtesë, është rrënjë, është identitet!…

 

Engjëll Zylyftari

 

Në zemër të krahinës së Skraparit, mes maleve dhe kodrave që mbajnë jehonën e shekujve, shtrihet fshati Spatharë, një vendbanim i vogël në madhësi, por me rrënjë të thella në histori dhe traditë.

 

 

Administrativisht bën pjesë në bashkinë Skrapar dhe në njësinë administrative Vëndreshë.

 

Pas reformës administrative të vitit 2015, ku u bashkuan disa komuna në njësi më të mëdha, Spathara u përfshi si pjesë e kësaj bashkie, dhe kufizohet me fshatrat Vëndreshë, Therepel, Buzuq, Munushtir dhe Cerovë.

 

 

Treva e Skraparit është e banuar që në kohët e lashta, që prej periudhës ilire, është e natyrshme të besohet se edhe kjo zonë ka qenë pjesë e vazhdimësisë së jetës në këto troje.

 

 

Gjatë sundimit osman, Spatharë ishte një fshat tipik malor, ku jeta mbështetej kryesisht në bujqësi familjare, blegtori, punë artizanale etj.

 

 

Banorët ruajtën me fanatizëm zakonet, mikpritjen dhe ndjenjën e fortë të përkatësisë krahinore. Skrapari në tërësi ka qenë vatër e lëvizjeve kundërshtuese dhe shpirtit liridashës.

 

 

 

Si pjesë e Skraparit, edhe Spatharë ka kontribuar në frymën atdhetare që karakterizoi zonën gjatë Rilindjes Kombëtare, Shpalljes së Pavarësisë, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

 

 

Sulejman Spathara, Ramiz Spathara, Xhevahir Spthara etj. kanë qenë figura që kanë nderuar fshatin me kontributin e tyre historik

 

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare djemtë e Spatharës u inkuadruan në formacionet partizane, ndërsa vetë fshati shërbeu si strehë dhe mbështetje për forcat çlirimtare.

 

Pas vitit 1945, jeta në Spatharë u organizua në sistemin e kooperativave bujqësore. Banorët punonin tokën, rrisnin bagëti dhe mbanin gjallë ekonominë rurale.

Gjatë kësaj kohe u ndërtuan rugë lidhëse, shkolla, kopsht- çerdhe, ambulancë dhe objekte të nevojshme për komunitetin.

 

 

Fshati kishte gjallëri, me familje të shumta dhe jetë aktive shoqërore.

 

Pas viteve 1990, si shumë fshatra malore shqiptare, Spathara u përball me emigracion masiv. Shumë familje u shpërngulën drejt qyteteve të mëdha dhe vendeve evropiane, Greqi, Itali, Angli, Gjermani etj.

 

Megjithatë, lidhja me vendlindjen mbetet e fortë.

 

 

Spathara nuk është thjesht një vend në hartë – është kujtesë, është rrënjë, është identitet.

 

Sot Spatharë mbetet një simbol i qëndrueshmërisë së jetës malore skraparase.

 

 

Ajo përfaqëson një pjesë të mozaikut kulturor të Skraparit, me tradita, histori familjesh dhe kujtime që kalojnë brez pas brezi.