Ishte viti 1985 ose 1986. Unë isha mesues i ri në fshatin Staraveckë të Skraparit. Vështiresitë e përshtatjes ishin të mëdha, por dukej se po ia dilja.
Në shkollë, pavarësisht ngarkeses së madhe, kaloja shumë mirë. Drejtori ishte një mesues i zoti dhe nuk kursehej të ndihmonte të rinjtë.
Nuk mu desh shume kohë të kuptoja se ndodhesha në mjedisin e duhur per të ecur me shpejtësi në profesionin tim. Kisha kolegë të mrekullueshem si Enver Halili (drejtori), Leonidha Beta, Muhamet Ibro, Kudret Feka, Albert Lamçe, Selvi Dyrmishi, Trendafile Maksuti, Shegë Sulejmanasi etj, por sikurse thashë, Enveri do të ishte më i rëndësishmi për mua në ato vite.
Ai nuk kursehej në vërejtjet e tij, por edhe unë diskutoja e konsultohesha me atë për çdo gje që lidhej me aktivitetin tonë të përditshëm.
Vetëm për një gjë nuk i tregova kurrë Enverit. Nuk i tregova për diçka midis meje dhe Leonidhës, mësuesit të gjuhës, të cilin të gjithë e thërrisnim Loni. Madje askujt nuk i kam treguar deri sot e këtu po rrefehem për herë të parë.
Leonidha ishte nga Voskopoja. Ishte prej më shume se 10 vjetesh në Staraveckë.
Askush nuk do të kishte mundur të mësonte se Loni kishte probleme serioze me biografinë, madje për këte kishte ardhur nga Korça në Skrapar, por nëse ai nuk do të kishte rënë në dashuri me Parsinë, një vajzë te mrekullueshe, e cila ishte pjesë e rrethit të ngushtë familjar të Behar Zhurdës, shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës e me pas Ramizit, askush nuk do i kishte kushtuar kaq fort vëmendje biografisë së tij.
Behari nuk e dha kurrë bekimin e vet për këtë lidhje, çka e detyroi çiftin e ri të martohen pa dasëm. Kjo i kushtoi Parsisë përjashtimin nga Partia, ndërsa Lonin kishin filluar ta shihnin vërtetë keq.
Sidoqofte Loni ishte një mësues i talentuar, për mendimin tim ndër me të aftët që kam njohur dhe ato 4-5 vite që kishin ngelur deri ne vitin 90, i kaloi me kujdes, ndërkohe askush, përveç neve 4-5 jabanxhinjve dhe drejtor Enverit, nuk i shkonte kurrë në shtëpi.
Pra po thosha se ajo që nuk i kam treguar kurrë askujt, as Enverit, kishte të bënte me Lonin.
Ishim në një ekskursion. Sheshi i Shahinit quhej vendi. Të tilla organizoheshin shpesh dhe ne to bëheshin bashkë disa shkolla si dhe të rinj të zones. Të tilla ngjarje më shumë ishin si festa krahinore. Kishte një ritual të pa ndryshueshem në to.
Fillimisht luanin nxënësit lojra nga më të ndryshmet, zhvilloheshin koncerte e programe të ndryshme, më pas një ndeshje futbolli apo volejbolli e në fund dreka.
Pikërisht në ndeshjen e futbollit pata një acarim me Lonin. Nuk kam qenë aspak paqësor në sport. Konfliktual sistematik. Por edhe ai nuk më toleroi. Kjo me nevrikosi derisa acarimi ynë agravoi tek fjalët, madje mund të kishte shkuar edhe me keq.
Në kulmin e acarimit tim, i them Lonit: “Ballisti ….”.
U fye keq, la lojën dhe iku. Askush nuk i kushtoi rëndësi grindjes sonë, një grindje e zakonshme loje, ndërsa fjalët e mia ose nuk i dëgjoi kush, ose bënë sikur nuk i dëgjuan, por e sigurt është qe askush nuk mund të guxonte të me thoshte se pse i thashë ashtu. Fundja edhe unë kisha zbatuar më së miri luften e klasave.
Gjithë natën nuk e mbylla syrin. Më vinte rrotull grindja jonë, indiferenca e të tjerëve dhe prroçka ime.
Të nesërmen në shkollë. Ishim fare pak mësues. Më dukej sikur të gjithë shikonin vetëm nga unë. Nuk u përshendeta me asnjë nga kolegët. As me Lonin.
Qendrova larg grupit dhe pasi ra zilja për fillimin e orës së parë, me kujdes e ndala në porten e jashtme të shkollës. Pasi i tregova që po vuaja shumë i kerkova te falur.
Mbaj mend se iu luta që të mos e mrerte si diçka rutinë, por si diçka për të cilën kisha shumë nevojë.
Nuk po iu besonte veshëve. Shumë herë i kishin thënë ballist, por kurrë nuk i kishin kërkuar të falur. Uli kokën e nuk foli. Vazhdoi paksa gjatë. Mbase mendohej. Nuk më foli. Vetëm bëri paksa buzën në gaz e më përqafoi.
Me çliroi nga një shqetësim i madh. Isha gati të lotoja nga turpi e lehtësimi njëkohësisht.
Pavarësisht se Loni më fali me gjithë shpirt, mua akoma me vjen turp.
