Poliçani, më 14 Shkurt në mbrëmje, në këtë fotografi të dërguar nga një shok imi. Ora shënon 18:00 dhe, siç thoshin pleqtë dikur, këtu nuk gjen “xham xhi” njeri. Një heshtje e rëndë, e pazakontë për një qytet që dikur nuk flinte kurrë.

 

 

Në kohërat e mëpaërshme, ndonëse 14 Shkurti nuk festohej si Dita e të Dashuruarve, Poliçani ishte plot e përplot, rrafsh me njerëz.

 

 

Të dashuruarit i gjeje në kinema, duke parë ndonjë film të fundit; i gjeje duke bërë xhiro në rrugën e pishave në dalje të qytetit, duke shkëmbyer ndonjë përqafim apo puthje; i gjeje në bar-restorantin e qytetit, duke ngrënë ndonjë trigon ose duke pirë ndonjë aranxhat.

 

 

Ne, më të vegjlit, fëmijë siç ishim, luanim lojëra luftërash. “Voza” ishte një lojë që shpesh përfshinte qendrën dhe bulevardin kryesor të qytetit. Duhej të çaje turmën e madhe të njerëzve që bënin xhiro, një det njerëzish që sot duket i paimagjinueshëm.

 

 

Ishte një qytet që dikur kishte 15 mijë banorë, 3 600 punëtorë, 500 inxhinierë, një kinema, dy shkolla të mesme, dy tetëvjeçare, një fabrikë, një librari dhe një popullsi të tërë me origjinë nga Shkodra deri në Sarandë. Një qytet i ndërtuar mbi punën, dijen dhe bashkëjetesën.Sot, i gjithë ky realitet është shkrirë në 300–400 veta.

 

 

Një qytet i tërë i zhdukur pa zhurmë, pa bujë, pa alarm.

 

Një shuarje e ngadaltë, e frikshme që nuk erdhi nga lufta, por nga harresa.

 

Besim Dervishi