“Ngrehuni dëshmorë një çikë, të shikoni prapësitë …”!
Ilmi QAZIMI
Ata janë shtatë. Numër mitik legjendash dhe folklorik. Përjashtuar njërin që sa kish kaluar shifrën tre në dekadën e tetë, por tregon si kur të jetë shtatdhjetë e shtatë vjeç, të tjerët janë nën tetëdhjetë e mbi shtatëdhjetë vjeç. Të gjithë të shkurtër nga një metër e gjashtëdhjet e shtatë deri një e shtatëdhjet e nëntë centimetra. Janë të pensionuar, me kokën e zbukuruar prej dëborës së thinjave; edhe atyre dyve që i kanë lejuar flokët të largohen nga koka, u ndrijnë pak qime vetëm të bardha. Veç njërit që kish mbetur kooperativist i denjë me arsimin e kohës, të tjerët janë pajisur me arsim të lartë që në kohën e demokracisë proletare në Shqipëri.
Të tërë janë Ish-a. Njëri ish-mësues historie; tjetri ish-farmacist; i treti ish-kuadër i lartë deri në qyngje të partisë që s’është më; vijon më tutje ish-inxhinier pyjesh; ai i qethuri shkurt ish-punonjës i arsimit dhe i shtati, ish-oficer i lartë që tashmë i drejtohen ‘kolonel në pension.
Nga pikpamja sociale, grupi ka diversitet të plotë: tre komunistë të thekur, një përfaqësues i forcave të mirëfillta atdhetare nacionaliste, një i paorganizuar kund,një me origjinë fshatar i varfër por me bindje krejt të djathta, dhe tjetri nip dëshmori e bir kulaku.
Sa për emrat? Po ja: Takja, Nurua, Nikua, Ledi, Kuçua,Malua dhe Gazi. U mblodhën në një lokal të gjerë gjysmëperiferik, me aromë mish keci të pjekur e me kameriere të bëshme. Nismëtari është i fundit sepse ai kishte edhe sebepin: “Sot, nisi ligjëratën ai, do t’i sharrojmë lisat e halleve. Nuk do flasim as për luftën në Ukrainë e as për krizën ekonomike. Na ndau kovidi. Na ka marrë malli! Hajdeni të çprehemi, se kam botuar edhe një libër me personalitete!”
Dhe, mbasi u ulën, po ai, organizatori, deklaroi: “Do të pimë raki, do këndojmë, do llafosemi e do çmallemi!” Trokëllitën gotat dhe filloi përtypja e ngadaltë sipas ritmeve të moshës së nofullave dhe gjendjes së dhëmballëve.
Vazhdoi muhabeti për të kaluarën. Secili rrëfente diçka ku me nostalgji, ku me krenari , diku me shqetësim e gjetkë me nënkuptim, por gjithnjë me dashamirësi e çiltërsi. Mbasi erdhën paksa “në terezi” ia morën një kënge popullore. Vajti gjym. Rifilloi biseda treshe e dyshe kryesisht për shëndetin, peripecitë e kovidit-19, ecurinë e kohës, klimës dhe përsëri te kënga.
Anëtari më i shkurtër i grupit, nip dëshmori e bir kulaku, ia mori këngës kuptimplote: “Ngrehuni dëshmorë një çikë,/ të shikoni …”. Mirëpo, në vijim, ai e ndërroi tekstin e vargut të dytë duke e shqiptuar me melodi “…të shikoni prapësitë,/broçkullat e qeverisë,/i vunë minat Shqipërisë.”
Dikush desh ta ndërpriste po ‘kryetari’ i bëri shenjë që të mos e prishte muhabetin dhe këngën, por të vazhdohej isua deri në fund. Gjëmuan urimet “si goja zemra!”; “të lumtë ajo gojë sa mirë ia more!” Njëri e ledhatoi me një kritikë: “shumë na e rëndove qeverinë, o mik!”
Ai që sapo këndoi, pasi falënderoi me shenja e me gotë në dorë shqiptoi: “ju e dini që populli i thjeshtë nuk e do një qeveri që na dëndi me taksa, me çmime të larta dhe me gënjeshtra…”, dhe shtoi: “hajde, paçim njeri-tjetrin, paçim unitetin dhe shëndetin!”
I fuqishëm ky këngëtar! Ngre dolli për ato tri gjëra aq të shtrenjta që pa na i zbeh kapitalizmi i allasojtë shqiptar. U ngritën dolli e mirësi me rregullat klasike dhe me ato moderne. U trokitën gota edhe për ata që na kanë ikur, se nuk na bën goja të themi ‘vdekur’. Më hokatari duke pirë dollinë për inxhinierin e pyjeve iu drejtua: “Qofsh i pa harruar ti, se pyjet u dogjën!”
Ia dhanë të gjithë të qeshurit! Kryetari i tavolinës, Gazi, duke bërë bilancin e punës, nënvizoi se vatanin nuk e lëmë të dobësohet, gjakun e dëshmorëve nuk e lëmë të harrohet, ja edhe këtu në libër kemi shkruar për ta, edhe pyjet do të rimbillen, mbasi ne nuk shuhemi kurrë se na mban gjallë zemra dhe fryma shqiptare….