Përkujtohet me një simbolikë të re, 84-vjetori i Çetës Plakë të Skraparit

Ndryshe nga herët e tjera, 14 Marsi i këtij viti, Dita përkujtimore e Krijimit të Çetës Plakë të Skraparit me komandant Mestan Ujanikun dhe komisar Gjin Markun në krye, është kremtuar nën një simbolikë monumentale të re, të bukur, historikisht dhe artistikisht të denjë dhe përfaqësuese.

Ka qenë doktori i njohur stomatolog, Maksim Musabelliu, pinjoll i fisit luftëtar të fisit të Musabellinjve të kësaj çete, që, falë respektit, ndjeshmërisë filantropike dhe njerëzore, me kontributin e tij financiar, rionstruktoi lapidarin e Kulmakut, një nga simbolet historike që përjetëson ngjarjen më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Skrapar, formimin e Çetës Plakë të Skraparit.

Me këtë rast pranë lapidarit ishin mbledhur banorë të zonës, pelegrinë të ndodhur rastësisht në Tomorr, pjestarë e të afërm të ish-partizanëve dhe dëshmorëve të Çetës, përfaqësues të Organizatave të Veteranëve të Luftës Antifshiste Nacionalçlirimtare të Çorovodës dhe Poliçanit, përfaqësues të pushtetit vendor të të dy bashkive, Çorovodë dhe Poliçan etj

Fjalën e hapjes e mbajti sekretari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ të rrethi të Skaraprit, Taip Çela.

Më pas, pjesëmarrist i përshëndeti kryetari i Komitetite të Vetëranëve të Rrethit të Skraparirit, Enver Naska.

Në fund, atmosferën festive e gjallëroi me këngë e valle, grupi folklorik i Skraparit.

Historiku i Çetës së Skraparit

Më 14 mars të këtij viti mbushen plot 84 vjet nga krijimi i Çetës së Skraparit, një nga formacionet e para partizane jo vetëm në Skrapar, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

Ceremonia i formimit u bë në Kulmak të Tomorrit më 14 mars të vitit 1942, në krye të së cilës u vu një figurë popullore, Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku.

Krijimi i çetës, e dyta në Shqipëri pas asaj të Pezës, pati një jehonë të madhe dhe gëzoi pa masë popullin e Skraparit duke tronditur seriozisht pushtetin fashist.

Ja si i shkruan në këtë kohë gjenerali i brigadës italiane, Paligeri kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme “…kemi njoftime të besueshme mbi gjendjen e një çete në Skrapar dhe komandohet nga i njohuri Mestan Ujaniku nga Skrapari…”.

Ndërsa prefekti i Skraparit i shkruan qeverisë: “…gjendja në prefekturë është bërë kaotike, qeveria mbretërore të dërgojë sa më shpejt një detashment të posaçëm forcash ushtarake”.

Dhe vërtet ajo dërgoi jo një, por disa detashmente, të cilët u shpartalluan me turp.

Çeta partizane, me një herë pas krijimit, u hodh në aksione të njëpasnjëshme. Forcën e saj goditëse populli e ndjeu kudo, brenda një periudhe të shkurtër u shpartalluan disa posta fashiste si në Tomorricë, Potom, në Opar etj., por edhe disa inkursione ushtarake të ndërmarra nga armiku u thyen keqas.

Veç kësaj në themel të punës së saj ajo fshat më fshat e shtëpi më shtëpi jo vetëm sqaroi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por ngriti edhe Këshillat Antifashistë si në Gradec, Ujanik, Zaloshnjë, Shpatanj, Gjerbës, Trebël, Vërzhezhë, Radësh, Leshnje, Koprënckë, Malind, Sevran, Zabërzan, Bargullas, Potom, Çepan, Therepel etj., shumica prej tyre u ngritën para Konferencës së Pezës, ku u mor vendimi për ngritjen e këtyre këshillave.

I pazëvendësueshëm për forcimin e çetës, për mbushjen e radhëve të saj me luftëtarë të rinj dhe për realizimin e detyrave luftarake qe edhe kontributi që dhanë patriotët e njohur Hysen Zaloshnja, Sinan Leshnja, Jashar Dobrusha, Pasho Hysi, Riza Vala, Avni Kapinova, Sabri e Hazbi Radëshi, Ismail Çelo, Sabri Ujaniku etj.

Që nga krijimi në mars dhe gjithë prillin e vitit 1942 çeta veproi në zonën e Nahijes së Beratit, në Roskovec dhe pjesërisht në Mallakastër për të ndihmuar në krijimin e bazave të luftës për një rezistencë aktive.

Por beteja që shënon fitoren më të bujshme dhe më të rëndësishme është çarmatosja e milicëve fashistë në Mëlovë më 30-31 gusht të vitit 1942.

Një tjetër fitore që pati rëndësi kombëtare, por edhe që bëri bujë në atë kohë, ishte çlirimi i Çorovodës. Pas Mëlovës, çeta mori iniciativën e fitores në dorë, u muarën masa për riorganizimin e çetës. Në Koritë, Leshnje, Gostënckë, Melovë dhe Zaloshnje u grumbulluan forca të reja dhe u bë plani për çlirimin e Çorovodës. Tani ajo numëronte mbi 100 luftëtarë.

Pas 5 shtatorit 1942, çeta duke patur një rritje të konsiderueshme, me vendim të Komitetit Qarkor të Beratit u riorganizua në Qafë të Pelave, duke u ndarë në tri çeta, çeta plakë me Mestanin e Gjinin që do të vepronte në zonën e Beratit dhe të Roskovecit, çeta e dytë partizane me komisar Ramiz Aranitasin dhe komandant Xhelal Staraveckën, çeta e Qendrës me komandant Zylyftar Veleshnjën dhe çeta tjetër me komandant djalin e Mestan Ujanikut, Xhemal Ujanikun.

Çetat ndanë midis tyre detyrat dhe veprimet e tyre në Skrapar, Dangëlli, Nahije të Beratit, Myzeqe e gjetkë deri sa më pas me bërthamë këta luftëtarë u krijuan formacione të tjera partizane si batalioni “Riza Cerova”, i krijuar në Qafë të Martës, Grupet e Parë e të Dytë të Myzeqesë, Grupi i Tretë i Skraparit, në Liqedh, Batalioni i Rinisë “Margarita Tutulani”; për të kaluar më pas në Brigadën e 7-të Sulmuese të formuar më 17 mars 1944 në Vlushë, Brigadën e 16-të S në Therepel etj Shumë nga këta partizanë shkuan edhe në formacione të tjera si në Brigadën e Parë S, në Brigadën e 10 S etj.

Veç formacioneve që u krijuan në territorin e Skraparit, toka e kësaj krahine u bë arenë e luftimeve nga më të fuqishmet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, siç ishte beteja legjendare e Tendës së Qypit, Qafës së Martës, Qafës së Gjarpërit, Qafës së Shkozës etj. Po kështu Operacioni gjerman i Dimrit dhe i Qershorit qenë nga më të egërit në Skrapar, të cilët u shoqëruan me masakra masive në njerëz si në Vlushë, Kapinovë, Gjokovicë, Trebël etj., ku u martirizuan mbi 120 vetë, por edhe me shtëpi të djegura me bagëti, mall e gjë të dëmtuara.


Por këto nuk e përulën popullin e kësaj krahine dhe tokën e ndezur të saj, përkundrazi, shtëpitë fshatare u bënë baza të Luftës ku u kryen aktivitete në rang kombëtar.