Reportazh
Agron Guri
Pasi lëmë rrugën plot dredha, shtruar me çakull, futemi në portën e Tomorricës, në Devri.
Shpatet e pjerrta të maleve bien mbi rrugë, lajthitë dhe bimësia kanë filluar të çelin dhe të lulezojnë.
Aty, ku në kohën e kaluar qe menduar për një fushë të helkopterëve, tashmë fushën e kanë zënë blloqet e mermerit. Punojnë katër – pesë kompani private.
Makina të rënda me blloqe kuadrate, kuboide e paralelopipede mermeri. Zhurma e makinerive që sharrojnë shkëmbeinjtë prej mermeri të ndjek ngado dhe në këto mjedise malore, është tepër e bezdisshme, sidomos për veshët tanë që vijmë nga qyteti në këto anë për pak qetësi.
Një ndotje e rëndë mjedisore, por edhe akuistike.
Aty punojnë shqiptarë, indianë, nepalas etj. Qindra mijëra mbetje mermeri janë hedhur mbi fshatrat e braktisur.

Befas na çfaqet Tomorrica. Ja, ky qe Përrenjasi , fshati i parë, i mendjendriturëve patriot, Jaubellinjve ose, me pas, Jaupllarëve.
Piktori Sulejman Perrenjesi ishte nga ky fshat.
Tomorrica ndahet nga lumi me të njejtëin emer.
Ja, Gjokovica, Grëmshi, Kuçi , Floq-Rehova, Barçi, Vishanji dhe, më tej, Strafikca, Greva, Zhepa, Leskova Çorrotati, Çerrica, Gurrazezi, Dobrenji dhe Burranji.

Ndërsa në anën tjetër, vazhdojnë, Mëlova, Zaloshnja, Gjerbësi , Ujaniku, Gradeci , Trebla, Rromasi,Duncka,Tërrova e Osnati.
Tomorrica është një nga krahinat më të njohura të Skraparit, e pasur me bukuri natyrore, tradita të forta dhe histori të lavdishme.

Dikur Tomorrica ishte një zonë plot jetë dhe zhvillim. Në fshatin Gjerbës, që konsiderohej kryeqendra e Tomorricës, funksiononte edhe shkolla e mesme ku mësonin nxënës nga shumë fshatra të zonës. Kjo shkollë ishte vatër dijesh dhe formimi për breza të tërë.
Aty gjeje gjithçka që duhej për një jetë normale: spital, farmaci, shërbim dentar, hotel, restorant, dyqane tregtie. Gjerbësi i ngjante një qyteti të vogël, por të bukur.
Kishte një shtëpi kulture që ziente mga zerat e bukur të rinisë, por edhe zerat e fuqishëm interpretues të këngës popullore skraparase si të Artistit të Popullit Demir Zyko, Neshat Hebibasit, Agim Carkanjit, Hysnie Agos të Gradecit etj.
Tomorrica është edhe vendlindje e shumë figurave të njohura të kulturës dhe historisë. Në Gjerbës lindi mjeshtri i madh i këngës popullore, Demir Zyko, kirurgu i shquar shquar shqiptar, profesor Ajli Alushani etj.

Aty ku zë e rrjedh lumi me të njejtin emër, lumi i Tomorricës është fshati Gjokovicë, i shquar për mjaltin me aromë të veçantë të luleve të zonës.
Dikur më kërkoi një mik për ambasadoren amerikane në Shqipëri në vitet e para të “demokracisë” mjalt për një kurë mjekësore nga mjalti i Gjokovicës.
Ia gjeta.
Tani në ato anë ka mijëra koshere bletësh. Vetëm Iljaz Zhuri dhe djali i tij kanë mbi 350 koshere. Me bletë merren, punë blete bëjnë!
Sot, kur Tomorrica është braktisur, shikon se ka ende jetë,shpresë pune të paqme.
Por…s’ka rrugë.
Për në Gramsh veç zallit të lumit.
Për në Çorovodë fshatrat si Zhepa Çorrotati, Leskova Greva, Tërrova, Trebla, Rromasi, Barçi, Kuçi gati e kanë të pamundur të lidhen, të paktën me rrugë, me Gjerbësin.
Dikur shkolla të mesme e 9-vjeçare në Gjerbes, Kuç, Zhepë, Dobrenj, Tërrovë etj.
Nxënësit sot numërohen me gishtat e dorës.
Ka fshatra që tashmë janë zhdukur, u ka mbetur vetëm emri, si Duncka, Grëmshi, Floq Rehova, Davidhi etj.
Tomorrica ka shumë resurse turistike, sidomos turizmi malor dhe ai i aventurës. Por s’ka rrugë.

Nën këmbët e Tomorrit janë ngritur disa bujtina të cilat mbushen plot çdo ditë. Po të kishte rrugë do të ishin ngritur edhe të tjera si gjatë luginës së lumit ashtu edhe rrëzë Qafës së Gjarprit, Gurit të Prerë, Koshnicës dhe Tërrovës.
Tomorrica ka histori shumë të lashtë, por që ka shkëlqyer, ka qenë në kohën e Mesjetës, si pronë e privelegjuar e Muzakajve për shkak të bukurisë së saj natyrore, por edhe paurisë, sepse këtu ata kishin minierën e floririt.
Pak më vonë, në Mesjetë, pasi ikën Muzakajt, në kohën e Perandorsisë Osmane, shkëlqeu Gramshi, nga ku lindi kryearkitekti Kasëm Bashi dhe ishin rrënjët e Rilindave të mëdhenj, Vëllezërit Frashëri.
Në Rilindjen Kombëtare dhe pas sajnga Tomorrica dolën figura të shquara si, Servet, Mahmut dhe Hysen Zaloshnja, Alimëdhenjtë e Kuçit, Zhitët e Mëlovës, Refat Gurrazezi etj.
Baba Meleq Staravecka punoi 17 vjet në Tomorricë në Teqenë e Shëmbërdhenjit.

Heroike ka qenë edhe lufta Antifashiste Nacionalçlrimtare në këtë krahinë. Në Ujanik u krijua nga Mestan Ujaniku një nga çetat partizane më të hershme dhe më të rëndësishme në Shqipëri, e dyta në rang vendi.
Qafa e Gjarprit dhe Guri i Prerë mbajnë ende kujtimet e luftëtarëve që luftuan për lirinë e vendit në betejat nga më të përgjakshme të asaj kohe.

Tomorrica ka nxjerrë edhe shumë figura të shquara në fusha të ndryshme. Ndër ta përmenden profesorët me tituj akademikë si, Ajli Alushani, Idris Metani , Kujtim Kapllanii, Hysen Binjaku, Adem Jakllari, Qazim Metani dhe shumë personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në shoqëri, kulturë dhe shkencë.
Sot Tomorrica përballet me sfida të mëdha, si largimi i banorëve dhe braktisja e disa fshatrave.
…Megjithatë historia, kultura, kënga dhe tradita e kësaj treve mbeten një pasuri e çmuar. Tomorrica vazhdon të mbetet një simbol i krenarisë skraparase dhe asaj kombëtare
