Ndahet nga jeta një nga ikonat e humorit shqiptar, shkrimtari dhe publicisti Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka)
Zylyftar Hoxha
Është ndarë sot, në moshën 96 – vjeçare shkrimtari dhe gazetari i njohur shqiptar, Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka).
Në shtypin shqiptar njihet me pseudonim letraro-humoristik, Hyskë Borobojka, që më shumë se një pseudonim, ka shërbyer për të si një emër i dytë, më i njohur dhe më identifikues se i pari, është një ndër shkrimtarët humoristë nga më të spikaturit të një brezi që tani po shkon drejt fundit.
Hyskë Borobojka është lindur më 25 tetor 1930 në Lavdar të Oparit, rrethi i Korçës.
Nga viti 1948 deri në vitin 1952 ka kryer shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokatër bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Pas këtij viti ka ndjekur studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë.
Gaqo Veshi mbahet mend si gazetari më me popullaritet, me karrierën më të sukseseshme dhe më të gjatë, prej më shumë se 20 vjetësh, nga viti 1970 e derisa ajo u mbyll në vitin 1991, në revistën humoristike “Hosteni” që dilte në periudhën komuniste, një revistë që, për hir të së vërtetës, nuk e kishte qejf as vetë regjimi, pasipërbënte të vetmen “opozitë” në Shqipëri, dhe ndoshta për këtë arsye edhe mbahej.
Madje mund të themi se Gaqo Veshi apo Hyskë Borobojka, pas shkrimtarëve e publicistëve të mëdhenj të humorit të këtij brezi si Shefqet Musaraj, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Dionis Bubani, Dritero Agolli, Sabri Godo, Tonin Miloti, Niko Nikolla, Skënder Hasko etj., mund të quhet si ai personazhi i romanit të Fenimor Kuper, “I fundit i Mohikanëve”.
Por Gaqo Veshi mbahet mend edhe për korrespondencën më të gjatë, prej më shumë se 15 vjetësh, me mikun e tij të shkollës së mesme në Gjirokastër (miqësi qëmë pas zgjati gjithë jetën) me Dritero Agollin, që botohej në çdo numër të revistës “Hosteni” me pseudonimet: Gaqoja – Hyskë Borobojka dhe Driteroi – Bamkë Çomanga.
Ka shkruajtur mbi 15 libra humori. Edhe pas rënies së sistemeve ka botuar dhe vazhdon të botojë rrëfime, fejtone, skica humoristike, intervista, reportazhe në shtypin aktual.
Më posht po jap në formën e një rrëfimi intervistën që i kam marrë atij para tre vjetëve:

Gaqo Veshi: Ja pse e dua kaq shumë Skraparin, këtë krahinë me njerëz të mrekullueshëm
E quaj veten skraparlli me rrënjë për disa arsye. E para sepse jam nga e njëjta zonë, nga Lavdari i Oparit të Korçës, në rrëzën lindore të Ostrovicës, ndërsa një vrap pele më tutje, në pjesën tjetër, perëndimore, të të njëjtit mal, Ostrovicës, ndodhet Skrapari, Faqekuqi. Na ndan Qafa e Veshit dhe Qafa e Beçit.
Pleqtë tanë bënin në shumë me anën e Skraparit, kryesisht me zonën e Potomit, Backës, Kapinovë. Vinin te njëri-tjetri jo vetëm se i zinte rruga tanë shkonin për dimërim në Myzeqe dhe ata tuajët për Pazar në Korçë, por kjo miqësi ishte shtrirë edhe deri në sebepe familjare, në dasma, gëzime dhe vakira.
Babi im më thoshte shpesh se, kur u vra Muço Kapinova në kohën e Zogut, është ngritur tërë fshati i Lvadarit dhe Lekasit dhe kanë shkuar në varrimin e tij në Kapinovë.
Pasi mbarova Institutin Pedagogjik në Tiranë, në vitet 1953-1954, kam shërbyer mesues i gjuhës shqipe në rrethin e Skraparit, në fillim në shkollën 7-vjeçare të Backës dhe më pas inspektor arsimi.
Kam shumë kujtime të asaj kohe. Por po të tregoj një rast në fshatin tënd, në Qafë: Bashkë me një kolegun e tim të asaj kohe shkuam për inspektim në Qafë, ku mësues ishte Mehmet Veizaj, i biri i patriotit Sulejman Qafa, njeri i kulturuar, kishte qenë nëpunës në Kohën e Zogut dhe mbasçlirimit, por nuk dihej pse e kishin sjellë përsëri në fshat. Mehmeti ishte shembullor në gjithçka.
Nuk kishe çfarë t’i thoshe. “Po duhet t’i bëjmë ndonjë vërejtje, thotë shoku, t’i themi, fjala vjen, zgjati 5 minuta orën e mësimit”!…
“Po kritikohet ai, a ia pe shkrimin, ai pe nxënësit? Aty nuk ishte jonjë Mehmet, por 40 Mehmetë”! – i thashë kolegut.
Lidhjet me Skraparin i mbajta edhe pse ika në Korçë e më pas në Tiranë. Kur isha në revistën “Hosteni” në Tiranë gjeja sebep pa sebep dhe ikja me shërbim në Skrapar. Aty kisha mik që nga ’53-shi Iljaz Kapxhiun, mësues, humorist shumë i mirë. Ai nuk rrinte rehat dhe shkruante në revistën “Hosteni” për kuadrot, punët që nuk shkonin mirë në Skrapar.
Unë vija gjoja i verifikoja, por ato ishin të sakta. Kushedi sa herë kam ardhur me motorin tim legjendar “Java” nga Tirana në Çorovodë në rrugën e kalldrëmtë.
Me Ilajazin pata miqësi familjare, disa herë kam vajtur te ai me gjithë gruan dhe vajzën, sikundër edhe ai te unë, në Tiranë me vajzat e tij.
Në Skrapar kam patur edhe shumë miq e shokë të tjerë, ndërmjet tyre, edhe ty, i dashur Zylyftar që kemi bërë shumë punë të mira bashkë.
Bisedoi: Z. Hoxha
