Për ata që duan ta kuptojnë më thellë Bektashizmin
Përgatiti për botim:
Nesim ALUSHANI
Bektashizmi nuk është vetëm një traditë shpirtërore e lindur në botën islame, por edhe një mënyrë e veçantë e të kuptuarit të njeriut, Zotit dhe jetës. Që nga mësimet e Haxhi Bektash Veliut e deri te interpretimet poetike dhe filozofike të Naim Frashërit, kjo rrugë mistike e ka vënë theksin në dritën e dijes, tolerancën ndërfetare dhe dashurinë për njeriun.
Në këtë shkrim paraqiten shkurtimisht fillesa historike e bektashizmit, disa nga idetë kryesore që e bëjnë atë të shihet jo vetëm si një tarikat fetar, por edhe si një filozofi humaniste e cila ka lënë gjurmë të thella në zhvillimet shoqërore dhe në kulturën shqiptare.
Fillesa e bektashizmit (shek. 13-të)
Dihet se bektashizmi lidhet me figurën e Haxhi Bektash Veliut i cili jetoi në Anadoll (pjesa aziatike e Turqisë) në shekullin e 13-të.
Ai ishte një dijetar fetar dhe mistik pasi kishte studiuar për teologji islame dhe sufizëm (mistikë islame). Mësimet që ai predikonte përqëndroheshin te dashuria midis njerzve, toleranca, barazia dhe interpretimi simbolik i fesë.
Në fillim ai krijoi një rrymë shpirtërore mistike, heterodokse sufiste (jo sekt në kuptimin formal), pa strukturë të plotë institucionale, të cilën nuk e ktheu vetë në tarikat të organizuar. Bektashizmi u organizua si tarikat i mirëfilltë sufist nga Ballëm Sulltani në shek. 15-16-të. Ai vendosi rregullat dhe hierarkinë.
Nga kjo periudhë bektashizmi njihet si Tarikati Bektashi. (Heterodokse do të thotë mësime dhe praktika të ndryshme nga doktrina zyrtare-fetare).
Lidhja e Bektashizmit me Perandorinë Osmane
Bektashizmi u lidh ngushtë me trupat elitare osmane, jeniçerët, pasi këta, duke qënë me kombësi të ndryshme, kishin nevojë për një identitet shpirtëror. Ata e konsideronin Haxhi Bektashin si figurë mbrojtëse shpirtërore. Kur këto trupa u shpërndanë në vitin 1826, nga Mahmudi II, edhe bektashizmi u godit rëndë, në Turqi, por vazhdoi të zhvillohej fuqishëm në Shqipëri. Kjo është një temë tjetër prandaj nuk do ndalem.
Konceptet sekt dhe tarikat
Shizmi dhe sunizmi quhen sekte në kuptimin fetar – historik. Sekti lidhet më shumë me besimin dhe doktrinën dhe përfaqëson një ndarje doktrinore brenda një feje.
Ndërsa tarikati është një rrugë shpirtërore, brenda një feje, zakonisht me karakter mistik, që e vë theksin në përvojën e brendëshme të besimit (në përvojën e brendëshme shpirtërore të njeriut) dhe edukimin shpirtëror.
Në tarikate, udhëheqësit shpirtërorë janë gjyshi, shehu, babai dhe dervishi. Në islam tarikatet janë rrugë të sufizmit, të cilat synojnë që botën ta njohin përmes përjetimit të brendshëm.
Bektashizmi si tarikat
Bazuar në burimet filozofike të bektashizmit del se bektashizmi përfaqson një tarikat, një rrugë të brendëshme formimi shpirtëror, ku theksi vendoset tek përvoja mistike, përmirësimi moral dhe dashuria universale.
Tarikati synon transformimin e individit përmes përmirësimit shpirtëror dhe sjelljes etike. Kjo e bën bektashizmin më shumë një udhë , se sa ndarje, më shumë një proçes ndriçimi të brendshëm, sesa strukturë formale besimi.
Në planin institucional çdo bashkësi fetare organizohet në struktura, rregulla dhe hierarki. Edhe bektashizmi ka teqetë, klerikët dhe organizimin e vet. Por në planin filozofik thelbi i tij nuk qëndron te struktura por te rruga e brendëshme që ndjek besimtari.
Këtu qëndron dallimi thelbësor. Një sekt mund të përkufizohet nga kufijtë doktrinorë që e ndajnë nga të tjerët, ndërsa një tarikat përkufizohet nga rruga shpirtërore transformuese e vetëdijes së individit, që do të thotë – si tarikat sufist, bektashizmi nuk e vendos theksin te dallimi nga të tjerët, por te afrimi me të vërtetën përmes dashurisë universale, tolerancës, mirëkuptimit dhe edukimit moral. Prandaj burimi i tij filozofik nuk gjendet vetëm në tekste apo në rregulla, por në udhëtimin e brendshëm të njeriut drejt përmirësimit shpirtëror.
Kulti ndaj Abaz Aliut nuk përbën adhurim hyjnor
Në traditën bektashiane Abaz Aliu, nipi i Imam Aliut dhe i biri i imam Hysenit, konsiderohet një figurë e shenjtë, simbol i trimërisë, sakrificës dhe drejtësisë.
Bektashizmi, si besim fetar, mbështetet në besimin monoteist, në një zot të vetëm, që është Gjithësia – Zot, si pasojë nderimi i figurave të shenjta nuk barazohet me adhurim hyjnor.
Prandaj kulti (nderimi) i Abaz Aliut nuk përbën adhurim hyjnor (apo shpalljen e tij perëndi), por vetëm respekt ndaj një figure simbolike që mishëron virtyte shpirtërore dhe morale, respekt ndaj një simboli që mishëron sakrificën, drejtësinë dhe përkushtimin ndaj të mirës.
Në këtë kuptim pelegrinazhi në Malin e Tomorrit i shërben përmirësimit shpirtëror të individit dhe afrimit me besimin bektashi.
Kultet nuk e shpëtojnë njeriun nga vuajtjet
Vuajtja është pjesë e përvojës njerëzore. Në bektashizëm vuajtja nuk shihet thjesht si ndëshkim apo fat i keq, por si pjesë e rrugëtimit shpirtëror të njeriut. Njeriu në jetë përballet me sprova që e pasurojnë me përvojë dhe e bëjnë më të vetëdijshëm.
Kulti ndaj Abaz Aliut, ashtu si kultet në përgjithësi të këtij besimi, nuk e çliron njeriun nga vuajtjet, me ndërhyrje të mbinatyrshme, nuk synon shpëtim magjik, por vetëm i jep atij forcën e brendëshme për ti përballuar ato.
Shpëtimi nga vuajtja në bektashizëm është proçes ndërgjegjësimi dhe edukimi moral. Në këtë qasje del se bektashizmi nuk është thjesht një traditë ritesh apo një kult figurash të shenjta, por një udhë e brendëshme që forcon vetëdijen e njeriut.
Për sa më sipër pyetjet – nëse nderimi i figurave të shenjta përbën adhurim, nëse pelegrinazhi shpall dikë perëndi, apo nëse kulti e shpëton njeriun nga vuajtjet marin një tjetër dimension.
Ato nuk kërkojnë përgjigje të thjeshta dogmatike por një kuptim më të thellë të bektashizmit si tarikat. Sepse, nëse bektashizmi është rrugë e brendëshme ndriçimi atëhere thelbi i tij nuk qëndron te forma e jashtme, por te transformimi i ndërgjegjes.
Nderimi nuk është hyjnizim, pelegrinazhi nuk është shpallje perëndie dhe shpëtimi nuk është shmangie e vuajtjes, por, siç përmëndëm më sipër, kapërcimi i saj përmes vetëdijes dhe reflektimit të brendshëm, drejt harmonisë shpirtërore.
Dallimet doktrinore ndërmjet Bektashizmit, islamit dhe Krishterimit
Bektashizmi, Islami suni dhe Krishterimi ofrojnë qasje të ndryshme, për të lidhur njeriun me zotin. Bektashizmi është një rrugë mistike që që i afron njerëzit te zoti përmes zemrës dhe shpirtit. Ai përdor simbole dhe mësime alegorike, duke e parë besimin si një udhëtim shpirtëror.
Islami suni, nga ana tjetër, i kushton rëndësi zbatimit me përpikmëri të rregullave dhe ritualeve, duke e kuptuar besimin si përmbushje të normave të përcaktuara dhe detyrimeve fetare.
Krishterimi, ndërkohë, thekson shpëtimin përmes Krishtit , sakramenteve dhe liturgjisë së kishës (shërbimi fetar i përbashkët), ku hierarkia kishtare dhe ritet formale luajnë rol qëndror në lidhjen e besimtarit me Zotin.
Në këtë mënyrë Bektashizmi i afrohet besimit në mënyrë më të brendëshme dhe mistike, Islami suni në mënyrë normative dhe ligjore, ndërsa Krishterimi e sheh shpëtimin përmes besimit dhe praktikimit të sakramenteve (Sakramentet janë rite të shenjta që lidhin besimtarin me Zotin).
Haxhi Bektashi dhe Naim Frashëri – Zoti i pranishëm te njeriu, në natyrë dhe kudo
Haxhi Bektash Veli dhe Naim Frashëri bashkohen në idenë se zoti nuk është i largët apo i kufizuar në vende të shenjta, por është i pranishëm te njeriu, në natyrë dhe kudo. Të dy e shohin zemrën e pastër si vendin ku njeriu mund ta ndjejë dhe ta kuptojë Zotin.
Tek Haxhi Bektashi kjo prani përjetohet në mënyrë mistike, si bashkim shpirtëror me Zotin, ndërsa tek Naimi ajo shfaqet përmes moralit, dashurisë dhe veprave të mira. Po ashtu, natyra, drita, qielli, gjelbërimi – shihen si pasqyrë e bukurisë dhe madhështisë së Zotit.
Pra ata nuk e kufizojnë Zotin vetëm në rituale apo ndërtesa fetare. Sipas tyre Zoti shfaqet në dashuri, në mirësi, në drejtësi dhe në bukurinë e botës ku jetojmë. Ata bashkohen në bindjen se Zoti është kudo dhe se njeriu e gjen atë (Zotin), përmes zemrës dhe pastërtisë shpirtërore.
Haxhi Bektashi ka lënë shumë sentenca, një nga të cilat është edhe ajo që i ka thënë mbretit Orhan të Turqisë: “Po të jesh shpirtërisht me mua, je pranë meje edhe sikur të ndodhesh në Jemen. Po të mos jesh shpirtërisht me mua, je në Jemen edhe sikur të ndodhesh pranë meje”.
Haxhi Bektashi dhe Naim Frashëri, duke thënë se Zoti ndodhet pranë njeriut dhe jetës së përditëshme, nuk thonë se Zoti ndodhet fizikisht në tokë, por flasin në mënyrë mistike dhe simbolike.
Në traditën fetare Zoti përfytyrohet lart në qiell, i ndarë nga bota ku jetojmë, ndërsa për Haxhi Bektashin dhe Naimin ai është i pranishëm në zemrën e njeriut, në dashuri, në natyrë, në dritë (dije) dhe në moral.
Pra ata e zbresin Zotin nga një ide e largët qiellore dhe e bëjnë të ndjehet në jetën e përditëshme të njeriut. Në thelb ata e afrojnë Zotin tek njeriu, duke theksuar se ai nuk është vetëm lart dhe larg (trashendent), por dhe prani, brenda dhe rreth nesh (imanent).
Në këtë mënyrë ata nuk e mohojnë transhedencën e Zotit, por e plotësojnë atë me një kuptim më të thellë të pranisë së Tij te njeriu dhe në natyrë.
Haxhi Bektashi nuk njihet si poet, por mësimet e tij janë përcjellë në mënyrë poetike dhe sentenca mistike nëpërmjet traditës bektashiane. Ja disa vargje që i atribuohen atij: “Mos kërko Zotin në qiell, Kërkoje në zemrën tënde, Ai është më pranë se fryma”, ose “Ai që njeh veten, njeh Zotin, Ai që do njeriun, do krijuesin, … Mos lëndo asnjë zemër, se zemra është shtëpia e zotit, …Dija është dritë dashuria është udhë”.
Këto vargje shprehin thelbin mistik të mësimit bektashian, sipas të cilit Zoti nuk është i largët, por i pranishëm në zemrën e njeriut dhe në dashurinë për tjetrin.
Bektashizmi – Ndikimi i tij në zhvillimet shoqërore dhe kulturore
Bektashizmi ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore dhe kulturore, sidomos në hapësirën shqiptare. Si një rrymë mistike me theks te toleranca, humanizmi dhe barazia ndërmjet njerzve, ai ka ndikuar në krijimin e një fryme bashkëjetese dhe mirëkuptimi midis komuniteteve të ndryshme fetare.
Gjatë Rilindjes Kombëtare, përmes teqeve dhe veprimtarisë së klerikëve të tij, bektashizmi u bë edhe një vatër e përhapjes së dijes dhe kulturës, gjuhës e shkrimit shqip. Kjo frymë dhe veprimtari, e mbështetur në devizën se pa atdhe nuk ka fe, ka kontribuar në formimin e mendimit kombëtar dhe të dashurisë për atdheun.
Naim Frashëri dhe figura të tjera të rëndësishme të kulturës shqiptare në veprat e tyre e lidhën besimin me përgjegjësinë ndaj kombit dhe gjuhës shqipe. Në këtë kuptim deviza “pa atdhe nuk ka fe” shpreh idenë se ruajtja e atdheut, gjuhës dhe kulturës është detyrim moral e shpirtëror për besimtarin bektashi.
