E kemi bërë të njohur edhe herë të tjera në platformën mediatike “Orakujt e Tomorrit”. Banon në fshatin Jagoll të Kërçovës, është mësues veteran, shumë i njohur në trevat shqipbanuese dhe shqipfolëse të Shqipërisë matanë kufirit, të quajtur Maqedoni e Veriut.
Me skraparllinjtë dhe “Orakujt e Tomorrit” ka një lidhje tepër të ngushtë shpirtërore, pasi është një nga nxënësit e Mësuesit të Popullit dhe Qytetar Nderi i Kërçovës, Pertef Therepelit nga Skrapari, i cili, prej vitit 1940, bëri gjithë jetën e tij aktive deri sa vdiq në Jagoll të Kërçovës.
Profesor Nazifi, siç i thërrasin të gjithë në atë trevë, është nga ata njerëz, që më shumë se sa prindërit dhe të afërmit e tij në varreza, nderon dhe respekton mësuesin e tij.
Ne skraparllinjtë duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës për këtë.
Nazifi, me një biografi të pasur si misionar i arsimit në trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veç si mësues, ka një veprimtari të admirueshme edhe si studiues dhe hulumtues i trashgimisë kulturore të popullit, por edhe si krijues.
Më më poshtë po botojmë një cikël poetik nga krijimtaria e tij.
Nostalgji
S’jam poet e s’di të shkruaj,
bashkë dy vargje s’i bëj dot,
po ç’t’i bëj k’saj zemrës sime,
m’kullon gjak e syri lot.
M’kujton ditët e rinisë;
vendi vlonte nga rinia,
gra e burra n’fushë e ara,
e n’shulla zbardhte bagëtia
E do shokë të asaj kohe,
se ç’u tretën nuk e di.
Thurnim ëndrra djaloshare
për atdhe e për liri.
Dielli lind si nga moti,
hëna natën zbukuron,
e një mjegull para syve,
hapi hapin ç’e rëndon.
Doruntina del te kroi:
Ku je vëlla, ku mbeti fjala?
Nëntë vjet nënën pa e pa,
qyqe mbeti n’vrri e thana.
Gjergjelez pash qiell e dhe!
Çohu bre burr se u bë nami!
Sot po shkelet nder i motrës,
nder’i kombit e vatanit.
Ju vëllaznit që ngritët ura
skaj më skaj e n’dhe të huaj,
kur e ngritët themelurën
vallë ku mbeti besa juaj?
A qe ëndërr a e vërtetë,
kjo që thashë kush me e ditë.
A qe veç një kometë
netëve t’errëta që bën dritë?
Ëndërr kurbetqari
Kur të vij babi në shtëpi
Voglushët e mi
Ç’tju sjelli babi vallë
Nga një fustan me pika
Apo top të larmë
Mos doni këpucë të reja
Për flokët nga një trëndafil
Nga një orë të vockël
Apo çorapë jeshil
Babi ynë i dashur
Ç’të themi më pare
I duam të gjitha vallë
Por kur të vish
Do të puthim
Në sy
Faqe
E ballë
Dhe s’duam gjë tjetër
Por, të vish
Të vish
Sa më parë!…
Nënë
Kush i dha diellit dritën
Kush i jep ngrohtësinë
Këngë bilbilit, aromë lules?!
Ajo është fjala nënë
Fjala nënë, s’është veç fjalë
Është një zemër sa një mal
Mall’ e dhimbë sa vetë mali
Është vetë jeta që na fali
Është dora që na rriti
Shpirti i saj që na ndriti
Pëllumb paqeje e mirësisë
Nëna, zemër e njerëzisë
Kur kem’ mirë e kur kem’ keq
Del nga shpirti si ofshamë
Aq e dlirë, aq e ëmbël
Si gjaku që vlon në zemër!
Unë e ti Kosovë
Kapërdijmë male e gatuam dheun, me duar e parmendë,
Dhe shtruam sofrën edhe për mikun
Ngritëm kulla e oxhaqe, të mbajmë ndezur kandilin e jetës
E frangji me grykëpushke për armikun
Patëm shumë netë të zeza e të gjata
Të errëta pus si fundi i ligësisë
Por ti Kosovë kurrë s‘u dorëzove
Kokëlartë qëndrove shtigjeve të histories
Dhe hidheshin hordhitë me gjysmëhëna e kryqe
Lotonin diell e hënë nga mizoritë
E kullat tona rrënjëthella e kulmqiella
Të ngurta e të forta
Me syrin shkëndi, e n‘zemër yllin e lirisë
U bënë tmerr‘i mizorisë
Dhe rishtas shqipet kokë më kokë
Nënëloket përkundin djepat e djelmërisë
Ju hiena e zvarranikë, kujdes kur t‘shkelni në tokën arbërore!
Ka zot ky truall i Ilirisë!
Kosovë, urime ditën e pavarësisë!
Brenga e bylbylit
Një bylbyl në degë të lisit
Se ç’ja thotë këngës me vaj
Diç po thotë se lulja e fisit
S’po më flet me gjuhë të saj.
Bekoi Zoti trëndafilin
Me aromë e bukuri
Blegërimën i dha qengjit
E shqiponjës madhështi
Zogjtë e shqipes ngado jeni
Dhe e lat vatanin shkret
Gjuha e nënës që ju rriti
Si mallkim do të ju ndjekë
Prijësi i fisit shqip ju foli
Zoti bekoi gjuhën tuaj
Mos ia ktheni kaq shpejt shpinën
Po sa të shkelni në dhe t’huaj
Mos t’ju verbojë pasuria
Se vatani ju kërkon
Gurë e lis në vendin tuaj
Natë e ditë për ju rënkon
Ti bylbyl thueja këngës
Me gëzim e me hare
Kur t’thërret zëri atdheut
Bijtë e shqipes këtu i ke!
Jagoll – Kërçovë, 2023 – 2026
