Naim Frashëri, reformatori i vetëm dhe unik që lidhi bektashizmin me shqiptarizmin

Naim Frashëri, reformatori i vetëm dhe unik që lidhi bektashizmin me shqiptarizmin

 

 

Nesim Alushani

 

 

Nuk ka dyshim se bektashizmi ka ndikuar në zhvillimin e shqiptarizmit duke përhapur frymën e tolerancës, humanizmit dhe dashurisë për atdheun.

 

Historia tregon se në shumë teqe bektashiane, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, u kultivua jo vetëm jeta shpirtërore, por edhe gjuha dhe kultura shqiptare.

 

 

Duke folur për lidhjen midis bektashizmit dhe shqiptarizmit, studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo shkruan:

“Naim Frashëri është i pari reformator shpirtëror dhe fetar që e lidhi bektashizmin me shqiptarizmin, por pa cënuar karakterin universal botëror bektashian. Bektashizmi i lidhur me shqiptarizmin ka një kontribut themelor në lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, sepse bektashianët kanë qënë atdhetarë nga më të shkëlqyerit në të gjitha kohërat. Feja e tyre me parime shumë të larta morale, i ka bërë ata të jenë shumë të qartë dhe të mrekullueshëm në luftën për ringjalljen dhe ndriçimin mendërisht dhe shpirtërisht të Shqipërisë”.

 

Për të argumentuar këtë përfundim Moikomi e nis analizën me “Tragjedinë e Qerbelasë”.

 

“Historia e Qerbelasë është një nga historitë më të mëdha të botës. Kjo tragjedi ka ndikuar në fantazinë e popujve të Lindjes ashtu siç ka ndikuar Lufta e Trojës në letërsinë e Ballkanit dhe të Europës.

 

Por epos poetik, me mijëra vargje, për këtë tragjedi, për më tepër në gjuhën shqipe, ka shkruar vetëm Naim Frashëri ynë.

 

Qerbelaja është fusha ku  u masakrua imam Hyseni, djali i lavdishëm i Imam Aliut, me 72 veta madje dhe disa foshnja. Tragjedia e Qerbelasë e ndau botën islamike dhe arabe në dy pjesë të mëdha, në pjesën vazhduese profetike të Muhametit dhe Imam Aliut, një republikë fetare, të quajtur bota e kalifëve të drejtë dhe, nga ana tjetër, në pjesën e botës të autokratizmit të Muavisë sipas modelit bizantin të kohës”.

 

 

Sipas burimeve historike, pas vrasjes, me pabesi, të kalifit Imam Ali, në v.661, kalif u shpall djali i tij, Imam Hasani, por për të shuar luftën dhe gjakderdhjen disa vjeçare, ai hoqi dorë nga pushteti dhe me marëveshje kalif u shpall Muavia (661), guvernatori i Sirisë, i cili themeloi dinastinë Umajade.

 

Kjo periudhë shënon kalimin nga kalifati zgjedhor në një sistem dinastik. Pas vdekjes të Muavisë, në vitin 680, pushtetin e mori djali i tij, Jazid, duke e kthyer modelin e zgjedhjes të kalifit nga zgjedhje me konsensus, në model dinastik. Jazidi kërkoi që figura të rëndësishme ta njihnin si kalif, por Imam Hyseni, djali i Imam Aliut dhe nipi i Profetit Muhamet, refuzoi ta njohë pushtetin e tij, duke e konsideruar të padrejtë dhe jo legjitim.

 

Kjo gjë solli si pasojë tragjedinë e Qerbelasë. Për të shmangur përplasjen në Medinë (qëndra e shtetit Islam) Imam Hyseni me familjen, dhe një grup të vogël pasuesish u nis për në Kufa të Irakut (të sotëm), ku e prisnin mbështetësit e tij.

 

Gjatë rrugës, pranë lumit Eufrat, ata u rrethuan nga forcat ushtarake të Jazidit dhe, pasi u privuan për disa ditë nga uji, u sulmuan dhe u vranë.

 

 

Morali i Qerbelasë dhe Naim Frashëri

 

 

Historia e Qerbelasë quhet tragjedi pasi një përplasje politike përfundoi me masakër. Aty u vranë  Imam Hyseni me familjarët dhe mbështetësit e tij.

 

Ngjarja u bë simbol i sakrificës kundër padrejtësisë. Në traditën shite Qerbelaja përfaqëson kulmin e martirizimit dhe qëndresës morale. Në analizën e tij

 

Moikom Zeqo shkruan:

Këtu nisi ndarja e madhe që vazhdon edhe sot për të dalluar të drejtën nga e padrejta. Janë shitët që kanë bërë që të mbijetojë koncepti botëror i moralit të Qerbelasë. Pikërisht këtë thelb kanë ruajtur dhe mbrojnë bektashinjtë shqiptarë e botërorë.

Naim Frashëri nuk mund të rrinte indiferent ndaj këtij thelbi. Ai bëri një novacion tejet të rëndësishëm, madje të pashembullt. Ai e shqiptarizoi subjektin e Qerbelasë dhe heroin luftëtar, kalorësin e fuqishëm, Abaz Aliun, një vëlla binjak të Hektorit homerik, duke e ndërlidhur me malin baba të shqiptarëve, Tomorrin shkëlqimtar dhe të pazëvendësueshëm”.

 

 

Naim Frashëri e lidhi figurën e Abaz Aliut me malin e Tomorrit, duke e shndërruar këtë mal në një simbol   të fuqishëm shpirtëror dhe njëkohësisht kombëtar për shqiptarët.

 

Në këtë mënyrë, besimi shpirtëror ndërthuret natyrshëm me dashurinë për atdheun, duke krijuar një lidhje të thellë midis identitetit shpirtëror dhe atij kombëtar.

 

Kjo ide shprehet qartë në vargjet e tij te Lulet e Verës. “Abaz Aliu zu Tomorrë, erdhi afër nesh, Shqipëria s’mbet e gjorë, Se Zoti e desh”.

 

 

Në vazhdim të kësaj ideje, studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo thekson se kjo lidhje, midis besimit dhe atdheut, përbën një element të rëndësishëm të simbolikës poetike të Naim Frashërit.

 

Në analizën e tij ai shkruan:

 

“Vetëm Naimit mund ti shkonte në mëndje që rezistencën në Qerbela ta konvertonte në Krujë shqiptare të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Martirët e Qerbelas u sakrifikuan për liri dhe drejtësi.

Termopilja e Qerbelasë është ringjallja e lirisë për Shqipërinë, të masakruarit e Qerbelasë kapërcejnë hapësirat gjeografike.

Ndonëse autorët e tragjedisë janë islamikë, siç ishte vetë feja shtetërore e turqve, prapseprapë Naim Frashëri nuk ngurron që këtë tragjedi  ta kthejë në një frymëzim të shqiptarëve kundër pushtuesve turq.

 

Dhe Naimi ia ka arritur madhërisht, deri në fund këtij qëllimi kombëtar”.

 

 

 

Bektashizmi krijon të vetmen rrugë bashkimi për të tërë shqiptarët

 

Filozofia e Bektashizmit mbështetet mbi parimin e dashurisë universale dhe të harmonisë midis njerzve pavarësisht përkatësisë fetare.

 

Në këtë frymë studiuesi erudit Moikom Zeqo thotë se bektashianët përfaqsojnë një rrugë bashkimi për shqiptarët duke ndërtuar ura mirëkuptimi me të gjitha fetë e tjera.

 

Ja si shprehet ai: “Bektashianët, jo vetëm që krijojnë të vetmen rrugë bashkimi për të tërë shqiptarët, të cilët kanë fe të ndryshme, (çka nuk e bën dot asnjë fe tjetër në Shqipëri), por nga ana tjetër janë komuniteti fetar, që krijon lidhjet, pa asnjë paragjykim, në mënyrë të barabartë, me besimin te Zoti, për të gjitha fetë e tjera të njerzimit. Me mijëra janë librat studimorë për këtë çështje dhe është e habitshme se të gjithë librat janë afirmative dhe entuziastë për bektashizmin”.

 

 

Komuniteti bektashian është pasuri e njerëzimit

 

Me frymën e dashurisë universale dhe të tolerances fetare komuniteti bektashian nuk është vetëm një realitet shqiptar, por një pasuri për mbarë njerzimin, sepse në thelb ai mbart një filozofi që nxit mirëkuptimin, bashkimin dhe respektin midis njerzve me besime të ndryshme.

 

 

Ja si shprehet  Moikom Zeqo:

 

“Mbas vitit 1920, kur Ataturku e shkatërroi bektashizmin në Turqi, qëndra e bektashizmit u bë Shqipëria. Shqipëria sot është kryeqëndër e bektashizmit botëror.

 

Ky është një nder jashtëzakonisht i madh dhe një nga mrekullitë më të habitshme  të kombit shqiptar në rrafshin e gjithë njerëzimit.

 

Komuniteti bektashian, me qëndër në Shqipëri, është një pasuri e njerëzimit, prandaj duhet ndërhyrë pranë UNESCO-s, që ashtu siç është shpallur pasuri e njerëzimit dhe mbrohet me ligj e financohet, për të mbijetuar, feja e Tibetit e Dalai Lamës, ashtu duhet trajtuar, me të njëjtin status, si pasuri e njerzimit edhe bektashizmi.

 

Historia do ta provojë në të ardhmen se bektashizmi ka rrënjë të thella në kombin shqiptar dhe do të lulëzojë.

 

Nuk është e rastit që kryeprijësi ynë shpirtëror i shqiptarizmit dhe bektashizmit, Naim Frashëri, e ka lënë të amshuar testamentin e tij për të gjithë ne”.

 

 

 

Moikom Zeqo – një naimian në mendim dhe frymë

 

 

Libri “Syri i Tretë – Naim Frashëri dhe Bektashizmi” i Moikomit dhe ideja e tij për shpalljen e bektashizmit si pasuri të njerëzimit, si dhe vlerësimi se bektashizmi përbën një rrugë bashkimi për të gjithë shqiptarët, shprehin qartë lidhjen ideore midis tij dhe vizionit të Naim Frashërit.

 

Në këtë këndvështrim, kjo lidhje ideore shfaqet si një vazhdimësi shpirtërore në mendimin shqiptar.

 

Naimi e lidhi filozofinë bektashiane me shqiptarizmin, duke e shndërruar atë në një burim frymëzimi për dashurinë ndaj atdheut dhe për qëndrimin atdhetar.

 

Moikom Zeqo, duke e interpretuar dhe thelluar këtë trashëgimi, dëshmon një afërsi të veçantë me vizionin e Naimit, duke u shfaqur kështu si një naimian në mendim dhe frymë. Përmes këtij dialogu shpirtëror ndërmjet dy mendimtarëve të mëdhenj, bektashizmi paraqitet jo vetëm si një traditë fetare, por edhe si një forcë kulturore e atdhetare për shqiptarët.

 

Raporti ideor midis Naimit dhe Moikomit na kujton se dijet, toleranca dhe dashuria për kombin janë një dritë që frymëzon çdo brez shqiptar.