Një jetë me nder dhe dinjitet, që ia vlen të kujtohet

Një jetë me nder dhe dinjitet, që ia vlen të kujtohet

 

 

Po bën një vit që Petrit Pëllumbi është ndarë nga jeta, duke lënë pas gjurmë të pashlyera dhe kujtimin e tij të paharruar të një njeriu të ndershëm, të sjellshëm, punëtor, fisnik dhe shumë të kulturuar.

 

Petriti vinte nga një familje e njohur, bujare, me njerëz të shkolluar dhe kulturë tradicionale.

 

I ati i tij, Qemal Nishica (Pëllumbi) kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës dhe kishte punuar në fillim si kryetar komune në Voskopojë dhe në Potom. Më pas emërohet në detyra të larta të administratës së kohës në Prefekturën e Beratit, Fierit dhe të Skraparit.

 

Fëmijët e Qemalit, Ferdiu, Petriti, Ylli, Bashkimi dhe Arta, Neza ecën në gjurmët e të atit. Megjithëse shiheshin vëngër nga regjimi socialist, për shkak të prejardhjes së tyre nga klasat e pasura, ata ulën kokën dhe punuan me ndershmëri dhe përkushtim kudo që u ra puna.

 

 

Petriti ishte djali i dytë i Qemalit. Kishte lindur në Nishicë, më 12 gusht të vitit 1936.  Frut i martesës me së tij me Idajete Pëllumbin janë tre fëmijët e tyre Mimoza, Bimi dhe Rolandi, të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe vazhdojnë rrugën e të atit dhe të të parëve të tjerë të kësaj familje të nderuar.

 

Ka punuar kryesisht në ndërmarrjen e ndërtimit si brigadier, normist, kryetar i Degës së Planit dhe së fundi, në vitet e demokracisë, si drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit. Për aftësitë e tij tekniko-profesionale i është dhënë titulli inxhinier asistent dhe është dekoruar me urdhër pune të Klasit të Dytë.

 

Iku nga kjo jetë, me nder dhe dinjitet, ashtu edhe siç ishte, më 12 prill 2025.