Dokumente që botohen për herë të parë

Dokumente që botohen për herë të parë

 

Gjergj Qafoku

 

Më vjen keq, por është fakt, që periudha e Luftës së Parë Botërore për Skraparin, është fare pak e studiuar dhe e ndriçuar.

 

Ka figura të shquara, që, me veprimtarinë e tyyre patriotike, kanë bërë emër në atë kohë dhe që meritonin të shënoheshin në faqet e historisë së Skraparit por edhe në atë kombëtare. 

 

Ndërkohë në kërkimet e mia arkivore kam lexuar shumë shkrime dhe emra “patriotësh”, që fatkeqësisht nuk gjenden ende në asnjë shkrim apo dokument arkivor të kohës.

 

 

Më poshtë po paraqes për here të pare disa dokumente të viteve 1914 – 1915:

 

 

***

 

 

Qysh në muajin janar kemi zhvillime. “Themistokli Gërmenji thirret në Vlorë dhe emërohet me detyrë të veçantë, të krijonte një korpus me vullnetarë e të hynte në Kolonjë e në Korçë.

 

Mbërriti përsëri më Skrapar dhe organizoi një forcë prej 500 vetëdashësish (kështu quheshin vullnetarët në atë kohë), dhe për të kryer misionin zgjodhi pak veta.

 

Më 11(24) janar Themistokliu kaloi një natë në Backë e prej andej në Panarit për t’u bashkuar me Sali Butkaën”. (“Themistokli Gërmenji”, Piro Tako, fq 150. v 1988).

 

Në detyrën e nënprefektit u caktua Iliaz Qafoku (Dervish Iliazi).

 

 

Andratët grekë qysh në prill 1914 mbas hyrjes në Frashër, u futën edhe në territorin e Skraparit.

 

 

“Kostë Beçorri mbas barbarive në Koprënckë, shkon në Vërzhezhë, dhe aty u prit nga shqiptarët e atij fshati, hëngrën, pinë me mishra të pjekur dhe me të tëra të mirat. Kish vajtur vet i katërt.

 

Greku e ka zakon të ç’nderoji. I zoti i shtëpisë kishte një vajzë dhe ai kërkon ta merrte me vete të shtynte kohën. I ati ja kuptoi planin, dërgoi djalin të lajmëronte fshatin…

 

E qëlluan në lule të ballit.

 

Kostë Beçori ra si një ka dhe thirri: “Me efegan i allvani”}, që do të thotë “Më hëngrën shqiptarët”. (Kosta Papa Tomorri: Barbaritë greke në Shqipëri, botimet ” Naimi”, viti 2012).

 

 

Në maj 1914 andartët grekë hyjnë në Çepan, Rog, Çorovodë, Rovicë, Vëndreshë…

 

 

Mbas tërheqjes së andratëve grekë në fund të vitit 1914 fillim viti 1915, shpërtheu lëvizja antiesadiste, e kjo lëvizje mori përmasa të gjerë, ku veç Skraparit përfshiu edhe Tomorricën, dhe kërcënonte edhe qëndrën e Prfekturës, Berat.

 

 

“Në krye të kësaj lëvizje ishin:

 

Ali Koprëncka, Sakoll Radëshi, Asllan Çepani, Riza Vlusha, Ali Çipjani, Hysni Vëndresha, Gani Vërzhezha, Pasho Hysi, Xake Backa etj. Numri i të arratisurëve ishte shtuar shumë. Në ditët e para të vitit 1916 u shtua edhe me 40-50 vetë.

 

 

Çeta e Sakull Radëshit ishte rritur shumë” (G. Shpuza Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme 1914-1915, fq 419, borim v 1986).

 

Një ditë të enjte, ditë pazari u bë një miting në Çorovodë.

 

Mbas këtij mitingu:

“U kërkua të mos njiheshin autoritet civile dhe ushtarake të Esadit dhe të mos njiheshin urdhërat e tyre. Rreth këtij propzimi u bashkua gjithë populli i Skraparit dhe Tomorricës,

 

Mbas kësaj mbledhje u larguan të gjitha autoritetet, me përjashtim të nënprfektit, u prenë linjat telegrafike me Beratin dhe u ngrit flamuri kombëtar.

 

Çeta e Sakulit, e cila ishte rritur në 200 veta zbriti në qëndrën e nënprefekturës”. (AQSH f. 866, rraport i nënprefektit të Skrapar Iliaz Qafoku d.v drejtuar prefektit Berat).

 

 

Kundër kësaj lëvizje mjaft aktiv u tregua prefekti i Berati, Sami bej Vrioni, që ishte kunati i Esat Toptanit.

 

Ai i dërgon telegram nënprfektit të Skraparit: Dervish Eljaz efendiut:

 

 

” ….. duhet të ecni në udhë të Xhelal beut e ti epni porosi të vëllait të tij, Aliut e disa të tjerëve  se asgjë nuk përouthet me rrjedhën e politikës, …dhe se turbullirat në Skrapar e Tomorricë mund të rrezikonin Shqipërinë”. (AQSH, fondi 886, k2 d 12 76212, telegram i S Vrionit drejtuar Dervish Eljaz efendiut 9/ 01/ 1915).

 

 

Prefekti i Berati i shkruante më vonë popullit të Skraparit:

 

“Flamuri i Shqipërisë nuk ngrihet me duart e përgjakura e të egra të Sakulit në vëndin e tij të lartë, Heronjtë e atij flamuri janë të tjerë persona”.

 

 

Prefekti i Beratit, mbështetur nga forcat e Esadit, hyri në Skrapar dhe ushtroji terror mbi popullin, duke djegur shtëpitë e varur djemtë e Skraparit –  shkruante shtypi demkratik më vonë – pse përpiqeshin me flamurin kombëtar” (Gazeta “Shqiptari i Amerikës”, viti 2. Nr. 64, 19/12/1923).