Një mësues që nuk u plak kurrë

Një mësues që nuk u plak kurrë

 

Dashnor Dosti

 

Adili ishte mësues i ri. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme pedagogjike. Plot me dëshira e idealizëm në profesionin e tij. Që nga koha e bangave të shkollës ëndërronte se si bashkë me nxënësit e tij të ardhshëm, të arrinte ato rezultate që shpesh herë i kishte përmendur gjatë praktikës pedagogjike që zhvillonte kur ishte nxënës i pedagogjikes së Elbasanit.

 

 

Si mësues i ri ishte këmbëngulës në punën e tij dhe kërkonte gjithnjë e më shumë prej nxënësve të vet.

 

Edhe sot që është një mësues pensionist, vazhdon të ndihet si një mësues aktiv, kryesisht me nipat e mbesat e tij.

 

 

Unë e kam njohur Adilin në vitet kur isha drejtor i Zyrës Arsimore. Kishte kohë që e kishte ndërtuar jetën e tij në Strorë, një fshat i njohur për këngëtarë e punëtorë. Njëri prej tyre ishte edhe Adili që më shumë shquhej për punë se sa për këngë. Jo vetëm si një mësues i talentuar, por edhe si një bujk shembullor që vazhdon ende dhe sot.

 

 

Pasi kreu ushtrinë punoi në disa fshatra të Skraparit, derisa u sistemua përfundimisht në Strorë, në shkollën vartëse të Ciklit të Ulët, e cila varësinë e kishte nga shkolla e Dobrushes, ndersa me pas nga ajo e Verzhezhes…

 

Adili ka një përvojë 46 vjeçare si mësues, nga të cilat 41 vjet i ka në fshatin e tij.

 

Pas njohjes sonë, në të rrallë ne e pinim së bashku ndonjë kafe, apo edhe ndonjë gotë raki, kryesisht të shtunave, në Çorovodë, ditë e cila në ato vite ngjante me një ditë peligrinazhi. Të shtunave në fshatra mbeteshin fare bak banorë. Edhe në fshatrat më të largët shumica bujtnin në qytet, për të ndjekur traditën e ditës së pazarit.

 

 

Pikërisht në këto të shtuna shumica e jonë paraditën e kalonte nëpër grupe rastësorë apo të programuar, lokaleve të shumtë të qytetit, ku tirreshin biseda pa fund, të rëndësishme apo kalimtare, profesionale apo politike, biseda që sot tregoheshin e të shtunën  tjetër përsëriteshin, ndonjëherë përpunoheshin, apo edhe ndryshoheshin, në varësi të humorit të rrëfimtarit.

 

 

Duhet të ketë qenë ndonjë e shtunë e tillë, kur Adili, i ndodhur në tavolinën tonë si mysafir, na tregoi një rast kur punonte në Kapinovë. Ishte viti 1973. Ishte kthyer më këmbë nga Kapinova në Strorë për një sebep familjar.

 

 

7 orë rrugë e të nesërmen ishte nisur në orë 4 të mëngjesit me një ecje gjysëmvrap, për të kapur fillimin e mësimit në orë 8:00.

 

Aty mendohet paksa e na thotë:

Prisni se kam një më të bukur dhe na tregoi historinë e mëposhtme, të cilën unë e kisha harruar plotësisht, por pikërisht sot ma rikujtoi përsëri po ai, me anë të një publikimi të thjeshtë në faqen e tij të fejsbukut.

 

 

-Isha ende mësues i ri, – ia filloi Adili.  Zhvilloja lëndën e leximit në klasën e dytë. Pjesa që po u jepja nxënësve ishte një tregim i shkurtër, i titulluar “Beu”, i cili bënte fjalë për gjendjen e vështirë të popullit tonë në kohën e Zogut. Ideja e tregimit ishte që nëpërmjet tij fëmijët të kuptonin se sa të varfër e të kequshqyer ishin fëmijët në kohën e Zogut e sa të lumtur ishin ata në vitet e socializmit.

 

 

Unë, – vazhdoi Adili, – isha duke bërë leximin e pjesës dhe në një moment po lexoja me zë të lartë se në ato kohë populli ushqehej shumë keq, hanin bukë me gjizë e turshi… Në atë moment, ndërsa vazhdoja leximin, dëgjova psherëtimën e drojtur të njërit prej nxënësve: “Ah sikur të kisha pak gjizë”.

 

 

Ishte kjo një dëshirë, një kërkesë, apo një akuzë ndaj sistemit? Nuk e di. Nuk e besoj që fëmijët ta mbajnë mend këtë moment, por unë nuk kam mundur kurrë ta harroj, –  përfundoi tregimin e tij mësues Adili.

 

 

Sot Adili ka ditëlindjen!

 

 

Më të shëndetshëm, më të bukur, më të lumtur qofshin për ty vitet që vijnë pas!

 

Një kartolinë nga Dashi dhe miku yt, Zylyftari, si mirënjohës për periudhën që ke qenë në Qafë dhe që ke lënë gjurmë të thella të një njeriu të respektuar dhe të paharrueshëm