Ja pse banorët e kësaj ane e quajnë “një Tomorr tjetër të Shqipërisë”

Ja pse banorët e kësaj ane e quajnë “një Tomorr tjetër të Shqipërisë”

 

Besim Dervishi

 

 

“O Tomor, o mali i lartë, / Malshova të shkon për shtatë, / Ajo ka nxjerrë trima me namë: Jani Vruhon, Spiro Papanë…” – kështu këndon ende një këngë e vjetër në Nahijen e Mali Tomorr.

 

 

Në këto vargje popullore jeton kujtesa e një figure të madhe të Rilindjes Kombëtare shqiptare, një emër që historia shpesh e ka lënë në hije, por që në të vërtetë ka luajtur një rol vendimtar në zgjimin kombëtar dhe në organizimin e shqiptarëve jashtë atdheut: Jani Vruho.

 

 

Rilindasi i madh lindi më 5 gusht 1863 në fshatin Malshovë të krahinës së Tomorit, një vendbanim që dikur shtrihej midis Kapinovës, Peshtanit, Vertopit dhe Drenovës.

 

Sot ai fshat pothuajse është zhdukur nga harta, por dikur ishte një qendër e gjallë me histori të thellë.

 

 

Sipas kujtimeve dhe studimeve lokale, Malshova u ngrit nga banorë të ardhur nga Hormova e Tepelenës, armiq të betuar të Ali Pash Tepelenes, të cilët pasi u përndoqën nga pushteti i tij u larguan drejt Beratit për të kërkuar mbrojtje.

 

Të lodhur nga luftërat dhe nga rruga e gjatë, ata u vendosën në pllajat pranë Tomorit dhe brenda pak vitesh ngritën një vendbanim të vërtetë qytetar: ndërtuan rrugë me kalldrëm, shtëpi të mëdha dhe disa kisha madhështore.

 

Në atë hapësirë përmenden pesë kisha të njohura: Kisha e Shën Thanasit, Kisha e Shën Kristoforidhit, Kisha e Shën Marisë, Kisha e Shën Todrit dhe Kisha e Shën Thanasit të Mesëm. Në mes të tyre qëndronte një lis i madh i quajtur “Lisi i Butë”, simbol që më vonë do të bëhej edhe emri i shoqatës së emigrantëve të Malshovës në Boston të SHBA-së.

 

 

Pikërisht nga ky vend me histori të trazuar doli Jani Vruho, një nga mendjet më të ndritura të Rilindjes shqiptare. Në një kohë kur gjuha shqipe ndalohej dhe arsimi kombëtar konsiderohej krim, ai ndërmori një hap të jashtëzakonshëm: në shtator të vitit 1884, vetëm 17 vjeç, hapi shkollën e parë në Nahijen e Tomorit.

 

Formalisht shkolla u hap në gjuhën greke – një kamuflim i detyruar për të shmangur represionin – por në realitet Vruho u mësonte fshehurazi nxënësve të tij gjuhën shqipe, duke e kthyer atë shkollë në një vatër të vërtetë të ndërgjegjes kombëtare.

 

Ishte një akt guximi i rrallë në një kohë kur propaganda greke përpiqej të përthithte dhe greqizonte popullsinë shqiptare. Vruho ishte një kundërshtar i vendosur i kësaj politike dhe për këtë arsye u shpall armik nga organizatat ekstremiste greke, të cilat madje e dënuan me vdekje.

 

Për të shmangur ndjekjen ai shkruante shpesh me pseudonimin “Rubikoni” në gazetat “Rrufeja” dhe “Spata”, duke zhvilluar një luftë të hapur publicistike kundër shovinizmit dhe kundër përpjekjeve për zhdukjen e identitetit shqiptar.

 

Fjalët e tij për arsimin mbeten edhe sot një testament kombëtar:

“Nga të gjitha rreziqet që rrethojnë Shqipërinë sot, shpëtimin e shohim vetëm tek një gjë: tek leximi dhe shkrimi i gjuhës shqipe nga populli dhe rinia. Kur rinia të ketë mësuar të lexojë e të shkruajë gjuhën tonë, vetëm atëherë mund të themi se Shqipëria ka shpëtuar nga shtetet që kërkojnë shkatërrimin e saj.”

 

 

Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në Shqipëri. Në fillim të shekullit XX ai u gjend në Egjipt, një nga qendrat më të rëndësishme të emigracionit shqiptar dhe të veprimtarisë patriotike.

 

Pikërisht atje ai themeloi gazetën “Shkopi”, një organ publicistik ku trajtoheshin çështjet e kombit shqiptar dhe ku zhvillohej një polemikë e fortë me propagandën shoviniste greke. Në Egjipt u zhvillua edhe një nga momentet më vendimtare të historisë së diasporës shqiptare.

 

 

Në librin e tij për jetën e Fan Noli, studiuesi Nasho Jorgaqi tregon se kur Noli ndodhej në Egjipt ai u njoh me disa patriotë shqiptarë të shquar, mes të cilëve edhe Jani Vruho dhe Thanas Tashko. Ata panë tek Noli një intelektual të rrallë dhe një njeri me potencial për të udhëhequr lëvizjen shqiptare në diasporë.

 

Ishin pikërisht ata që i siguruan pasaportën, përgatitën dokumentet dhe i paguan biletën e vaporit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një mision të qartë: të organizohej komuniteti shqiptar dhe të forcohej lobi shqiptar në Amerikë.

 

Ky vendim do të kishte pasoja historike, sepse në SHBA Fan Noli do të bëhej një nga figurat më të rëndësishme të diasporës dhe të çështjes kombëtare shqiptare.

 

 

Pra pas këtij kapitulli të madh të historisë shqiptare qëndron edhe dora e një njeriu nga Tomori: Jani Vruho. Megjithatë, për ironi të historisë, disa studiues të huaj nuk arritën ta kuptonin realitetin e kësaj zone.

 

Studiuesi italian Antonio Baldacci, në kujtimet e tij nga vitet 1890, shkruante se në këtë krahinë nuk kishte shkolla. Por faktet historike e përgënjeshtrojnë këtë pohim, sepse shkolla e parë ishte hapur tashmë në vitin 1884 nga Jani Vruho.

 

 

Me kalimin e kohës fshati Malshovë u braktis dhe shumë nga shtëpitë e tij u rrënuan; gurët e tyre u përdorën në vitet e kooperativave për ndërtimet e fshatrave përreth, ndërsa edhe muret e kishave u zhdukën gradualisht.

 

 

Megjithatë kujtesa e këtij vendi dhe e njerëzve të tij nuk u shua.

 

Në vitin 1958, kur u hap shkolla shtatëvjeçare në Vertop, ajo u pagëzua me emrin “Jani Vruho”. Në inaugurimin e saj mori pjesë edhe ministri i arsimit i kohës, Kahraman Ylli.

 

Mësueset e para të kësaj shkolle ishin Dorete Pistulli dhe Maria Pistulli, ndërsa në Boston emigrantët e Malshovës krijuan shoqatën “Lisi i Butë”, duke ruajtur simbolin e lisit që dikur qëndronte mes kishave të vendlindjes së tyre.

 

 

Kështu historia e një fshati të zhdukur dhe e një patrioti të madh vazhdon të jetojë në kujtesën e njerëzve dhe në rrjedhën e historisë shqiptare.

 

 

Jani Vruho ishte një nga ata njerëz që veprojnë në heshtje, por që ndryshojnë fatin e një kombi:

 

Ai hapi shkolla kur gjuha shqipe ishte e ndaluar, luftoi me penë kundër propagandës shoviniste dhe ndihmoi të lindte lobi shqiptar në Amerikë duke dërguar atje Fan Nolin.

 

 

Prandaj, për banorët e Tomorrit ai mbetet, e quan edhe kënga popullore: një Tomor tjetër i Shqipërisë.