Nga lufta në ndërtimin e Shqipërisë

Nga lufta në ndërtimin e Shqipërisë

 

Tomorr Mukaj

 

 

Populli thotë: Dardha bie nën dardhë.

 

Qemali, djali i Nuri Mançese vërteton më së miri këtë thënie.

 

 

Ai u rrit me ndjenjën e atdhedashurisë si nga i ati që jetoi e punoi për Shqipërinë më shumë nga emigracioni, edhe nga kushëriri babait të tij Nurçja, të cilin e pati më pranë.

 

Në vitet e luftës italo-greke që zhvillohej edhe në anët tona ato vite, Nurçja dhe Qemali çarmatosën tre ushtarë grekë, të cilët po bënin terror në fshat. U arrestuan dhe u dërguan në burg në Selanik e më pas në Athinë.

 

Atje, duke folur e kuvenduar me patriotë të tjerë të arrestuar e burgosur në burgjet greke, u kalit më shumë karakteri i Qemalit. Me ndihmën e tyre Qemali u arratis nga burgjet greke.

 

 

Në shtator 1942, ende pa mbushur 20 vjeç inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në atë kohë ndihmoi për takimin mes Gjin Markut, Mestan Ujanikut dhe Xhelal Staraveckës në shtëpinë e tyre në Vlushë ku edhe dëgjoi bisedat e para për Luftën.

 

Në nëntor 1942 Qemal Mançe u zgjodh sekretar i Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të çetës partizane të zonës.

 

Në prill 1944 u plagos në përpjekje gjatë një rrethimi në fshatin Greshicë të Mallakastrës. U mbajt në krah nga shokët dhe u mjekua në fshat e më pas në spitalin partizan të zonës.

 

Pas operacionit të Qershorit 1944 u caktua komisar batalioni.

 

Pas lufte vazhdoi punën dhe dha kontributin e tij për rimëkëmbien e Shqipërisë.

 

 

Në rrugën Kukës-Peshkopi, në ndërtimin e Kombinatit të Sheqerit në Maliq,

 

drejtor i  ndërmarrjes së ndërtimit për Vlorën, por që mbulonte pothuaj Jugun, nga Fieri e deri në Sarandë.

 

 

Është shumë domethënës fakti se Qemali në vitin 1961 mbaroi fakultetin Ekonomik në Tiranë duke qënë nga studentët e parë që e filluan fakultetin në Universitetin e Tiranës të hapur në vitin 1957.

 

Së fundmi drejtor i Ndërmarrjes shtetërore të Ndërtimit në Durrës, por që mbulonte vepra ndërtimi në gjithë Shqipërinë, përfshirë hidrocentralet e mëdha të kohës.

 

 

Qemali nuk e harroi asnjëherë Vlushën.

 

Kur dikush prezantohej në ato vite se ishte nga Skrapari, menjëherë të thoshin se ti qenke nga vendi i Qemal Mançes.

 

Dha kontributin e tij modest në riparimin e parë të Urës së Vlushës, pothuaj 60 vjet pas ndërtimit të saj.

 

Mes shumë urdhrave e medaljeve të Luftës e të Punës, ka marrë edhe Urdhrin e Punës të Klasit të Parë.

 

 

Shënim i botuesit:

 

Ky shkrim është shkëputur nga monografia historike në proces botimi, “Vlusha, një emër që flet me zërin e shekujve”, i autorit Tomor Mukaj