U këput ura, u këputën katër jetë
Zylyftar Hoxha
Ka qenë një nga ngjarjet më të dhimbshme në Skrapar, ajo e 21 majit të vitit 1973, kur ka ndodhur një nga tragjeditë dhe aksidentet më të rënda me katër humbje jete, Kapllan Dyrmishi, drejtor i Ndërmarrjes së Ujëra Bonifikimeve; Bexhet Hasanaj, shef i llogarisë; Xhelal Jahjaj, shofer dhe Bashkim Pelivani, punëtor i kësaj ndërmarrjeje ranë në krye të detyrës duke shkuar në një nga kantjeret në zonën e Çepanit.
Duke kaluar urën e Lapanit, mbi kanionet e Osumit, ura nga amortizimi dhe pesha e kamionit këputet dhe makina e mbushur me tuba hekuri bie në humnerë.
Këputet ura, por këputen edhe katër jetë njerëzish, relativisht të rinj, më i vogli 18 dhe më i madhi 45 vjeç, këputen zemrat e familjarëve dhe i bashkëqytetarëve, duke lënë pas gjurmë të thella dhe të pashlyeshme edhe pse kanë kaluar 50 vjet që atëhere.
Në këtë shkrim do të flasim vetëm për njërin prej tyre, Kapllan Dyrmishin:

Kapllan Dyrmishi u lind më 18 maj të vitit 1928, në fshatin Koprënckë të Skraparit, në një familje të njohur për tradita të spikatura patriotike dhe morale, me kontribute në ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, familja e tij u rreshtua në mbështetje të luftës, ndërsa vëllezërit Selimi, Fadili dhe Izeti morën pjesë në formacionet partizane.
Shkollën fillore e kreu në Leshnje, ndërsa pas çlirimit përfundoi shërbimin ushtarak, ku mori pjesë edhe në përballjet kundër provokacioneve monarko-fashiste greke të gushtit 1949. I formuar në një mjedis me frymë të fortë atdhetare, u dallua që në rini si aktivist shoqëror dhe organizator në punën me rininë dhe aksionet vullnetare të kohës.
Pas ushtrisë punoi në administratën publike në Çorovodë si referent, duke spikatur për përkushtim dhe aftësi drejtuese. Më pas kreu Shkollën e Partisë dhe punoi si instruktor në Komitetin e Partisë. Në vitin 1957 ndoqi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira.
Pas diplomimit mbajti disa detyra të rëndësishme drejtuese në Skrapar, si shef seksioni në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, kryetar i Kooperativës së Zaloshnjës, drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit (NSHN) dhe më pas drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave dhe Bonifikimit. Në të gjithë veprimtarinë e tij u vlerësua për korrektësi, aftësi organizative dhe përkushtim në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të krahinës.

Një talent i vërtetë drejtimi dhe organizimi punësh
Nuk ka vepër ujore, rezervuarë dhe kanale ujitës në Skrapar të mos ketë dorën dhe mendjen e Kapllan Dyrmishit. Ai u rrinte në kokë punëve, nuk dinte ditë dhe orë pushimi.
Kush ka punuar me Kapllanin, kuadër apo punëtor i thjeshtë, ka gjetur te ai mikun, shokun, vëllanë, prindin e dashur dhe të gjendur në çdo hall e vështirësi.
Ai ishte sa inteligjent, sa kërkues dhe sa serioz në punë, aq edhe human, aq i hapur, aq i dashur dhe aq i këndshëm në marrëdhëniet me njerëzit, e drejtimit dhe të organizimit. Një talent i vërtet.
Këto veti dhe cilësi ia njihnin edhe kolegët lartë në dikaster në ministri, ndaj ata i kishin projektuar një post drejtues në Ministrinë e Ndërtimit, po vdekja e ndau atë jo vetëm nga posti, por edhe nga jeta.
Kapllani kishte edhe një veti tjetër të lindur: humorin e hollë dashamirës me miqtë dhe sarkazmën therëse dhe dërmuese me kundërshtarët dhe keqbërësit. Anekdotat dhe sentencat e humorit të tij tregohen edhe sot gojë më gojë në Skrapar.
Ishin këto virtyte dhe vlera të larta njerëzore që e bënë atë një nga qytetarët më në zë të asaj kohe të Çorovodës.
Ishte një merak i ligjshëm, një dëshirë e pa plotësuar e gjithë popullit të Skraparit, që ajo që kishte munguar, u bë pas plot 30 vjetësh, në maj të viti 2003, kur Komisioni Qëndror i Statusit, “Dëshmorët e Atdheut” me vendim Nr 9, dt. 20.05.2003 i njohu Kapllan Dyrmishit, Statusin “Dëshmor i Atdheut – rënë në krye të detyrës”.
Por fatkeqësisht nuk u vlerësuan ashtu si duhet edhe shokët e tij të të njëjtit fat, Bexhet Hasanaj, Xhelal Jahjaj dhe Bashkim Pelivani.
“Orakujt e Tomorrit” si një media që ndjek jetën dhe veprimtarinë e banorëve të territorit të Skraparit, e ka ngritur dhe do ta ngrejë çështjen e vlerësimit të tyre, shpalljen edhe të atyre tre të tjerëve, Dëshmorë të Atdheut pasi e meritojnë.
