Vërzhezhë, ku qershitë flasin me stinët
Dikur, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në kohën e kooperativave bujqësore, në shumë fshatra të vendit nisën të krijoheshin blloqe drufrutorësh tradicionalë. Ishin pemët që, sipas urtësisë së bujqve të vjetër dhe dijes së agronomëve të rinj që sapo kishin lënë bangat e shkollës, “i donte vendi”. Diku mbilleshin mollë, diku kumbulla, e diku qershi, me varietete të reja që premtonin prodhim dhe begati.
Edhe në Vërzhezhë u gjykua se qershia ishte pema më e përshtatshme për klimën, tokën dhe shpirtin e atij vendi. Kështu, në krye të fshatit, në vendin e quajtur Gjingoras, u mboll një bllok i madh me qershi, që shumë shpejt hyri në prodhim, duke mbushur tregun e Çorovodës dhe fabrikën e përpunimit të frutave me aromën dhe ëmbëlsinë e saj, krahas qershisë së njohur të Munushtirit.
Sot, kur shumë blloqe frutore nëpër rreth janë zhdukur e kanë mbetur vetëm në kujtesë, në Vërzhezhë qershitë vazhdojnë të jetojnë e të ruajnë famën e dikurshme. Kjo falë përkushtimit dhe dashurisë së banorëve të fshatit, që, edhe pse të pakësuar nga largimet e shumta, nuk e lanë të thahej kjo traditë.
Madje, tashmë është bërë zakon i bukur që, krahas gëzimeve të tjera, në këtë fshat të festohet edhe “Dita e Qershisë”, një festë e thjeshtë, por plot jetë, aromë dhe mall për vendlindjen.
Më poshtë, “Orakujt e Tomorrit” sjellin njoftimin për organizimin e kësaj feste të veçantë, që mund ta krijojnë dhe ta mbajnë gjallë vetëm njerëzit me shpirt të ndjeshëm.
Gëzuar, Vërzhezhë, Festën e Qershive!
Kalofshi bukur nën hijen dhe ëmbëlsinë e qershive tuaja!
Urojnë #Orakujt…
