Kur urtësia kishte zë të ulët
Dashnor Dosti
Si çdo ditë, edhe sot në mëngjes, duke shetitur si zakonisht në fejsbikum tim, më doli rastësisht kjo pikturë. Ishte një sugjest i piktorit të njohur Buron Kaceli, njërit prej piktorëve të njohur të vendit tonë.
Nga ana tjetër shumë pak janë personat që mund të tregojnë se cili është njeriu i portretit. Sepse ai ishte fare i thjeshtë, mëse i zakonshëm, por ndonjëherë njerëz të tillë, bëhen të mëdhjenj prej thjeshtësisë së tyre të pa konkurrueshme.
Ai është Bajram Kushe, një figurë shumë e dashur për mua.
Kur isha fëmijë, pata fatin të isha i përkëdheluri i të gjithëve. Isha shumë kurioz dhe më pëlqente të rrija pranë pleqve, ndërsa fëmijët e tjerë luanin mes tyre. Ata më dukeshin ndryshe: nuk flisnin kurrë kot, i peshonin fjalët, nuk ngrinin zërin dhe respektonin këdo.
I admiroja kur bisedonin qetësisht, me cigaret që u vareshin në buzë apo me çibukët e gdhendur që i mbanin në cep të gojës. Rrija me orë duke vëzhguar tymin e hollë që ngjitej lart e bashkohej në një vijë të vetme, ashtu siç më dukeshin edhe ata burra: të urtë, të mençur dhe madhështorë, sikur ndanin të njëjtin shpirt në shumë trupa njerëzorë.
Pikërisht njëri prej këtyre burrave ishte Bajram Kushe, më i adhururari prej meje. Në atë harmoni njerëzish të urtë e madhështorë më binte në sy. Kishte një dashuri që nuk ishte aspak nevoja ta shprehte me fjalë. I lexohej që larg.
Pikërisht për këtë, kjo pikturë e Buron Kacelit, në të cilën vështrimi i Bajramit flet më shumë se gjithçka, ishte për mua sot një injeksion dashurie për nderuar njerëzit e mirë të fshatit tim, ku Bajrami ishte njëri ndër më të spikaturit.
