Fshati që rri pezull mbi kanione dhe kujtesë
Zylyftar Hoxha
I mbështetur mbi shkëmbinj gëlqerorë dhe i varur si një ballkon natyror mbi Kanionet madhështore të Gradecit, fshati Gradec Qendër ngrihet rreth 150 metra mbi shtratin e lumit, duke u ngjitur më tej drejt një kodre shkëmbore ku koha ka lënë gjurmët e një kalaje të lashtë.

Atje lart, mes gurëve të heshtur dhe ferrave që mbulojnë rrënojat, ndodhet Gradishta, një emër që vjen nga fjala sllave grad – qytet a qytezë. Pikërisht prej saj e mori emrin Gradeci, një nga vendbanimet më piktoreske dhe më imponuese të Skraparit.
Për të mos u ngatërruar me Gradecin e Tomorricës, sot në dokumentet zyrtare ai njihet si Gradec Qendër. Ka qenë gjithmonë një fshat i vogël, i mbledhur rreth vetes si një familje e madhe, që rrallëherë i ka kaluar 40–50 shtëpi dhe 200–300 banorë. Lagjet e tij – Kapxhiu, Braho, Ziko, Gjoka, Muka, Guri dhe Shkëmbi – përbëjnë hallkat e një komuniteti të lidhur fort nga gjaku, zakonet dhe kujtesa.

Edhe pse sot numri i banorëve është përgjysmuar, tradita vazhdon të jetojë. Dasmat, gostitë dhe vaktet mortore mbeten ngjarje ku bashkohet i gjithë fshati, si dikur, kur porta e një shtëpie ishte porta e të gjithëve.
Gradecin e njoh mirë. E njoh me të njëjtën afërsi si fshatin tim të lindjes, Qafën. Fëmijëria dhe rinia më çuan shpesh atje, jo vetëm për miqësi, por edhe për lidhje gjaku. Nëna ime ishte nga Kapxhillarët e Gradecit, ndërsa halla ime, Pembeja, ishte martuar në këtë fshat me Hyda Gurin, një burrë që nderonte emrin e tij dhe të gjithë Gradecit.
Natyra nuk ka qenë dorëlëshuar me këtë vend. Tokat e pakta dhe mungesa e ujit i shtynë banorët drejt blegtorisë. Kullotat e gjera malore, që kufizoheshin me Gostënckën, Leshnjen dhe Vlushën, u bënë pasuria e tyre më e madhe. Dhenët e Gradecit ushqeheshin me barëra e lule aromatike, ndaj bulmeti dhe mishi i qengjave të këtij fshati kishin një shije të veçantë, të paharrueshme për këdo që i provonte.
Vetë natyra u vinte në ndihmë barinjve. Në shpatin juglindor të fshatit ndodhej një shpellë e madhe, ku një pjesë e bagëtive dimëronte pa pasur nevojë të zbriste në Myzeqe. Me zahire të grumbulluara gjatë verës, delet qëndronin aty deri sa pranvera të sillte filizat e parë të barit.

Por më legjendar ishte vendi i quajtur Bestrevicë, në fund të kanioneve. Përmes një shtegu të vështirë, ku bagëtitë zbriteshin një nga një në krahë, ato kalonin dimrin të lira në natyrë. As ujku nuk mund të hynte atje, as kafshët nuk mund të dilnin. Ishte një strehë e çuditshme e krijuar nga vetë gjeografia. Jo më kot gradecllinjtë betoheshin për Bestrevicën si për një bekim të Zotit.
Po aq të rëndësishme ishin edhe arat malore të quajtura Vila. Dikur mbilleshin e punoheshin, më vonë u kthyen në livadhe të pasura me bar e tërfil. Muret e vjetra, thanat, kumbullat e egra dhe gorricat dëshmojnë se ky vend është shfrytëzuar prej shekujsh. Vetë emri “Vilë” duket sikur ruan kujtimin e një toke të mbjellë e të begatë.
Në fillim të viteve ’80, banorët e Gradecit ndërmorën një nga veprat më të mëdha të historisë së tyre. Me në krye veprimtarin e palodhur Mehmet Braho, ata hapën një rrugë tre kilometra të gjatë që e lidhi fshatin me aksin Çorovodë–Gjerbës. Ishte një punë titanike. Shkëmbi çahej me mina, ndërsa pjesa më e madhe e punës bëhej me kazmë e vare. Në atë përpjekje Mehmeti humbi një dorë nga shpërthimi i një kapsolleje mine, por rruga u bë dhe mbeti monument i vullnetit njerëzor.

Po në ato vite u ndërtua edhe ujësjellësi i parë. Deri atëherë Gradeci kishte vetëm një çezmë dhe në verë krijoheshin radhë të gjata për të mbushur ujë. Mungesa e tij ishte një plagë e përhershme për banorët dhe bagëtitë.
Pas viteve ’90, si shumë vepra të tjera, ujësjellësi u dëmtua dhe fshati u kthye sërish te vështirësitë e dikurshme. Zgjidhja përfundimtare erdhi kur u zbulua një burim nëntokësor pranë Koritave, rreth tre kilometra e gjysmë larg fshatit. Me përpjekje të shumta dhe me ndërhyrjen këmbëngulëse të Spartak Brahos, birit të këtij fshati, u siguruan fondet e nevojshme për ndërtimin e ujësjellësit të ri.
Sot uji vjen vetërrjedhës, shpërndahet në çdo lagje e në çdo shtëpi dhe administrohet nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Bashkisë Skrapar. Është ujë i bollshëm, i pastër dhe jetëdhënës.

Në qendër të fshatit ndodhet çezma e Brahove, ngritur në formë monumentale nga pasardhësit e familjes për të nderuar Laton dhe Veziren, dy pleq të urtë që nuk linin udhëtar të kalonte pa i ofruar një gotë ujë ose një tas dhallë. Kjo çezmë nuk është thjesht një burim uji; ajo është një monument i mikpritjes, bujarisë dhe shpirtit fisnik të Gradecit.

Por mbi të gjitha, Gradeci mbetet i njohur për humorin e tij. Në të gjithë Skraparin flitet për shakatë, thumbat dhe rromuzet e gradecllinjve. Të shkoje mik në atë fshat duhej të ishe i përgatitur: nëse nuk kuptoje humorin e tyre dhe nuk ua ktheje me të njëjtën monedhë, mund të bëheshe subjekt i talljeve të këndshme për një ditë e një natë të tërë.
Kështu është Gradeci: një fshat i vogël në numër, por i madh në histori; i varfër në tokë, por i pasur në karakter; i ngjitur mbi shkëmbinj, por i rrënjosur thellë në kujtesën e Skraparit.
