Një betejë, një që mbetet në histori

Një betejë, një që mbetet në histori

 

 

 

Besim Dervishi

 

 

Historia e kufijve jugorë të Shqipërisë ka faqe që janë shkruar me gjak, por edhe me dinitet.

 

Njëra prej tyre është beteja e 2 Gushtit 1949, në Kuotën 1309 të Vidohovës, ku ra dëshmori i parë i kësaj lufte, Ferit Bregu, një djalë i ri nga Skrapari që zgjodhi të mos tërhiqej përballë një force shumëfish më të madhe.

 

Ferit Bregu lindi në vitin 1924, në fshatin Vendreshë e Parë të Skraparit, në lagjen “Bregu”, dhe ishte biri i Naim Bregut. Familja e tij jetonte me bujqësi e blegtori, por mbi kujtesën e saj rëndonin ende plagët e masakrave të vitit 1914, kur bandat andarte, të përbëra nga të burgosur të liruar nga burgjet e Kretës dhe elementë të tjerë kriminalë të mbështetur nga qeveria greke e kohës, përgjakën fshatrat e Shqipërisë së Jugut.

 

Që fëmijë, Feriti ishte rritur duke dëgjuar rrëfimet për trimërinë e çetave patriotike të Sulejman Spatharës, Tajar Vendreshës, Riza Valës dhe luftëtarëve të tjerë, të cilët, pas masakrës së Vendreshës – ku sipas kujtimeve të Kosta Papa Tomorit, andartët therën një djalë të ri vetëm pse kishte thirrur “Rroftë Mbreti!” – i goditën ashpër forcat pushtuese në Qafën e Vendreshës dhe në Kajcë, duke i detyruar të tërhiqeshin drejt Ballabanit e Këlcyrës, ku ndodhej shtabi i tyre.

 

I frymëzuar nga kjo traditë atdhetare, Ferit Bregu kreu Shkollën e Bashkuar “Skënderbej”, mori gradën Aspirant dhe doli vullnetar për të shërbyer në kufirin jugor të vendit.

 

Mëngjesin e 2 Gushtit 1949, në atë që historia do ta quante më vonë “Kuota e Përflakur 1309”, qindra forca monarko-fashiste greke, të mbështetura nga tanke, artileri, mitralozë dhe avionë, sulmuan postën kufitare të Vidohovës. Brenda saj ndodheshin vetëm dhjetë ushtarë shqiptarë.

 

Sipas procesverbalit të rojës, Ferit Bregu ishte në shërbim në momentin kur u dha alarmi. Ai e kuptoi menjëherë se beteja që po afrohej do të ishte vendimtare. Vendosi pushkën pranë murit, nxori nga xhepi një copë shkumës dhe shkroi katër shkronja të mëdha:

V. F. L. P.

 

Më pas u ul qetësisht, drodhi një cigare dhe, pasi e ndezi, zuri pozicion luftimi pranë një shkëmbi. Kur armiku hyri në rrezen e zjarrit, Ferit Bregu hapi zjarr i pari.

 

Pak çaste më vonë në ndihmë mbërriti komandanti Memo Nexhipi me shokët e tij. Filloi një betejë e pabarabartë. Një grusht ushtarësh shqiptarë përballuan për më shumë se dhjetë orë sulmet e një force që, sipas dëshmive, numëronte mbi 500 ushtarë, të mbështetur nga tanke, topa dhe aviacion.

 

Rezistenca shqiptare ishte aq e fortë, sa forcat sulmuese u detyruan të tërhiqeshin, duke lënë në fushën e betejës mbi 50 të vrarë. Shqipëria pagoi një çmim të rëndë: ranë dëshmorë Ferit Bregu, Memo Nexhipi dhe pesë luftëtarë të tjerë.

 

Më vonë, në mbrojtje të kufirit do të binin edhe bij të tjerë të Skraparit, ndër ta Riza Mestani nga Spathara, komandant batalioni, emri i të cilit do të mbetej përgjithmonë në histori dhe në këngën popullore:

I pari Riza Mestani,
Në kufi luftoi si luani.

 

Kuota 1309 nuk është vetëm një pikë në hartë. Ajo është një simbol i sakrificës, i qëndresës dhe i betimit se kufijtë e Shqipërisë janë mbrojtur gjithmonë nga njerëz që vendosën Atdheun mbi jetën. Emri i Ferit Bregut mbetet ndër ata emra që historia nuk duhet t’i harrojë kurrë.

 

Lavdi të gjithë dëshmorëve të 2 Gushtit 1949!