“Standardet”, Fabula nga Besnik L. Caka
Fabula
Besnik Caka
Lindi më 06.12.1968, në qytetin e Çorovodës. Nis të shkruajë që në vitet e para të gjimnazit, të cilin e përfundon më 1986. Më tej diplomohet për gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.
Prej vitit 1994 jeton e punon në qytetin e Korçës, ku jep lëndën e letërsisë në gjimnazet e qytetit të Mësonjëtores së Parë Shqip.
Botimi për herë të parë i pak rreshtave në revistën e famshme humoristike të kohës, “Hosteni”, që në vitet e shkollës së mesme, duket se shenjoi dhe natyrën e krijimtarisë së tij.
Ka botuar librat me fabula: “Gjah”, “Gishti i mesit”, “Baloja mbeti pagojë” – 2021
Është djali i Luman Cakës, një publicisti dhe punëtori të njohur të letrave, aktiv edhe sot.
Standardet…
Kali çil, jelegjatë,
Ngrysu, gdhihu, në ambasadë,
Kërkon vizë, të shohë të birë,
Po s’plotësoka një standard,
Ambasada e njoftoi:
“Te këmba e pasme, e djathtë,
Mungon një gozhdë te kpatkoi…”
Dialog në librari
(libri dhe gazeta)
-Gazetë motër, thonë ke gojë,
Gjej dikë të më birësojë,
Gishtat fletë vetë m’i shkojë,
Të më dojë, të jetë prej soji…
-Vëlla libër, rri këtu, je mirë,
Ka ardhurkohë e vështirë,
Me një time kushërirë,
Kanë fshirë…
E ç’nuk kanë fshirë!
Mushka
Gjithë mandatin, katër vjet,
(Qe gomari në pushtet),
Mushka, jetë përsëmbari,
E harroi ç’ishte samari…
Gjindja priti me durim
Rrotacionin për ndryshim,
Që mushkën ta “gudulisë”
Pak samari mbi kurriz.
Po fati sërish në derë:
Fitoi zgjedhjet nëna pelë…
Reformë
Rrufe urdhëri që nga lart: “Në qymez do bërë rrokadë!”
Pula, si e lagur ngeli:
“Si ta bëj..çfarë bënte gjeli?”
Kurse gjeli lafshën ndez,
Shtrëngohet të bëjë…vezë!
Kërriçi
Në mes fshatit, një kërriç,
Pa e vrarë mendjen hiç,
Fillon fisin të lëvdojë,
Gjysh, stërgjysh, i mban në gojë…
I a pret kali me të parë“
Sa shpejt u bëre…gomar”!