Tunelet, një nga trashëgimitë më të frikshme të epokës së militarizimit të Shqipërisë
Skrapari i para viteve ’90 të shekullit të kaluar ka qenë dhe mbetet një nga zonat më të militarizuara të Shqipërisë.
Jo vetëm sepse në Poliçan ngrihej një nga veprat më të rëndësishme të industrisë ushtarake shqiptare, por edhe për shkak të terrenit të tij të thyer, të ashpër dhe strategjik, i konsideruar i përshtatshëm për mbrojtjen e vendit në rast të një sulmi të mundshëm.

Por, përtej asaj që shihej mbi tokë, Skrapari kishte edhe një “botë” tjetër, të fshehur nën këmbët e njerëzve: një rrjet të gjerë tunelesh, deposh dhe vendstrehime ushtarake, ku për dekada u grumbulluan sasi të jashtëzakonshme armatimesh dhe municionesh.
Shifrat e asaj kohe janë marramendëse.
Për të kuptuar përmasat e arsenalit që ndodhej në nëntokën e Skraparit, mjafton një fakt. Pas tragjedisë së Gërdecit, më 15 mars 2008, kur një pjesë e konsiderueshme e materialeve ushtarake ishte evakuuar, inventari nxori se në Skrapar ndodheshin ende rreth 15 mijë tonë municion, që përbënin afërsisht 15 për qind të sasisë së municioneve të vendit.
Thënë ndryshe, nëse do ta ndanim këtë sasi në mënyrë simbolike për banorët e Skraparit, secilit do t’i takonte rreth një ton e gjysmë municion. Nuk do të ishte më “një top i Mato Grudës”, por një arsenal i tërë, i mjaftueshëm, sipas gjuhës së kohës, për të përballuar vite lufte.

Kjo shifër nuk ishte thjesht një rekord statistikor. Ajo tregonte se sa e fortë kishte qenë përqendrimi i armatimeve në këtë krahinë dhe sa e madhe ishte barra e fshehur nën tokën e saj.
Në rrethin e Skraparit ishin ndërtuar komplekse të mëdha tunelesh nëntokësore, të përshtatura si depo për municione të këmbësorisë dhe artilerisë të kalibrave e llojeve të ndryshme. Ato ishin vendosur në zona të thella, të izoluara dhe të mbrojtura nga masive të fuqishme shkëmbore.
Pas tragjedisë së Gërdecit, në tunelet-depo të Guhakut, vetëm rreth një kilometër larg qendrës administrative të rrethit, Çorovodës, gjendeshin ende rreth 4 352 tonë municion.

Rreth katër kilometra më tej ndodheshin tunelet e Radëshit, ku ishin magazinuar rreth 2 280 tonë.
Ndërsa, jo më shumë se tetë kilometra larg Çorovodës, në krahun e djathtë të rrjedhës së Osumit, ndodheshin depot e Pigazit, me rreth 3 000 tonë municion.
Janë shifra që edhe sot të bëjnë të mendohesh.

Sepse pas tyre nuk ishin vetëm tunele, hekur e beton. Ishte një rrezik i heshtur, i mbyllur në zemër të malit dhe i pranishëm në jetën e përditshme të njerëzve.
Sipas vlerësimeve të specialistëve ushtarakë të kohës, një aksident që mund të shkaktonte shpërthimin zinxhir të municioneve në këto komplekse do të kishte pasoja katastrofike për zonën përreth. Për shkak të sasisë së madhe të municioneve dhe kushteve nëntokësore të magazinimit, fuqia shkatërruese mund të ishte shumëfish më e madhe se ajo e shpërthimit të Gërdecit.
Dhe Çorovoda ndodhej aty, fare pranë.
Qyteti jetonte, punonte, rritej e flinte mbi një tokë që poshtë saj ruante mijëra tonë municione.

Megjithatë, për fat të mirë, këto komplekse tunelesh të ndërtuara kryesisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar nuk regjistruan ndonjë aksident të kësaj përmase me humbje jetësh njerëzore.
Ato u ndërtuan në masive të fuqishme shkëmbore, përgjatë hapësirave malore të vargmalit Tomorr–Ramije–Mali i Leshnjes, duke u kthyer me kalimin e viteve në një nga shenjat më të dukshme të një kohe kur Shqipëria jetonte nën ankthin e një lufte që, në të vërtetë, nuk erdhi kurrë.
#Blog##Orakujt…#
