Marash Hajati dhe e bija

Marash Hajati dhe e bija

Marash Hajati ka qenë drejtori i fundit i përiudhës socialiste në Televizionin Shtetëror Shqiptar. Për fat, më ka rënë rasti të punoj  dhe të kem lidhje pune me të kur ai ka qenë drejtor i këtij Televizionit, pastaj  drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së.

 

Këto lidhje më shumë ishin në distancë, pasi unë isha telekronist vullnetar i rrethit të Skraparit në Televizonin Shtetëtor Shqiptar, nuk paguhesha dhe nuk kisha vartësi direkte, por isha korrespondent vullnetar si i të gjitha organeve të shtypit. Isha takuar me të dya apo tri herë dhe kaq. Më është dukur në këto takime një njeri  i veçantë, shkodran i vërtetë, aspak i indoktrinuar si paraardhësit e tij; profesional, me nja dy dokumentarë dhe disa shkrime në gazetë në atë kohë.

 

Unë, duke qenë vullnetar, i punësuar gjetkë, por që punoja edhe për TVSH, nuk vija në mbledhjet mujore që bëheshin atëhere nga Redaksia e Informacionit. Por, siç më thoshin miqtë dhe kolegët e e mi, Namik Gjoni, Vasil Qesari, Xhemal Reçi e ndonjë tjetër, nuk kishte mbledhje që ai të mos përmendte emrin tim dhe kronikat e mia. I pëlqenin, siç thoshte ai, se nuk ishin të thata, por se kishin lëng artistik brenda dhe dukeshin si mikrotelereportazhe apo si mikrodokumentarë.

 

I jam mirënjohës, dhe më vjen keq, që nuk pata rast ta falenderoja për këto konsiderata.

 

Por nuk nisem nga kjo, nga raportet e mia, sido në distancë, por nga një konsideratë e përgjithshme zyrtare në atë kohë, se ai qe një ndër intelektualët më në zë, më largpamës dhe më i gatshëm për ndryshimet që po vinin.

 

Iku nga kjo jetë pa pluhur mbi supe, i nderuar si njëri dhe si intelektual.

 

Tani vijmë te e bija, Ronela Hajati. Shumë njerëz pyesin për lidhjen e saj me Marashin. Edhe unë kam pyetur dhe kam mësuar tani vonë se ajo është e bija.

 

Më është bërë qejfi që edhe ajo ka bërë emër, madje edhe më shumë se i ati i saj. Si prind, si mik i dikurshëm i të atit, aq sa ishim, do ta falenderoja dhe do ta përqafoja.

 

Por, e para, unë nuk jam në “lagjen” e performancave të saj, dhe nuk i gëlltis dot ato; dhe e dyta, nëse do të ishte gjallë  dhe në detyrë i ati, Marashi (se kush e thoshte edhe një tjetër), nuk do ta pranonte kurrë në koncertet e televizionit të tij.

 

Me paraqitjen e mbrëmshme, ndoshta, nuk do ta pranonte as në shtëpi!…(Z.H)