Hajri Nuhu, një jetë mes përkushtimit, dijes dhe atdhedashurisë

Hajri Nuhu, një jetë mes përkushtimit, dijes dhe atdhedashurisë

 

 

Eshtë zhvilluar mbrëmë, në sofrën e ngrohtë dhe të dashur mikpritëse të skraparllinjve, Kompleksin Turistik “FAFA”, Durrës një nga veprimtaritë më të veçanta, më domethënëse dhe më mbresëlënëse të vitit që po mbyllet, me tre “sebepe” njëherësh:

 

 

“Sebepi” i parë, kremtimi i 120-vjetorit të themelimit të Shoqatës “Tomorri”, e krijuar nga një grup patriotësh mërgimtarë në Rumani, e cila, me uljet dhe ngritjet e saj, ka ardhur deri në ditët tona dhe që sot përfaqësohet denjësisht, me vitalitet dhe përkushtim, nga Shoqata “Tomorri” Durrës, e cila mban gjallë emrin, frymën dhe traditën e saj.

 

 

“Sebepi” i dytë, përkujtujtimi i 25-vjetorit të themelimit të degës së Shoqatës “Tomorri”, Durrës, si pjesë e Shoqatës Kombëtare “Tomorri”, me qendër në Tiranë, një shoqatë që e ka përligjur ekzistencën e saj me vitet e punës dhe veprimtaritë e shumta.

 

 

Dhe “sebepi” i tretë, qe rastesisht erdhi si një surprizë e bukur, ishte se drejtuesi i kësaj shoqate që nga fillimi e deri më sot, Hajri Nuhu, festonte 65-vjetorin e lindjes dhe përmbyllte veprimtarinë e tij zyrtare e profesionale si mësues dhe drejtues në arsim. Por jo edhe veprimtarinë shoqërore, artistike e kulturore, me të cilën është lidhur përjetësisht.

 

 

Me këtë rast merrnin pjesë anëtarë të shoqatës “Tomorri” Durrës, të ftuar të shoqatave simotra në këtë qytet, personalitete të shquara të qytetit bregdetar miq të skraparllinjve; personalitete të njohura të Skraparit, ish-deputeti Spartak Braho, deputeti i zonës, Hysen Buzali; mikpritësi i madh, filantropi Fatos Çerenishti etj.

 

 

Veprimtaria u përgatit dhe u moderua nga gazetarja e njohur, Elitjona Doko, e cila, në bazë të një repertori të pasur, ftoi kryetarin e Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema të thoshte fjalën e tij, për të cilën kishte ardhur enkas: Dorëzimin e titullit Qytetar Nderi i Skraparit, veprimtarit të shquar, Hajri Nuhu. 

 

 

Pas shumë folësve, në fund, u lexua përshëndetja e publicistit, Anëtar Nderi i Shoqatës “Tomorri”, Durrës, Zylyftar Hoxha, i cili me gjithë dëshirën e madhe, për arsye madhore, nuk mori dot pjesë në këtë veprimtari, pasi ndodhet në Itali.

 

 

Ja teksti:

 

P ë r s h ë s h ë n d e t j e

 

 

Në pamundësi të marr pjesë në këtë veprimtari kaq të bukur si kjo e sotmja, unë do të ndalem në “sebepin” e tretë, gëzimin e mikut tim të provuar dhe të vjetër, Hajri Nuhut për titullin e Nderit që mori sot.

 

 

Jam veçanërisht i lumtur që, në këtë ditë të shënuar për ty, Hajri, më jepet rasti të them publikisht disa fjalë për veprimtarinë tënde si veprimtar shoqëror, si mësues, organizator, publicist, artist i fjalës së bukur dhe njohës i skenës e i ekranit: regjisor, skenarist, spiker dhe moderator i papërsëritshëm.

 

 

Janë fjalë që, për shkak të modestisë sate, profilit të ulët që mban, të natyrës së butë, fjalëpakët dhe të heshtur, nuk kam arritur t’i them gjatë viteve të njohjes dhe bashkëpunimit tonë, që zgjat prej gati 50 vjetësh. Një bashkëpunim i frytshëm, i mbushur me punë, përvoja dhe suksese në të gjitha ato fusha që përmenda më sipër.

 

 

Unë të kam njohur që në fund të viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur ti ishe bërë tashmë i njohur ngjithë Skraparin, ndonëse ishe ende fare i ri. Dhe kjo njohje nisi nga një rastësi, nga ato rastësi që, ndonjëherë, bëhen përcaktuese për gjithë jetën e njeriu.

 

 

Sapo kishe mbaruar shkollën e mesme në Zhepë. Ishe një nxënës i shkëlqyer, me të gjitha notat dhjeta, por, për çudi dhe padrejtësi, nuk u gjet një bursë apo një mundësi tjetër që të vazhdoje studimet e larta.

 

 

Babai yt, Faslliu, priti me shpresë se do t’i njiheshin meritat e luftës partizane dhe sakrificat e një jete në varfëri; se do të gjendej një rrugë që edhe djali i tij të vazhdonte shkollimin, si gjithë të tjerët. Por pritja mbeti vetëm pritje, si në fund të një udhe pa dalje. Askush nuk ia vuri veshin.

 

 

Por jeta, ndonëse ndonjëherë të mbyll padrejtësisht një derë, mund të të hapë një tjetër atje ku nuk e pret.

 

Një ditë, për ty u shfaq ai që unë do ta quaja engjëlli yt mbrojtës. Ishte Kujtim Lame, atëherë sekretar i Rinisë së rrethit.

 

 

Në një mbledhje të rinisë së kooperativës, Kujtimi mbeti i befasuar nga diskutimi yt. Ishte një diskutim i shkurtër, por i përmbledhur, i qartë dhe i mbushur me ide e mendime largpamëse, që binin në sy për kohën.

 

 

Kujtimi kuptoi se kishte përpara një djalë të veçantë, një talent të rrallë, që nuk duhej të mbetej i fshehur mes punëve të kooperativës.

 

 

Duhet t’ia dish për nder Kujtimit, sepse ai vuri në lëvizje strukturat zyrtare të rinisë së asaj kohe në Çorovodë. Ai kishte zbuluar një thesar të çmuar, një pasuri mendore që duhej vënë në shërbim të shoqërisë.

 

 

Dhe vetëm dy ditë më vonë, ti u gjende në një detyrë të re: instruktor i Komitetit të Rinisë së rrethit.

 

 

Kështu nisi një rrugë tjetër për ty. Ti e nderove Kujtimin, fitove besimin e njerëzve dhe, mbi të gjitha, i dhe të drejtë vetes. Nuk le fshat pa shkuar, nuk le veprimtari pa u përfshirë dhe nuk kalove pa lënë gjurmë. U shfaqe si njeri i lindur për organizim, komunikim dhe punë me njerëzit.

 

 

Ndërkohë, nuk hoqe dorë as nga shkollimi. Nise studimet e larta me korrespondencë për gjuhë-letërsi, duke dëshmuar se etja për dije nuk shuhet nga vështirësitë, por, përkundrazi, mund të bëhet edhe më e fortë.

 

 

Dhe, sikur të mos mjaftonin këto përgjegjësi, shumë shpejt të ngarkuan me një detyrë tjetër të rëndë për supet e tua ende të njoma: drejtimin e Aksionit Kombëtar të Rinisë në Bogovë të Skraparit, për krijimin e kullotave.

 

 

Për gati dy vjet, ti udhëhoqe nga 200 deri në 300 të rinj aksionistë në çdo turn. Një detyrë që kërkonte jo vetëm organizim, por edhe pjekuri, seriozitet, shkathtësi, durim e urtësi.

 

 

Në njëfarë mënyre, ishe drejtuesi i një ndërmarrjeje të madhe, me punonjës krejt të veçantë: të rinj e adoleshentë, me vrullin, energjinë dhe karakteret e tyre. Dhe ia dole mbanë me sukses.

 

 

Më pas erdhën ndryshimet e mëdha të sistemit. Ti punove si mësues në Çorovodë dhe, falë formimit, kulturës e përkushtimit, zuri shpejt vendin që të takonte në radhët e mësuesve të respektuar.

 

 

Por, Hajri, ti nuk ishe njeri që mund të mbyllej vetëm brenda mureve të klasës. Interesat e tua ishin më të gjera, horizonti më i hapur. Jo se xhaketa e mësuesit të rrinte ngushtë, por, siç duket, të duhej edhe një përmasë tjetër ku të shpalosje aftësitë e tua.

 

Dhe kështu u bëre edhe gazetar. Punove për gazetën “Orakulli i Tomorrit”, ku patëm rastin të ishim bashkë. Që nga ajo kohë, kemi udhëtuar së bashku në disa projekte shoqërore e kulturore, në veprimtari përkujtimore dhe në punë të tjera krijuese, të cilat na kanë lidhur edhe më shumë.

 

 

Më pas, jeta na shpërndau në qytete të ndryshme. Ti shkove në Durrës, unë në Tiranë. Por ja që rastësitë e bukura të jetës na bashkuan përsëri: të dy përfunduam duke punuar në të njëjtin televizion, “Real TV”.

 

D he pikërisht aty, Hajri, zbulove edhe një dhunti tjetër, ndoshta të panjohur deri atëherë edhe për vetë ty: zërin tënd kumbues, të qartë e të veçantë.

 

 

U bëre spiker i kërkuar, aq sa edhe disa televizione të tjera të Tiranës shprehën interes për të të marrë në punë. Por ti nuk pranove, për shkak të largësisë.

 

 

Por rrugët e miqësisë dhe të bashkëpunimit nuk mbaruan me televizionin. Një tjetër kapitull i rëndësishëm nisi kur miku ynë i shtrenjtë, poeti Xhevahir Spahiu, u sëmur dhe Shoqata “Tomorri” në Tiranë nisi të largohej nga misioni i saj kulturor e atdhetar, duke u përfshirë në zhvillimet politike të kohës.

 

 

Një ditë, ajo që dikur kishte qenë një shoqatë e gjallë, e mbushur me veprimtari e njerëz të përkushtuar, më ngjante si një det i kthyer në kënetë.

 

 

Unë, që për vite me radhë kisha punuar për të, duke nxjerrë gazetën “Dielli i Tomorrit”, e gjeta veten të vetëm, me këmbët të zhytura në baltën e asaj kënete. Askush nuk më zgjati dorën, askush nuk më tha: “Eja këtej, se ka ende vend për ty!”

 

 

Disa u larguan pa zhurmë, ndoshta sepse e dinin mirë se çfarë përgjigjeje do të merrnin prej meje.

 

Dhe pikërisht atëherë erdhët ju, miqtë e Shoqatës “Tomorri” të Durrësit.

 

Nuk më pritët nga ndonjë derë e vogël anësore. M’i hapët dyert e shoqatës suaj, më bëtë anëtar dhe, më shumë se kaq, më nderuat me titullin “Anëtar Nderi”.

 

 

Ky nuk ishte thjesht një vlerësim formal. Ishte një gjest miqësie, respekti dhe dinjiteti që unë nuk e harroj.

 

 

Dhe, pas një mirënjohjeje të tillë, si mund të mos punoja unë për ju e me ju? Si mund të mos e vija veten në shërbim të një shoqate që dinte të vlerësonte njerëzit, punën dhe përkushtimin e tyre?

 

 

Ja pse, Hajri, miqësia jonë nuk është thjesht një njohje e vjetër. Ajo është një histori e përbashkët pune, besimi, sakrifice dhe kujtimesh, e ndërtuar ndër vite e në rrethana të ndryshme.

 

 

Dhe sot, kur kthej kokën pas, shoh se sa shumë rrugë ke përshkuar: nga djali i talentuar i Zhepës, të cilit iu mohua mundësia për të vazhduar menjëherë studimet, te veprimtari i rinisë, drejtuesi i aksionit, mësuesi, gazetari, spikeri, regjisori, skenaristi, organizatori dhe promovuesi i vlerave kulturore e atdhetare.

 

 

Një rrugë e gjatë, me shumë ndalesa, por me një fill të përbashkët: përkushtimin ndaj njerëzve, kulturës dhe vendlindjes.

 

 

I dashur Hajri!

 

Në këtë ditë të veçantë, kur tri sebepe na kanë mbledhur rreth teje, dua të të shpreh respektin tim të sinqertë dhe mirënjohjen për rrugën që ke bërë, për punën që ke dhënë dhe për miqësinë që kemi ruajtur ndër vite.

 

 

Të uroj shëndet, jetë të gjatë, gëzime familjare dhe energji për të vazhduar punët e mira. Uroj që të kesh gjithmonë pranë njerëz që të duan, të vlerësojnë dhe të ecin me ty në rrugën e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë.

 

 

Sepse njerëzit si ti nuk maten vetëm me postet që kanë mbajtur, por me gjurmët që kanë lënë te të tjerët, me vlerat që kanë përcjellë dhe me kujtimet e mira që kanë mbjellë në zemrat e njerëzve.

 

Faleminderit!

 

 

Duke shfrytezuar rastin qe mu dha ne kete tribune nderi: Desha te falenderoja dy njerez shume te rendesishem dhe shume dashamires qe na kane ndihmuar ne realizimin ideve dhe te prokteteve tona:

 

 

Kryetarin e Bashkise se Skraparit, Adriatik Mema per dy nga projektet madhore rehalibitimin e plote te figures se luftetarit Mestan Ujaniku dhe firmetarit te Pavaresise, Xhelal Koprencka, qe, me vendimin kurajoz patriotik ne keshillin bashkiak per te ngritur permendoret e tyre ne qender te qytetit, u dha atyre vendin dhe “hisen” zyrtare ne historine e Skraparit dhe nderimin e sotëm të mikut tonë, Hajri Nuhu.

 

 

Falenderimi i dyte shkon per te zotin e kesaj shtepie te madhe mikpritese qe ka vite te tera qe na ka hapur deren kat me kat, Fatos Çerenishtin, pa te cilin idete dhe projekte tona do te ishin si nje enderrr e bukur vere, vetem ne leter.

 

 

Ju përqafoj të gjithëve nga larg!

 

Zylyftar Hoxha

Breshia, Itali

13 nëntor 2026