Një histori pune, korrektese dhe miqësie njerëzore që kapërceu brezat

Një histori pune, korrektese dhe miqësie njerëzore që kapërceu brezat

Nga Rustem Zyko

 

Ka njerëz që i njeh përmes punës, por që me kalimin e viteve mbeteni tënë kujtesën tënde shumë më tepër se kolegë. Ata bëhen pjesë e historisë sate njerëzore, sepse të kanë lënë gjurmë me sjelljen, ndershmërinë, kulturën dhe respektin që kanë ditur të të falin. Të tillë kanë qenë për mua Muço dhe Barije Jaçe, një çift i nderuar skraparllinjsh, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë lënë emër të mirë në jetën e tregtisë dhe të pastiçerisë në Skrapar.

 

Në vitin 1979, kur sapo kisha filluar punë në tregtinë e Skraparit si stazhier, u caktova të mbuloja sektorin e ushqimit social dhe repartin e prodhimit të pastiçerisë. Drejtori i asaj kohe, Skënder Kotobelli, njeri dhe mik i mirë, më ngarkoi një detyrë të rëndësishme: hartimin e kostove të prodhimeve për të gjithë artikujt e ushqimit social dhe për kategoritë e ndryshme të lokaleve. Ishte një punë e vështirë, pasi nuk ekzistonte asnjë dokument ku të mbështetesha. Pas gati tre muajsh pune intensive, shpesh edhe jashtë orarit zyrtar, arrita ta përfundoja detyrën. Materialet u miratuan në këshillin teknik dhe më pas u shpërndanë në të gjitha lokalet e rrethit.

 

Në këtë punë më ndihmoi shumë përvoja profesionale e Muço Jaçes, përgjegjësit të repartit të pastiçerisë. Muço dhe bashkëshortja e tij, Barija, punonin në të njëjtin repart. Ishin të dy specialistë të zotë, njerëz të përkushtuar dhe të respektuar nga kolegët. Për fat të keq, një urdhër administrativ bëri që Barija të largohej nga puna për shkak të një konflikti familjar. Largimi i saj u përjetua me keqardhje nga të gjithë, sepse ajo ishte një punonjëse e mirë dhe një pjesë e rëndësishme e atij reparti.

 

Me Muçon vazhdova të punoja deri në daljen e tij në pension. Ai ishte një njeri i veçantë, me kulturë, edukatë dhe një ndjenjë të jashtëzakonshme respekti për të tjerët. Sa herë që shkoja në repart, edhe kur ishte ulur duke punuar me brumin apo miellin, ngrihej në këmbë për të më pritur e për të më uruar mirëseardhjen. Unë i thosha të mos ngrihej, pasi isha shumë më i ri se ai, por përgjigjja e tij ishte gjithmonë e njëjtë:

 

“Ti je në detyrë, por je edhe njeri i mirë. Je djali i xha Demirit. Unë e kam shumë qejf zërin e tij. Kur këndon ai, gëzohem shumë. Sidomos kur del në radio në mëngjes, nuk iki pa mbaruar këngën!”

 

Kështu më fliste për babanë tim, këngëtarin Demir Jaçe. Ishte një nga ato biseda të ngrohta që nuk harrohen. Shpesh e kundërshtoja për respektet e tepruara që më bënte, por ai, me buzëqeshje, më thoshte: “Të kam si djemtë e mi!” Ky ishte Muçoja: një njeri që dinte të respektonte të tjerët, pavarësisht moshës apo pozitës së tyre.

 

Një episod tjetër më ka mbetur veçanërisht në kujtesë. Një ditë mësova se në repart ishte prishur një fuçi me 50 kilogramë gjalpë të freskët. Muçoja ishte tronditur shumë. Për të nuk ishte vetëm çështje dëmi ekonomik, por mbi të gjitha përgjegjësia morale. Më tha se nuk i kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë dhe se dëshironte ta paguante vetë, vetëm që të mos e merrte vesh njeri.

 

Nuk mund ta lija mikun tim në atë gjendje. Bisedova me drejtorin Skënder Kotobelli dhe së bashku vendosëm të gjenim një zgjidhje. Kërkova ndihmën e Kadri Ibros, magazinierit të Ndërmarrjes së Grumbullimit, një specialist i njohur për këtë lloj pune. Në prani të magazinieres së repartit, Asije Kuçi, u kryen të gjitha veprimet dhe filloi procesi i shkrirjes së gjalpit, me kujdesin e duhur teknik.

 

Pas një pune të vështirë, ia dolëm mbanë. Madje, kur u bënë llogaritë, rezultati financiar doli pozitiv. Për Muçon, megjithatë, gëzimi më i madh nuk ishte fitimi, por fakti që ishte larguar një barrë e rëndë nga ndërgjegjja e tij.

 

Kur mori vesh rezultatin, na tha i emocionuar: “Më keni zbardhur faqen!” Pastaj falënderoi Kadriun dhe më tha se, kur më kishte parë ditën e parë, kishte menduar se si do të punonte me një djalosh aq të ri. Por tani më njihte ndryshe. Ishte një çast i bukur, që tregonte se respekti dhe besimi fitohen me punë, korrektësi dhe karakter.

 

Miqësia me familjen Jaçe nuk u ndërpre as pas largimit të Muços nga puna. Përmes tij u afrova edhe me fëmijët e tij: Verën, Flamurin, Ladin, Bashkimin dhe Sherifin. Me ta kam ruajtur marrëdhënie të mira shoqërore e miqësore.

 

Një tjetër gjest që nuk mund ta harroj lidhet me Flamur Jaçen, i cili në atë kohë drejtonte zyrën e pensioneve në Skrapar. Pas vdekjes së babait tim, në vitin 1992, nëna ime mbeti pa pension të vetin. Flamuri, duke njohur situatën dhe duke treguar një mirëkuptim njerëzor të veçantë, mori iniciativën që llogaritja e pensionit të saj të bëhej mbi bazën e pensionit special që kishte pasur babai im. Kështu, nëna mundi të përfitonte një pension që për kohën ishte shumë i rëndësishëm për të. Ishte një ndihmë që e vlerësova jashtëzakonisht shumë.

 

Edhe në Tiranë miqësia vazhdoi. Kur fëmijët e mi u rritën dhe u duhej të mësonin drejtimin e automjetit, i drejtova te autoshkolla e mikut tim Behar Laze, bashkëkohës dhe koleg i babait tim në këngë. Për fat, instruktori i praktikës ishte Bashkim Jaçe. Ai u kushtoi fëmijëve të mi kujdes të veçantë, duke mos u mësuar thjesht si të merrnin patentën, por si të bëheshin drejtues të aftë automjetesh.

 

Sot, kur i rikthehem këtyre kujtimeve, ndiej detyrimin moral të shpreh mirënjohjen time për Muço dhe Barije Jaçe, për fëmijët e tyre dhe për të gjithë ata njerëz që kanë ditur ta bëjnë jetën më të bukur përmes punës dhe respektit të ndërsjellë.

 

Pastiçeria e Muços dhe Barijes nuk ishte vetëm një repart prodhimi. Ajo ishte një vend ku përgatiteshin ëmbëlsira për familjet skraparllie, për gëzimet, festat dhe rastet e veçanta të jetës. Shumë prej nesh i kujtojnë ende ato prodhime dhe shijen e tyre, ashtu siç kujtojnë njerëzit që i përgatitnin me aq përkushtim.

 

Një falënderim i veçantë shkon edhe për Sherif Jaçen, i cili më mundësoi fotografinë e mikut dhe kolegut tim të vjetër, të cilën po e publikoj së bashku me këto fjalë mirënjohjeje.

 

Këta ishin Muço dhe Barije Jaçe: dy njerëz të punës, të familjes dhe të respektit njerëzor. Kujtimi i tyre dhe i veprave të mira të fëmijëve të tyre është një dëshmi se miqësia e vërtetë nuk shuhet me vitet dhe as me largësinë. Ajo trashëgohet nga brezi në brez.

 

Sepse kështu ndërtohet vazhdimësia: me punë të ndershme, me fjalë të mbajtura, me respekt dhe me mirënjohje. Le t’ua përcjellim këto vlera edhe brezave që vijnë!

 

#Blog#

#Orakujt…#