Axhem Breshani, njeriu që i dha “emër” fshatit
Hysen Binjaku
Në fshatin Çerricë, në rrjedhën e viteve deri në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit të 20 – të, jeta ka vazhduarë “pa bujë”. Fshati nuk është i dëgjuar për bëmat e “Burrave të motshëm”, “Heronjve”, “Dyerve të mëdha” apo për të “Parin e fshatit”.
Kështu thoshin më të moshuarit, të tillë e kam përjetuar edhe unë në hapat e para të jetës.
Gjysma e dytë e shekullit të 20- të nisi me ndryshime të thella në mbarë vendin, pra edhe në krahinën dhe fshatin tim. Nuk them se ndryshimet ishin më të mirat e mundëshme (koha tregoi se nuk qenë të tilla), por, si për çdo kohë, edhe për atë të atyre viteve do të flitet për çfarë ka ndodhur, si ndodhi, kush ishin protagonistët etj.
Në mars të vitit 1956 nisi në Tomorricë e ashtuquajtura reformë e kolektivizimit të bujqësisë në bazë fshati, e cila përfundoi në fund të vitit 1959. Thuhej se u përdor metoda e bindjes, por, në fakt, duhet të ketë qënë një detyrim shtetëror. Shtrirja në kohë (gati tre vjet) dhe mos kryerja njëkohësisht në të gjitha fshatrat, flet pikërisht për atë se ka patur rezistencë.
Në Çerricë kolektivizimi u bë në tetor 1957. Në atë kohë fshati numëronte rreth 40 familje të cilat u rregjistruanë në kooperativë. Në momentin e krijimit kjo ekonomi kishte 60 hektarë tokë arë (e punueshme), 12 pendë qe dhe 80 krerë bagëti të imta. Çdo familje mbajti 3 dynymë tokë arë dhe mund të mbante një lopë, një kafshë samari dhe 10 kokë bagëti të imta pronë individuale. Punimi i tokës realizohej me qetë e kooperativës ndërsa transporti bëhej me kafshët e samarit të anëtarëve (kundrejt shpërblimit me ditë pune).
Këto ndryshime në marrëdhënien e punës natyrshëm kërkonin dhe nxorën në pah edhe njerëzit që do të merreshin me “qeverisjen” e kësajë ekonomie të përbashkët. Anëtarësia e kooperativës zgjodhi, me votim, një kryesi me pesë anëtarë. Kryesia e kooperativës, po me votim, zgjodhi kryetarin e kooperativës, personin që do ishte drejtuesi kryesor i ekonomisë së përbashkët. Kryetar u zgjodh Axhem Syrja Breshani (1919 – 2000) në atë kohë burrë i pjekur me katër fëmijë. Është pikërisht Axhemi, ai që “prishi” (për mirë) “mungesën” e një të “Pari” në fshat dhe do të jetë personazhi kryesor i shkrimit.
Në organizimin e punëve dhe administrimin e ekonomisë kolektive , veç kryetarit kishte edhe një “administratë” të vogël e përbërë nga: Llogaritari, magazinieri dhe dy brigadierë (numëri i brigadierëve nuk ishte fiks, varej nga numri i anëtarëve të kooperativës, sasia e tokës arë etj.). Llogaritar, në krijimin e kooperativës, u cakta Muharrem Estref Breshani, djalë i ri, nënkuptohet kishte disa klasë shkollë. Magazinier u caktua Haki Hodo Spahiu, burrë i urtë dhe i zgjuarë, qëndroi në detyrë deri sa doli në pension në fillim të viteve shtatëdhjetë. Nisur nga sasia e tokës arë, shtrirja e madhe dhe largësia nga fshati, u krijuanë dy brigada.
Në njërën brigadë brigadier u caktua Shefqet Shahin Gjini ndërsa në tjetrën Vesel Hekuran Mersinasi. Pas rreth një viti, Muharrem Breshani shkon në një kurs për traktorist së bashku me Mersin Refat Mersinasi, të cilët u bënë ndër traktoristët e parë dhe të njohur në Tomorricë. Në vend të Muharremit, llogaritar caktohet Vesel Hekuran Mersinasi (1934 – 2011), djalë i ri, me disa klasë shkollë, u kualifikua herë pas here në kurse profesionale disa mujore.Veseli vazhdoi në këtë detyrë deri në vitin 1966, mbas kësaj kaloi Brigadier në Ndërmarrjen Shtetërore të Druve Skrapar (Sektori i Tomorricës) deri sa doli në pension.
Në vend të Veselit, brigadier filloi Kudret Hysen Binjaku (1922 – 2006) për jetën dhe punën e të cilit do të ndalem pak më gjatë. Kudret Binjaku është im Atë. Në krijimin e kooperativës ai nuk ishte në Çerricë (në fshat, në atë kohë, banonte Xhaxhai me familjen e tij dhe Nëna ime me tre fëmijë).
Në fillim të vitit 1944 Kudreti, 22 vjeçar, aktivizohet në Njësinë Territoriale dhe më von në Brigatën e Dhjetë Sulmuese deri në çlirimin e Tiranës. Mbas çlirimit të Tiranës, caktohet me punë në Këlcyrë në një repart ushtarak me detyrë nënoficer.
Në vitin 1949, për arsye familjare, kthehet në fshat, martohet dhe në vjeshtë të vitit 1950 i lind fëmija i parë. Pas disa muajsh kthehet në Këlcyrë për të rifilluarë punën, tashmë bashkë me të ishte nëna dhe unë. Kemi banuarë rreth tre vjet në Këlcyrë, sigurisht me qira, në një familje mjaft të mirë me të cilën patëm miqësi për mjaft kohë.
Në fund vitin 1953 apo fillim viti 1954, Babai transferohet në Tiranë, në të njëjtin pozicon, në një repart ushtarak diku në kodrat rrëzë Dajtit, ndërsa nëna dhe unë kthehemi në Çerricë. Në vitin 1956 u përpoq të tërhiqte edhe familjen (Nëna unë dhe një motër), banuamë disa muaj në një shtëpi me qera por nuk ndenjëm gjatë, u rikthyem në Çerricë, pasi në atë kohë filluanë shkurtimet në radhët e Ushtrisë dhe Policisë (të famshëmit 6 – mijësh, 9 – mijësh).
Nuk zgjati shumë, babanë e nxjerin në lirim, i ofrohet mundësia të vendosej në një nga Fermat Bujqësore që u krijuanë në atë kohë (Cerrik, Thumanë etj.) por ai preferoi të kthehej në Çerricë. Kështu, në fund të vitit 1958 (tashmë me tre fëmijë) Kudreti fillon punë në kooperativë në pozicionin e brigadierit dhe zv.kryetar i kooperativës (jo funksionar) deri në krijimin e kooperativës së bashkuarë Zhepë në vitin 1966.
Le të kthehemi tani tek personazhi kryesor, Axhem Breshani.
Me emrin dhe punën e tij (për mirë apo për keq) është e lidhur historia (nëse mund ta quaj kështu) e kooperativës së Çerricës si dhe fillimet e kooperativës së bashkuarë Zhepë. Axhemi, si kryetar i zgjedhur (jo i emëruar) punoi, siç thuhet “me mish e shpirt” që fshati, bashkëfshatarët e tij të kishin prosperitet.
Dhe rezultatet nuk munguanë. Pavarësisht gjithçkaje, shoqërizimi i forcave të punës dhe mjeteve të prodhimit solli zhvillime pozitive në rritjen e prodhimit dhe mënyrën e jetesës, sidomos në vitet e para kur shpërblimi i punës në kooperativë bëhej me prodhim në natyrë bazuarë në ditët e punës që kishte realizuarë çdo familje. Me prodhimin ishin të lidhur (gjithashtu të interesuarë) edhe drejtuesit, kryetari, llogaritari, magazinieri dhe brigadierët, pasi edhe ata me ditë pune paguheshin dhe gjithëçka varej nga vlera e ditës së punës. Çerrica kishte shumë tokë arë por mungonte uji për vaditje, ëndërr e çdo banori të fshatit.
Në vitet 1963, kryetar Axhemi nis “aventurën” e tij të parë. Zotohet se do sjellë ujë për vaditje në Çerricë. Ujë kishte me bollëk në Leskovë e Gurrazes (kishte edhe në Zhepë por ai shfrytëzohej për vaditje nga kooperativa e Zhepës) por hajde ta sillje atë deri në Çerricë, mbi 5-6 kilometra larg dhe terren kodrinor. Axhemi, rregullon “letrat” me fshatrat Gurrazes, Leskovë (edhe Zhepë pasi uji duhet të kalonte përmes këtij fshati për të ardhur në Çerricë) merr lejën në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Skrapar dhe nis “puna vullnetare” për të sjellë ujë në Çerricë.
Kujtojmë që jemi në vitin 1963, nuk kishte mjete të tjera veç kazmës dhe lopatës, nuk kishte projektues dhe zbatues punimesh. Projektimin dhe zbatimin e punimeve e mori përsipër vetë Kryetari, kanalin e çanë banorët e Çerricës. Axhemi nuk kishte shkollën e mjaftueshme të projektonte apo zbatonte këtë projekt, por kishte intuitën dhe vullnetin për ta bërë atë punë. Dhe vjen “shpikja” e Axhemit, që tregohej si “anekdodë” në fshatrat e Tomorricë, që mbahet mend edhe sot. Në ato pjesë të kanalit ku terreni nuk ishte i drejtë, duhej gjetur vendi dhe mënyra se si duhej ti vije “vërdallë” një kodrine a një përroi. Axhemi hapte një pjesë të kanalit lëshonte ujin, hidhte në të një shishe të mbushur me ujë dhe të taposur. Lëvizja e shishes e orientonte çfarë duhej të bënte që pjerrësia e kanalit të ishte optimale, kthesat të ishin sa më të buta e gjëra të tjera të tilla. Rezultati! Në vitin 1964 në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit” (vendi ku ndahet Zhepa me Çerricën) uji i Përroit të Gurrazezit ndahet në dy degëzime: njëri degëzim për në brigadën e parë (lagjet Mersinasi dhe Breshanë) degëzimi tjetër për në brigadën e dytë (lagjet Spahiu, Binjaku dhe Bollobanë) për të ujitur tokat e “zhuritura” ndër shekuj.
Pasi pruri ujin për vaditje, Kryetar Axhemi mendoi edhe për shtimin e tokës arë (Çerrica, në atë kohë, kishte sipërfaqe të mëdha me pyll, një pjesë e të cilit ishte shkurre ose i degraduarë). U fillua të hapeshin toka të reja me krahë, qilizëm me kazmë, kryesisht në anët e arave ekzistuese duke i zgjeruarë ato, dhe pati rezultate të kënaqëshme. Mirëpo vizionari Axhem mendonte dhe kërkonte më shumë. Verë – vjeshtë e vitit 1964, – do të sjell traktorin në Çerricë – tha, dhe nuk e zgjati.
Një ditë të bukur niset “Furtunë” (kështu i thoshin bashkëfshatarët) për në Grëmsh. Pasi rregulloi punën me ata të rrethit, dërgon lajm: – Në ditën … dhe orën … djemtë më të fuqishëm të fshatit të zbresin në Lirizhda (kështu quhet një arë në buzë të lumit të Tomorricës, pjesë e fshatit tonë), me vete të marin kazma, lopata, sopata dhe litarë … po sjell dy traktorë në fshat.
Gëzim i papërshkruar, gjithë fshati, i madh dhe i vogël, ca përpara dhe ca pas traktorëve, vraponin dhe brohërisnin (Hej … ju të sotmit, mos u çuditni … nuk ishte ngjarje e vogël … dy traktorë “zbarkuanë” në Çerricë për herë të parë në këtë jetë!). Brazda e parë u hap në Tartushkë për të mos u ndalur kurrë më. Traktoristët ishin dy djem të rinj, njëri quhej Tare Zodia nga Sotira kurse tjetri Ikmet Menko nga Shëmbërdhenji (Menkollarë). Punuanë mirë atë vit ata djem, edhe fshati i priti mirë.
Pas ujit për vaditje dhe traktorit për shtimin e tokës arë dhe lehtësimin e punës së krahut për anëtarët e kooperativës, Axhemi vriste mëndjen si e si të shtoheshin të ardhurat, të rritej mirëqënia. Çerrica nuk kishte (dhe nuk ka) mal (gjë tepër e nevojshme për blektorinë) por kishte dhe ka pyll, sidomos pyll me pisha.
Me iniciativën e tij, Axhemi krijoi një skuadër (me burra dhe djem të fuqishëm) bleu tre sharra druri krahu, i vendosi ato në tre pika të ndryshme në pyllin me pisha dhe filloi puna për prodhimin e “Dhogave” (kështu quheshin në atë kohë “dërrasat e drurit” në fshatin tonë). Me dhoga furnizoheshin banorët e fshatit por edhe fshatrat e tjera, në Tomorricë e më gjerë (edhe nga Gradeci i Skraparit vinin e blinin dhoga në Çerricë).
Në fund vitin 1966 – fillim viti 1967, u krijua kooperativa e bashkuarë Zhepë në të cilën u përfshinë fshatrat: Zhepë, Çerricë, Çorrotat, Gurrazes dhe Leskovë. Kryetar i kooperativës së bashkuarë Zhepë u zgjodh Axhem Breshani, të cilën e drejtoi deri në vitin 1969. Pas këtij viti Axhemi ishte brigadier i brigadës së ndërtimit dhe brigadier blegtorie deri sa doli në pension në vitin 1984.
Nisur nga përvoja e mirë me sharrat e krahut në Çerricë, Axhemi ndërtoi në Malin e Koshnicës (pjesa Çorrotat – Gurrazes) dy Impiante Sharra me Ujë, të rralla këto në Tomorricë dhe Skrapar. “Marifetin” e Sharrave me Ujë e kishte parë, në kohën kur ishte ushtar në vitet 1947 – 1948 në Pukë, e njohur për prodhimin e lëndës drusore. Veç sharrave me ujë “ngriti” dhe një “sektor artizanati” për të cilin qarkullonte edhe një “anektodë”. Kur e pyesnin Axhemin se sa shërbime artiazanati kishin ngritur, Ai thoshte: Kemi “samar punues” Xaken, “këpucar” Myrtezanë dhe “berber” Hamzanë. Në fakt, Xake, Myrteza dhe Hamza ishte një njeri i vetëm, ishte Xake Gurrazezi, një mjeshtër i vërtetë dhe burrë shumë i mirë.
Axhem Breshani nuk ishte vetëm një drejtues i aftë, një njeri që punoi me përkushtim e ndeshmëri për t’i shërbyerë fshatit, bashkëfshatarëve të vetë. Ai ishte edhe një familjar dhe baba shumë i mirë. Së bashku me Nënë Hatixhenë, Ai rriti dhe edukoi më së mirë 3 (tri) vajza dhe 4 (katër) djem.
Sembie (martuarë në Grevë), Resmie ( 1947 – 2013), e para vajzë nga Çerrica që mbaroi shkollën e mesme, punoi mësuese në Zhepë në vitet 1967- 1971, në Gjerbës në vitet 1971-1975, pas kësajë punoi përgjegjëse e Zyrës së PTT Gjerbës (Resmia ishte bashkëshortja e mësuesit të njohur Idari Carkanji, veteran i arsimit në Skrapar, banon në Durrës).
Vajza e tretë e Axhemit, Hajrie Breshanit, shoqa ime në shkollën shtatëvjeçare, mbaroi për Inferieri në Korçë në vitet 1964-1967, punoi infermiere në Çerricë, Zhepë, Leskovë, Divjakë, Spitali Kirurgjia e Zemërs Tiranë deri sa doli në pension. Hajrija është martuarë me veteranin e bujqësisë në Skrapar, Agronomin Estref Dorrozhani, i cili, së bashku me të shoqen janë vendosur (pensionojnë) në Leskovë. Djemtë Fariu, Leonardi dhe Besniku janë mësues, ndërsa Ardiani infermier.
Axhem Breshani e donte Çerricën, i donte bashkëfshatarët e tij, bëri sa mundi (bashkë me ata) deri sa mbylli sytë në shkurt të vitit 2000 . Edhe Çerrica, Çerricarët e kanë dashur dhe respektuarë njeriun e tyre. Axhem Breshani është përfaqësuesi më i denjë i Çerricës dhe Çerricarëve në gysmën e dytë të shekullit të njëzetë.