Do të na mungojë një njeri tepër i çuditshëm, si Dule Kalemi!

Do të na mungojë një njeri tepër i çuditshëm, si Dule Kalemi!

Sot mora lajmin e ndarjes nga jeta të një prej miqtë të mi më të çuditshmit, Dule Kalemit, 93 vjeç, që, edhe pse me një moshë të tillë, edhe pse me mungesën e gjatë të bashkëshortes, edhe pse me një dhimbje tjetër të rëndë pas saj, vdekjes së parakohshme të djalit, bënte një jetë tepër aktive: pikturonte, lexonte, shkruante libra. Kishte botuar gjashtë të tillë deri tani.

 

Shtëpia e tij ishte kthyer në një studio të vërtetë pune, ku ai realizonte pikturat e tij, të cilat janë me qindra dhe të shpërndara në miq e shokë.

Në pikturë ai ka përdorur teknikat në vaj. Piktura e tij shquhet më shumë nga përmbajtja se sa nga forma, ka veçori simbolikën, që të mban gjatë për ta “lexuar”.

Kur e pyesje për gjithë këto punë që bënte, ai përgjigjej: “Nuk i bëj për të “vrarë kohën”, jo për ta shtyrë, por për ta jetuar jetën, për t’i dhënë asaj kuptim”.

Ndër librat më të mirë të Dules ishte monografia “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”, në parathënien e të cilit ai shkruan:

“Ky libër për mikun tim familjar, Mestan Ujaniku është nxjerrë nga thellësia e shpirtit si një tufë lulesh homazhi për heroin, luftëtarin dhe frymëzimin e jetës sime, një tufë lule që e kam mbajtur dhe e kam selitur në shpirt një jetë të tërë, por që në të vërtetë tani e nxora së thelli.

Në të gjithë këtë vramendje, kur ëndrrën e bëra konkrete, si një kurorë të lidhur, harrova një “detaj të vogël”: nuk kisha ku ta vija këtë kurorë, pasi Mestani nuk ka varr!

Atëhere në zemër të njerëzve, thashë, s’kam adresë tjetër!

Ndaj lexim të kendshëm, të dashur lexues të këtij libri të shkruar me dashuri dhe dhimbje”!

 

Kishte qenë partizan (për shkak të moshës fare të re, bënte rolin e korrierit). Pas çlirimit, punoi disa vjet me Rininë në rrethin e Skraparit. Pastaj oficer në Ministrinë Mbrojtjes. Më pas mbaroi studimet e larta për agronom dhe punoni në ndërmarrjen Komunale të Tiranës, në fidanishten e luleve dhe prej andej në ekonomitë ndihmëse të Ministrisë së Brendshme. Doli në pension si përgjegjës i Ekonomisë Ndihmëse të Shkollës së Edukimit në Tiranë. (Z. H)