Skrapar: Përkujtohet 75 – vjetori i rënies së dëshmorit Ismail Alushani (Gjerbësi)

Skrapar: Përkujtohet 75 – vjetori i rënies së dëshmorit Ismail Alushani (Gjerbësi)

Sot, më 23. 05. 2022, Organizata e Dëshmorëve dhe Oragnizata e Veternëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Skraparit përkujtuan 75 vjetorin e rënies së dëshmorit Ismail Alushani nga Gjerbësi, ku morën pjesë pjesë familjarët dhe pasardhës të familjeve të Deshmorëve dhe të veteraneve të Luftës antifashiste NA-ÇL.

 

Po kush ishte Ismail Alushani

Ismail Alushani lindi në Gjerbës të Tommorricës në vitin 1918. U inkuadrua në çetën e parë partizane të Skraparit që ditën e parë të formimit të saj në qafën e Kulmakut, në 14 mars 1942.

 

Dalja e tij partizan në krah të luftëtarëve dhe patriotëve të shquar, komandantit  Mestan Ujaniku dhe komisarit Gjin Marku tregon formimin atdhetar të tij, si dhe rrugën në të cilën ai kishte vendosur të ecte. Ai  nuk u nda asnjë ditë edhe nga radhët e formacioneve të tjera partizane.

 

Me riorganizimin e forcave partizane të qarkut të Beratit, në Kulmak, në korrik të vitit 1943, Ismaili bëhet efektiv i batalionit partizan “Riza Cerova”. Më 17 mars 1944  në ditën e formimit të Brigadës së 7-të sulmuese,  në Vlushë të Skraparit, Ismaili emërohet komandant kompanie dhe  më pas zëvendës dhe komandant batalioni në këtë brigadë.

 

Dihet inkursioni i Brigasës së 7-të Sulmuese, e cila luftoi në ndjekje të armikut deri në tokat e Jugosllavisë, në vitin 1945, pas çlirimit të vendit tonë. Pas kthimit prej andej, me gradën e kapitenit të parë Ismaili emërohet komandant në batalionin e këmbësorisë në Përmet dhe më pas komandant i batalionit të dytë të ndjekjes në zonën e Elbasanit.  Batalioni i tij kishte për detyrë të asgjësonte bandat diversioniste që synonin destabilizimin e vendit.

 

Më 23 maj 1947, vritet në përpjekje me forca diversantësh të udhëhequr nga Hamit Matjani.  Shokët e tij të luftës e kanë vlerësuar Ismailin jo vetëm një luftëtar trim, por dhe si një njeri I nivelit të lartë për tu admiruar.

 

Shkolla e fshatit Gjerbës ku janë arsimuar mijëra të rinj e të reja mban emrin e heroit “Ismail Alushani”. Ai prehet në varrezat e dëshmorëve të Skraparit bashkë me shokët e tij të rënë në luftë.