Dyqani i Rakos në Korçë dhe pazarakët esnafë të Skraparit
Sot në “Rrëfime nga Korça”, në Web-in e kolegut tonë, Vepror Hasani ishte postimi i mëposhtëm për dyqanin e Rakos në Korçë. Mua gjithmonë postimet e Veprorit më “ngacmojnë”, pasi ai është një “punëtor” i palodhur dhe serioz i letrave dhe i historisë së Korçës, histori që në shumë raste lidhet edhe me historinë e krahinave fqinje, siç është Skrapari.
Ja, psh, ky postimi i sotëm më kujtoi fshatarët e mi që shkonin pothuaj se muaj për muaj në Korçë për të bërë pazar. Shisnin produkte bujqësore dhe blegtorale dhe blinin veshje, vegla pune, por që shkonin kastile, ishin pajat nuseve etj.
Ata përmendnin shpesh Rakon si një tregtar korrekt, besnik dhe garant i borxheve të tyre, pasi, kur merrnin ndonjë mall veresie, i thoshin që t’i merrnin te Rakoja lekët dhe kur vinin pastaj javën tjetër ia shlyenin atij borxhin.
Në Visockë, familja e madhe e Poçellarëve kishte shumë rrush dhe nxirrte raki me kuintalë, të cilën e shiste Veizi në Korçë. E transportonte me kafshë në kacekë lëkure. Ai e mburrte shumë Rakon. “Kur i jap mostrën e rakisë, ta provojë, nuk e provon, thoshte Veizi, por edhe rakinë asnjë herë nuk e maste dhe nuk e peshonte, por më thoshte: Sa ke? E mbante shënim dhe më thoshte: Hidhe në vaskë”!
“Esnaf burrë”! – mbyllte me kranari bisedën Veizi dhe mburrej që kishte një mik të tillë.
Postimi i “Rrëfime nga Korça”
Rakoja ishte me origjinë nga Gjirokstra. Ai ishte një nga tregtarët më të mëdhenj të Korçës. Dyqani i tij ishte i madh, i bukur dhe mjaft i veçante, me një arkitekturë mbresëlënëse. Në kohën e monizmit u shpërngul në Lushnjë, ndërsa thuhet se të afërmit e tij sot jetojnë në Durrës
Pranë dyqanit të Rakos, gjendej një ushqimore, berberana, bulmeti, madje edhe sot e kësaj dite gjendet edhe një furrë pjekjeje.
Dyqani i Rakos eshte pjese e dyqaneve te pazarit, por per shkak te indiferences qe treguan pushtetaret gjate 20 viteve te fundit, ky dyqan, si shume te tjere te pazarit te Korçës, po shembet.