Izet Hysi – Spathara: Jeta dhe pasjeta e një njeriu të mirë…

Izet Hysi – Spathara: Jeta dhe pasjeta e një njeriu të mirë…

Njeriu ka një jetë të limituar biologjike, që ka një fund, por ai ka edhe një mbijetë ose një “jetë tjetër” pas vdekjes, që janë kujtimet, gjurmët që lë pas. Sa më të thella të jenë këto gjurmë, aq më i pavdekshëm bëhet njeriu, sepse ai në një farë mënyre rron në atë që ka bërë, rron në atë që ka thënë,  rron te fëmijët, te afërmit, miqtë e shokët, te të njohur e të panjohur.

 

I tillë njeri, me gjurmë të thella, ka qenë edhe Izet Hysi nga Spathara e Skraparit, i cili pas gati dhjetë vjetësh nga ndarja nga kjo botë, vlerësohet nga miqtë shokët, nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ me titullin Nderi i Organizatës së Veteranëve të Shqipërisë. Në një ceremoni modeste, ku ishin mbledhur fëmijët, nipërit, mbesat, të afërm, miq e të ftuar të tjerë, certifikata iu dorëzua djalit të madh të Izetit, mjekut Bashkim Hysi.

 

Hysajt, një familje e njohur

 

Izet Hysi lindi në një familje të madhe dhe me tradita të lashta atdhetare në Spatharë të Skraparit, burrat e së cilës, si i ati i Izetit, Mehmetaliu, xhaxhai i tij, Ramiz Spathara, por edhe të afërm të tjerë të familjes ishin angazhuar në disa periudha historike që nga mbrojtja e Qeverisë së  Vlorës më 1912, Luftën e Parë botërore, Revolucionin e Nolit të vitit 1924, Kryengritjen e Fierit në vitin 1935 etj. Madje, Ramiz Spathara, mik dhe shoqërues deri në vdekje i Riza Cerovës, dha edhe ai jetën në përpjekjen e fundit për t’u arratisur jashtë Shqipërisë.

 

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare familja e tij jo vetëm u bë strehë dhe bazë për partizanët, por edhe u radhitën në të edhe tre pjesëtarë të familjes, vetë Izeti në forcat territoriale, ndërsa vëllezërit e tjerë, Nekiu, në Brigadën e Dytë Sulmuese dhe Et-hemi, fillimisht në Grupin e Skraparit dhe më pas në Brigadën e 16-të Sulmuese, kurse Pas Luftës, veç Nekiut dhe Et-hemit, që vazhduan në karrierë ushtarake, në radhët e ushtrisë, si oficer karriere punoi edhe Zeneli, vëllai tjetër i Izetit, ndërsa Saliu, më i vogli, punoi në detyra të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore.

 

Tërë shtëpia në supet e Izetit

 

Në vitin 1940 Izeti shkon ushtar, kthehet nga ushtria në vitin 1943. Në fshat përballet me dy fronte: rimëkëmbjen e ekonomike të familjes, pasi dy vëllezërit ishin në luftë, por edhe zjarri i luftës nuk të linte të rrije sehirxhi. U mobilizua në formacionet rajonale partizane, dhe me një “maliher” në krah marrë pjesë në shumë luftime si në Vxharr, Paraspuar, Qafën e Kumbullave dhe në Operacionin e Qershorit, në luftimet që u zhvilluan në Kodrat mbi Vëndreshë, në Qafën e Shkozës dhe në Qafën e Murrizit.

 

Duhet thënë se, duke qenë aktivistë i spikatur i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vëllai i  dy partizanëve efektivë në formacione të rëndësishme të UNÇL, Izeti ka përballuar trysni të madhe sa herë që ballistë vinin në fshat. Mëse një herë ata sekuestruan dhe grabitën mallin dhe gjënë e gjallë të familjes së Hysajve si hakmarrje për aktivizimin, qëndrimin dhe simpatinë e tyre ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

 

Pesha e detyrave të reja

 

Që në vitin 1942, me krijimin e Këshillave Nacionalçlirimtare, Izeti u zgjodh sekretar i këshillit të fshatit, detyrë që e kreu edhe pas Çlirimit, duke gëzuar besimin absolut të popullit. Shkrim e këndim, me një vullnet të paparë mësoi nga i vëllai, Nekiu. Mësoi aq shumë dhe aq mirë sa në vitet 1946- 1948, u bë “mësues” dhe drejtues i kurseve kundër analfabetizmit që zhvilloheshin në atë kohë në lagje e në fshat.  Si njeri me reputacion të padiskutueshëm në masë, ai zgjidhet kryetar i fronit Demokratik të fshatit, një organizatë me shumë peshë dhe rëndësi në atë kohë.

Në vitin 1957, me krijimin e kooperativës bujqësore, u zgjodh njëzëri nga fshati kryetar i kooperativës bujqësore Spatharë. Në historikun e fshatit ai njihet si kryetari i parë, i kooperativës së parë. Me gjithë vështirësitë e fillimit, Izeti u shqua si drejtues i zoti, ndaj dhe u rizgjodh dhe drejtoi me ndershmëri për 10 vjet me radhë. Kur kooperativa u bashkua me Vëndreshën dhe fshatrat e tjera të rajonit, Izeti u zgjodh sekretar i Byrosë së Partisë dhe nënkryetar i kooperativës për katër vjet me radhë. Në këto vite ai u kualifikua në një shkollë 1-vjeçare për kuadro drejtuese në Tiranë.

 

Me gjithë lutjet e shokëve dhe kërkesën e popullit, Izeti, i ndërgjegjshëm se koha kërkonte njerëz të rinj me nivel të lartë shkollimi, largohet nga detyra. Fillon punë si teknik dhe drejtues i punishtes së rrushit në Vëndreshë. Ky iu bë edhe zanati bazë, ku ai punoi deri sa doli në pension. Nga Vëndresha shkoi në Prishtë, pastaj në Sevran dhe më së fundmi në Çorovodë, në punishten e përpunimit të qumështit.

 

Mjek popullor

 

Në familjen e Hysajve e kanë pasur traditë mjekësinë popullore. Këtë e trashëgoi edhe Izeti. Ai u “specializua” sëmundje te gojës. Bleu darë dhe mjete të tjera dentare dhe ndihmonte njerëzit në nevojë, duke u shkulur dhëmbë te prishur, por edhe duke i mjekuar me barna popullore.

 

Besimtar i thekur bektashi

 

Kjo familje ka patur e dhe një veçori tjetër, ka qenë familje besimtare në fenë bektashiane dhe faleshin në teqetë dhe tyrbet më të famshme. Një nga këta besimtarë, megjithëse komunist, ka qenë edhe Izeti.

 

Në vitin 2002, kur Izeti ishte i sëmurë, Izeti thërret djalin e tij, Bashkimin, dhe i besoi një “sekrete” të madh që e kishte mbajtur përbrenda për 35 vjet me radhë. Ishin 12 teslimë të teqesë së Therepelit, që Izeti i kish ruajtur që nga prishja e teqesë në vitin 1967. Ai e porositi Bahkimin, që këta teslim me gurë të çmuar t’i çonte atje ku e meritonin dhe ku kishin vendin, në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë. Dhe Bashkimi e vuri në vend amanetin babait. Teslimët janë edhe sot në Panteonin e ri Kryegjyshatës.

 

Një familje shembullore

 

Në jetën bashkëshortore më Bajamen, lindën dhe rritën 11 fëmijë, tetë djem dhe tri vajza: Djalin e madh, Bashkimin, mjekun e njohur në të gjithë Skraparin, por edhe në Tiranë; Shkëlqimin, Mehmetin, Bilbilin, Turabiun, Astritin, Viktorin, Mirelin; vajzat, Zyranë, Bardhën dhe Fatimenë, të cilët duke trashëguar një edukatë shembullore familjare, reflektojnë cilësitë më të mira njerëzore dhe gëzojnë respektin e të gjithëve, kudo që ndodhen. Izeti, për shkak edhe të angazhimit të vëllezërve në Luftë, i ra barra për të mbajtur shtëpinë me punët e rënda. Ai iu përkushtua familjes me punë të ndershme dhe të drejtpërdrejtë.

 

Njeri me norma dhe reputacion të jashtëzakonshëm

 

I tillë ishte Izeti, punëtor, i ndershëm, njeri me autoritet dhe personalitet, mbi të gjitha, një njeri me gjurmë të thella. Ai ishte njeri me norma si për vete, por edhe  për tërë familjen dhe fisin. Në shoqëri ai paraqitej gjithmonë si një njeri korrekt, që s’luante nga parimet, i drejtë dhe i ndërgjegjshëm, ç’ka i jepte atij në autoritet dhe një reputacion të jashtëzakonshëm. E idealizonte dhe e quante të shenjtë të kaluarën e familjes, duke krijuar sebepe për të mbledhur ku ishin e ku s’ishin, vëllezër, nipër e mbesa, miq, të afërm e të largët.

 

Bashkim Hysi, në gjurmët e të atit

 

Mjeku Bashkim Hysi është djali i madh i Izetit. Duke zbatuar porositë e të atit, Bashkimi i mban të mbledhur vëllezër e motra. Nuk ka muaj të mos shkojë në Spatharë te e ëma, që pak njerëz e bëjnë këtë në këto kohë të vështira.

Po cili është Bashkimi? Bashkimi e nisi punën që në fakultet, kur ishte student. Krahas mësimit, punonte si mjek në Qytetin Studenti, gjë që e bëri më të sigurt, më serioz, më komunikues në profesionin e tij. Pas specializimit u caktua shef i repartit të Pediatrisë në Spitalin e Çorovodës. Ai erdhi këtu nga fillimi i viteve ’70, në një kohë kur për shkak të kushteve të vështira të jetës në fshat, të punëve të rënda që bënin gratë, të edukatës dhe higjienës së ulët, spitali mbushej plot e përplot me fëmijë, sa ndonjë herë ata shtroheshin edhe në pavijonet e tjerë. Një punë e jashtëzakonshme, po të kesh parasysh që s’kishte tjetër mjek të specializuar. Por Bashkimit, veç kujdesit për ta në spital, i duhej të merrej edhe me edukimin shëndetësor, me çerdhet dhe kopshtet, me punën profilaktike, jo vetëm brenda qytetit, por edhe në shkallë rrethi.

 

Megjithëse ai për nevoja pune u caktua më pas në detyra të tjera si, drejtor spitali, shef shërbimi, shef i seksionit të shëndetësisë të rrethit, ai s’hoqi asnjë ditë dorë nga profesioni. Me çantën në dorë, ditën dhe natën, atë do ta gjeje sa në spital aq edhe nëpër shtëpira pranë fëmijëve të sëmurë. Vetë profesioni i mjekut, që cilësohet nga më humanët, ndërgjegjja e lartë, edukata familjare, pasi Bashkimi rridhte nga një familje e dëgjuar dhe shumë punëtore, bënë që ai të ishte një nga njerëzit më të njohur, më të dashur dhe të respektuar në të gjithë krahinën e Skraparit.

 

Pas viteve ’90, Bashkimi vjen në Tiranë. Për shumë kohë ai qe drejtor i Qendrës Shëndetësore të Kamzës, të cilën e ngriti me duart e tij dhe e çoi në nivele bashkëkohore. Për arsye politike, siç ndodh rëndom te ne, e hoqën si drejtor, i ofruan dhe punë gjetkë, por ai s’u largua nga Kamza ku punoi prej shumë vitesh deri sa doli në pension.