Ditë e zezë për Përmetin/Milva Ikonomi mbylli librarinë; Hulsi Manja, gjykatën!…

Ditë e zezë për Përmetin/Milva Ikonomi mbylli librarinë; Hulsi Manja, gjykatën!…

Nga Bledi Mane

Pesë vjet më parë debatoja me ish ministren e ekonomisë Milva Ekonomi se na bëri gjëmën në Përmet. Libraria historike e qytetit e çelur në vitin 1947  edhe pas 70 vjetësh ishte pronë publike por ende funksionale, vendi ku takoheshin intelektualët dhe artistët përmetarë, por Milva e privatizoi duke ia tjetërsuar qëllimin funksional.

 

Sot ish libraria është një kafene, Përmeti ka 34 kafene të tjera, por asnjë librari. Unë u mërzita shumë, por Milva u trishtua më tepër, jo nga mbyllja e libraries, por nga rezistenca ime dhe nuk përtoi të më kërcënonte me disa gangsterë nga Durrësi…

 

***

 

Shefqet Çelo, babai i piktores Safo Marko dhe vjehrri i shkrimtarit Petro Marko pas pavarësisë së Shqipërisë emërohet kryetar bashkie në Përmet. Në kujtimet e tij përmendet angazhimi i banorëve të zonës e veçanërisht zengjinëve të qytetit të cilët i kërkuan qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës ngritjen e gjykatës e qysh prej vitit 1922 Gjykata e Përmetit ishte dhe mbeti një nga gjykatat më të vjetra e më rentabël në Shqipëri deri dje.

 

Sot ministria e drejtësisë vendosi ta mbylli gjykatën e Përmetit por do mbajë hapur gjykatën e Dibrës ndaj dhe unë vendosa të debatoj në “Whats app” me ministrin Ulsi Manja duke i kujtuar se po cënon rëndë jo vetëm të drejtat kushtetuese të qytetarëve të një zone të caktuar por duke ndihmuar në shkatërrimin identitar të një treve me kontribute madhore.

 

Qeverisë shqiptare nuk i kushton gjë të mbajë hapur sikur me një gjykatës e një prokuror një institucion drejtësie përndryshe do ti dërmojë banorët e varfër të zonës të cilëve do u duhet të udhëtojnë në Gjirokastës ose Tiranë për hallet e tyre civile e penale.

 

Ndërkohë që pres që edhe Ulsi Manja të më kërcënojë me gangsterë dibranë po shkoj te varri i Laver Bariut e t’i them të çohet e të marrë një kaba vajtimi me klarinetë…

 

Unë kam disa muaj që loboj modestisht për mosmbylljen e gjykatës në vendlindjen time, ndërkohë deputetët e zonës sonë elektorale, Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro po presin Edi Ramën të vijë nga Amerika dhe nesër të zgjedhin presidentin kukull të Republikës.

Marrë nga “Bashkësia Përmet”