Sadik Basho, mjeshtër i madh i artit kulinar
Zylyftar HOXHA
Nuk ka njeri nga Skrapari që të ketë udhëtuar në vitet e socializmit nga Tirana në Skrapar dhe anasjelltas të mos jetë kthyer dhe të mos hante drekë në Turizmin e Beratit, ku dhe ndalonte autobusi i linjës. Dhe nuk kishte njeri nga ata që ktheheshin aty të mos njihnin të famshmin Sadik Adil Basho nga Çepani, mjeshtrin e madh të kuzhinës, emri i të cilit ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë. Ishte privilegj të haje nga dora e Sadikut, ndaj për të gjithë ata që e kanë provuar dorën e tij, kjo është kthyer në një kujtim të bukur.
Shkoi në Berat në shkollën pedagogjike, për mësues, por si duket nuk ishte i prerë për atë punë. E la shkollën në vitin e parë dhe shkoi në shkollën e kuzhinës. Aty ra në sy për pasionin dhe punën e tij të kujdesshme, gjë që u shënua në dokumentet e tij dhe që i hapi rrugë për punë në Berat.
Gen artisti
Duke gërmuar në jetën e Sadikut, mësojmë se edhe i ati i tij,Adili,kishte një shpirt krijues prej artisti. Kuptohet, ai ishte krijues dhe artist aq sa e lejonin rrethanat kohore dhe historike. Duhet të shkosh mendërisht shumë mbrapa, në ato vite, që të kuptosh punën jashtëzakonisht të vështirë dhe delikate të xha Adilit.
Adil Xhemal Basho ishte njeri i punës dhe i muhabetit; i pari dhe i vetmi çepanlli (ndoshta në vazhdën e gjyshit e të babait) artizan që, qysh në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë punoi në dru lisi e mreti pjesët e mullirit (veç atyre që vinin nga Janina dhe ai i blinte), avëlmëndit, kadet dhe vedrat. Njeri i këngës dhe i punës së marrë shtruar Adili, ishte ndër ata që zgjidhej e ftohej për plak krushqesh e kryetar muhabeti nëpër gostira. I qetë dhe në tërësi me shëndet të plotë, ai lindi dhe rriti tetë fëmijë.
Ai u shpërngul nga fshati rreth vitit 1958 dhe u vendos në Berat. Edhe aty, siç tregon Qemal H.Bego, Adili ruajti pastërtinë e figurës së tij prej puntori të ndershëm. Kreu disa lloj punësh deri edhe murator,gjer në fund të jetës së tij për të rritur fëmijët së bashku me Meleken.
Por edhe vëllai i tij, Qemali, këngëtari virtuoz, valltari i këndshëm dhe tërë nur, punonjësi i postë-telegraf-telefon të komunës së Çepanit për më tepër se një çerek shekulli, do të mbahet mend nga gjithkush për fjalën e ëmbël, natyrën e qetë dhe si pjesëmarrës në festivale folklorike të fshatit, zonës dhe të rrethit Skrapar.
Sadiku, djali i vetëm i Adilit, është , ashtu si i ati, por në një tjetër drejtim,i pari çepanlli i shekullit të njëzetë i shkolluar për artin e guzhinës, i specializuar edhe në Gjermani.
Në Berat, si “peshku në ujë”
Berati dallohet nga të gjithë qytetet shqiptare për mënyrën e të ushqyerit dhe të artit kulinar. Nuk dua të ma thotë njeri tjetër, pasi e kam provuar vetë, kur kam qenë në konviktin e shkollës së mesme pedagogjike, që edhe pse konvikt, edhe pse presh e lakër çdo drekë, lëpinim gishtat nga ajo mënyrë të gatuari. Po kështu nuk dua të ma thotë njeri tjetër, se, edhe sot, sa herë shkoj në Berat, edhe i sapodalë nga një dasmë, apo drekë e bollshme, përsëri shkoj e ha një paçe në një nga mëngjesoret që më del përpara (Në Berat, si rezultat i traditës dhe konkurrencës gatuhet thuajse kudo njëlloj).
Për të mos hyrë thellë në histori, që në shënimet e Evliha Çelebisë gjatë vizitës së tij në Berat në vitin 1760 flet për menynë e pasur në mejhanet e këtij qyteti, me një gatim karakteristik oriental në lagjet myslimane, me gatimet ekstravagante të kristianëve të lagjeve Goricë, Kala dhe Mangalem, por edhe me prodhimet karakteristike të zonës, oshafet, nardenin dhe rehaninë e famshme.
Tregojnë se Ekaterina e Madhe e Rusisë pëlqente shumë një ëmbëlsirë që bëhej me rrënjë preshi, dhe këtë nuk ia gatuante dot tjetër njeri tjetër, veç një kuzhinieri beratas, të cilin ajo e mbajti për shumë vjet në oborrin e saj vetëm e vetëm për këtë specialitet të veçantë.
E zgjata pak në këtë pjesë, por ka qenë ky mjedis me kërkesa të larta kulinare dhe gastronomike që Sadiku ta merrte me seriozitet zanatin e ri të kuzhinierit. Sa doli nga shkolla filloi punë në një nga lokalet më të famshëm të qytetit, në hotel “Kolombo”. Domosdo në fillim si shegert; shegert, por jo hamall, pasi vërtet bënte punë të rëndomta, të cilat kuzhina i ka me shumicë, por sytë i mbante nga ustallarët e tij. Dalëngadalë “u vodhi” zanatin deri në atë masë, sa ata e linin vetëm dhe ishin të sigurt kur largoheshin për ndonjë hall apo ndonjë punë.
Pas prishjes së “Kolombos” në Berat ngriti shtat një objekt i ri, modern për kohën, Hotel Turizmi. Domosdo Sadiku qe ndër të parët që filloi punë aty. Duhet thënë se Turizmi i Beratit ishte një nga hotelet më të mirë në Shqipëri përsa i përket kuzhinës. Me dhjetëra personalitete të larta shtetërore të kohës kanë bujtur dhe kanë prurë miqtë për t’u nderuar në Berat, me mijëra të huaj kanë lenë mend pas mrekullive turistike të Beratit, ndër të cilat ishte edhe kuzhina e Turizmit, pas sportelit të së cilës në anonimat të plot punonte një mjeshtër i madh, i pafjalë, si Sadik Basho.(Edhe tani, që ky hotel-restorant është në bashkëpronësi të vëllezërve Rehovica, vijon tradita etë gatuarit vetëm me cilësi të lartë).
Selam Zotka, ish-drejtor i ndërmarrjes tregtare në atë kohë në Berat, thotë se Sadiku më shumë se me ushqim ta mbushte pjatën me dashuri e mirësjellje. I ndërgjegjshëm që kishte të bënte me njerëz me shije e gusto të ndryshme, me teka dhe huqe, u vinte vërdallë të gjithëve, me gojën mjaltë që kishte. Ai nuk ishte vetëm mjeshtër i kuzhinës, por edhe mjeshtër i fjalës dhe i sjelljes, mbyll fjalën Selami, dhe një lot i shpëton nga syri për mikun e ti të shtrenjtë që i iku aq shpejt.
Ndërsa gazetari i mirënjohur i” Zërit të Popullit” Bashkim Koçi tregon : “kur vija me punë të ndryshme në Berat, në Turizëm, e dija se më priste Sadiku me buzëqeshjen e tij të ëmbël. Pasi përshëndeteshim, ai më thosh: “ç’ke ti, do hash një gjë të mirë e të lirë” dhe pas pak në tavolinë kamarieri sillte paçen apo gjellën që shijonte aq shumë si askund tjetër. Ai ish mjeshtër në gatime orientale.”
Ishin vitet ’80, në Berat vjen dy herë kancelari Franc Jozef Shtraus. Pas vizitave të tij, Berati ka patur shumë turistë, sidomos gjermanë. Dikush nga ata, të cilit i pëlqen dora e Sadikut, bisedon me autoritetet vendase për një specializim jashtë të Sadikut. U gjet mirëkuptimi dhe Sadiku shkon në Gjermani për disa muaj.
Ishte viti 1990. Ajo që pa Sadiku andej ishte një mrekulli, por tashmë ishte disi vonë për të. E para, në Shqipëri në atë kohë kishin filluar ndryshimet dhe nuk i dihej fati Turizmit dhe, e dyta, për shkak të një operacioni, i cili nuk shkoi mirë, gjendja shëndetësore e tij u rëndua.
Në vitin 1994 Sadiku vjen bashkë me familjen vjen në Tiranë. Hap një lokal te sheshi “Avni Rustemi”, por ishin vite të vështira, të rrëmujshme, me dyndje të popullsisë nga të gjitha anët e Shqipërisë, që e bënin të pamundur identifikimin e vlerave. Nga “Avni Rustemi” vjen te “Ekspozita Shqipëria sot” dhe më pas në Rrugën e Kavajës, në të cilin punon edhe sot i biri, Altini, por shëndeti nuk e la të gjente veten në metropolin e rrëmujshëm shqiptar, iku në moshë relativisht të re, me merakun e tre fëmijëve që po linte pas, por më tepër të Altinit që e kishte marrë në punë pas vetes dhe të cilit po i linte një barrë të rëndë për supet e tij të njomë, lokalin…
Sadiku jetoi e punoi me moton “Jeto me djersë e me nder, lëru fëmijëve emër të mirë dhe mësoji ata të çajnë vetë në jetë”- kështu i kishte thënë një ditë bashkëmoshatarit të tij Ilmi Qazimit, te lokali pranë pallatit” Shallvare”.
Në gjurmë të të atit
Pas vdekjes së Sadikut, lokali qëndroi mbyllur aq sa u bënë ritet shqiptare të përcjelljes, pastaj Altini filloi punë, jo atje ku ishte mësuar të punonte gjithmonë, por në vend të Sadikut. Merret me mend përgjegjësia dhe vështirësia. E para gjë që bëri sa hyri brenda në lokal, në kolonën përball banakut, vendosi portretin e të atit, i cili është aty edhe sot e kësaj dite. Sa herë që Altini, sidomos në ditë e para, ishte në mëdyshje për ndonjë recepturë apo për ndonjë problem, hidhte sytë nga fotografia…Dhe ajo i jepte forcë, i jep kurajë…
Sot lokali i Altinit është një nga lokalet me emër në Tiranë, sidomos për gatimet orientale të mëngjesit. Vijnë aty të njohur dhe të panjohur, madje edhe shumë gra të lagjes hanë aty mëngjesin. Por Altinit i bëhet zemra mal kur i vijnë klientët e dikurshëm të Sadikut, sidomos ata të Turizmit të Beratit.
I qetë, i pabujë, me një buzëqeshje të sinqertë të shtrirë në të gjithë qenien e tij, por edhe me një humor brilant po komunikove nga afër me të, Altini kalon aty ditën mes katër punonjëseve të tij, midis tyre edhe bashkëshorten, Manjola.”Ky është lokal i vogël, mos i ke shumë katër vetë”, i themi. “Po kur të më vinë klientët, çfarë t’u them, prisni sa të vete të gjej një tjetër”, na e kthen ai me humorin e tij karakteristik. Me një temp ditor normal, ai pas punës i kushtohet familjes.
Ka dy vajza të mrekullueshme, që mësojnë dhe e gëzojnë me sjelljen e tyre, Saltianën që studion për gjuhë-letërsi dhe Sarën, në shkollën teknologjike. “Si duket Sarës do t’i lësh zanatin”, i themi. “S’e di, edhe mua s’ma dha zanatin babai, e mora vetë, e desha, u dashurova pas tij, kështu dhe Sara e di vetë ç’do të bëjë”!…