Në mrekullitë turistike të Gramshit

Në mrekullitë turistike të Gramshit

Deri para 5-6 vitesh Gramshi, megjithëse me shumë mrekulli turistike, për shkak të infrastrukturës rrugore, ishte pak i njohur nga turistët vendas dhe të huaj. Ata që e dinin se çfarë thesaresh natyrore fshihte kjo zonë, ishin turistët e aventurës që lakmojnë pikërisht vende “ku nuk shkon as dreqi”, megjithatë, edhe këta ishin të pakët.

 

Ndërtimi i liqenit ë Banjës dhe rrugës së re më të shkurtër, më të bukur me peizazhe të mrekullueshme në të dy anët e saj, në të djathtë liqeni dhe kaskada e tij panoramike dhe në të majtë kodrat dhe malet e veshur vërtet mahnitës, ka bërë që kjo zonë të frekunteohet më shpesh nga turistët e të gjitha kategorive, jo vetëm ata të aventurës, por edhe ata që kalojnë aty një fundjavë.

 

Pa arritur në qytet ju jepet mundësia të ndaloni buzë liqenit dhe të shijoni ato peizazhe të rralla që i japin ujërat e liqenit pasqyrimit të kodrave piktoreske, të mbuluara nga gjelbërimi, ndërsa pak më tej ju jepet mundësia të zgjidhni një vend me më shumë adrenalinë,  në fshatin Drizë, mund të ktheheni në drejtim të kanionit të Holtes. Atje mes maleve dhe kodrave gjen restorante dhe pishinë. Kanioni i Holtës të ofron një aventurë vërtetë të bukur. Brenda kanionit të freskët, gjen ujin e ngrohtë termal dhe banja me ujë të pastër.

 

Qyteti, i pamësuar me lëvizje të mëdha, vazhdon traditën e mëparshme të mikpritjes. Aty gjen ambiente të mrekullueshme ku mund të kalosh kohën. Mund të zgjedhësh baret dhe tavernat apo restorantet që frekuentohen në këto muaj nga emigrantë të zonës, të rinj e te reja dhe turistë të huaj që kanë preferuar të kalojnë një fundjavë apo disa ditë në Gramsh. Dhomat e hoteleve janë me çmime të arsyeshme. Mund të ngrihen kampingje me çadra buzë liqenit dhe nëpër kodrat përreth dhe të jeni të sigurt se do ja kaloni shumë mirë.

 

Gramshi ka edhe shumë destinacione të tjera turistike si Burimin e Kërpicës, Ujëvarën e Sotirës, Liqenin e Zi, Liqenin e Dushkut, kalanë e Tervolit, Grabovën, fshati i vjetër turistik me histori mijëra vjeçare etj.

 

Shkoni në Gramsh se nuk do të ngeleni të zhgënjyer!