In Memoriam/ Kur të mungon një mik i rrallë si Bektash Hasanaj…

In Memoriam/ Kur të mungon një mik i rrallë si Bektash Hasanaj…

Tomorr Shasho

Me Bektash Hasanajn kemi patur një lidhje të hershme miqësore, por më pas u bëmë edhe kolegë pune. Ka qenë pikërisht kjo periudhë kohe që unë atë e kam njohur më në detaje dhe më në thellësi.

 

Ruaj kujtimet më të mira për këtë njeri, si një mesues dhe metodist i zoti, por, për një kohë shumë të gjatë edhe si drejtues dhe organizator institucionesh arsimore si: udhëheqës pionierësh, drejtor në disa shkolla 8-vjeçare, drejues i Komisionit të Arsimit të rrethit, drejtues i Qendës e Ekonomike të Arsimit në Skrapar etj.

 

Në vitin e parë të punës  u emrua në detyrën e ushëheqësit të pionierëve, të cilën e kreu për një vit shkollor në shkollën e vetme 7 –vjeçare të Çorovodës, ku la gjurmë të një pune shumë profesionale, e cila shërbeu edhe si një përvojë për kolegët e tjerë që kryen këtë detyrë më pas.

 

Pas një viti ai shkoi në universitet, në fakultetin e Histori – Gjeografisë në Tiranë. Në vitin 1974 mbaron studimet universitare dhe emërohet drejtor i shkollës 8 vjeçare Kalanjas. Pas Kalanjasit në vitet  1974 – 1982 emërohet  drejtues shkolle në Malind, ku krahas kësaj detyre zgjidhet në Këshillin Popullor të Rrethit, të ciline drejtoi për disa vjet.

 

Viti 1982 ishte viti kur Bektashin do ta kisha drejtor shkolle po në Kalanjas, sepse shkolla e ciklit të ulët e Zogasit, ku unë isha mësues, varej nga shkolla 8 vjeçare Kalanjas. Në këto vite, 1982-1984, do ta njihja më afër si drejtues me horizont, ku spikaste serioziteti e korrektësia në zbatimin e detyrës, por edhe ndihma  e sinqertë e plot horizont, që jepte në përsosjen e metodave të mësimdhënies.

 

Shëmbullin e korektësisë dhe zotësisë si kudër drejtues, Bektash Hasanaj e dha edhe kur u ngarkua nga Seksioni i Arsimit për normalizimin e punëve në shkollën 8-vjeçare Zhepë.

 

Por aftësitë e tij si organizator, si një kuadër komunikues me vartësit, Bektashi i tregoi edhe në drejtimin e Qëndrës Ekonomike të Arsimit deri në largimin nga Çorovoda dhe vendosjen e tij në Durrës.

 

Edhe pse Bektashi u largua për në Itali, komunikimi me të nuk u ndërpre. Bisedat në Skype dhe takimet sa herë vinte në Tiranë, do të jenë të paharruara.

 

Bektashi u largua nga kjo jetë në Piza të Italisë nga pandemia  e Covid-19, por u varros në  Atdheun e tij , në Shqipëri.

 

Bektashi u lind në një familje patriotike në Zabërzan të Skrapari, u edukua me vyrtytet më të mira që i duhen njeriut, të cilat i tregoi në punë e shoqeri. Krijoi një familje të shëndoshë, meritë për të cilën ka edhe bashkëshortja e tij, Ervehe Idërshaj Hasanaj, të cilët rritën e edukuan dy djemë, Dritanin dhe Erionin, sa punëtorë aq edhe të edukuar.

 

Personalisht,  Bektashi më mungon shumë, ashtu si më mungon im vëlla, po kam bindjen se ai u mungon edhe shumë miqve, shokëve e kolegëve që e kanë njohur dhe që kanë punuar me të.