Skraparllinjtë e Myzeqesë: Aty ku ka vend për të gjithë!…(Pjesa I)
Shkrimi i mëposhtëm, në formën e një studimi dhe hulumtimi të gjatë, i autorit Demir Korita, bën fjalë për komunitetin e skraparllinjve në Myzeqe, kryesisht në Lushnje dhe Fier, periudhën historike dhe arsyet pse ata janë vendosur aty etj.
Në shkrim jepet harta e shpërndarjes, por edhe raportet dhe shkrirjen e tyre graduale me popullsinë autoktone, që karakterizohet nga një bashkëjetesë dhe harmoni mbresëlënëse.
Për të lehtësuar leximin, materialin e kemi ndarë në disa pjesë, që përbëjnë edhe periudhat me më shumë migrime dhe lëvizje, siç kanë qenë dy luftërat botërore, shmangaja nga kolektivizimi kooperativist, krijimi i sektorëve të rinj, si Nafta, ndërmarrjet bujqësore dhe nevoja për fuqi punëtore në këta sektorë etj.
Redaksia e “Orakujve të Tomrrit”
Demir Korita
Kodrat e Ardenicës dhe Manastirit duken si një vapor gjigant në mes të fushës së Myzeqesë, duke ndarë atë në dy pjesë. Jo më kot ndërtuesit e shekullit 14-të ngritën aty Manastirin, si një pikë strategjike pelegrinazhi, nga ku nuk ngopesh së pari peizazhin e bukur që të shpaloset nga të dyja krahët e fushës së pafundme të Myzeqesë.
Vizitori që në lashtësi e në të gjitha kohërat, mahnitet me konfiguracionin e bukur që i ka dhënë natyra kësaj treve. Relievi i butë, fushat e pasura e pjellore, që përshkohen mespërmes nga lumi Seman, blerimi i harlisur i bimësisë, klima e përshtatshme për prodhimet e shumta bujqësore dhe blegtorale, janë disa nga tiparet e saj më tërheqëse.
Dikur kjo krahinë është banuar nga fisi i Taulanteve, të cilët njihen për njerëz me karakter të fortë, punëtorë, të urtë e tolerantë. Duke qënë se në një pozicion të tillë gjeografik kjo trevë njihet për kulturën dhe zhvillimin e saj në lashtësi, siç është Apollonia (Pojani i sotëm), Porti i Pirgut (Seman), ai i Divjakës, me të cilin vendasit lidheshin me vendet perëndimore e përtej detit ku bënin tregti.
Myzeqeja me bujqësinë e saj i ngjan një sofre të madhe, ku ka hapur dyert dhe ka pritur me qindra e mijra familje nga vise të ndryshme të vendit, duke bashkëjetuar me ta në vite e shekuj, me dashuri e vëllazëri të plotë.
Duke qënë një trevë e begatë, aty nga gjysma e shekullit 17-të, fillojnë vërshimet e para të voskopojarëve e grabovarëve, drejt Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, dmth të Myzeqesë e kryesisht në zonat kodrinore të Fierit, Lushnjes e Vlorës. Një pjesë e tyre, aty nga viti 1879-1864, vendosen në qytetin e Fierit, që atëherë ishte në fazën e parë të zhvillimit, kryesisht të zejtarisë e tregtisë.
Në fillim të shekullit 19-të, shohim që banorët e Nahijes së Beratit, Shpiragut dhe pjesërisht nga qyteti, të vendosen në qytetin e Fierit, pjesërisht në Lushnje, të cilët prireshin nga artizanatet dhe tregtia, siç janë të njohura xhokaxhinjtë, samarxhinjtë, nallbanët, lulet, taset, koraqet, etj. Mbas vitit 1925, për shkak të genocidit sërb nga viset e Kosovës vijnë shumë familje kosovare, por dhe një pakicë boshnjake në zonën e Fierit, të Lushnjes, si në Rreth-Libofshë, Hamil, Pojan, Petovë, Vanaj, Gurzë të Lushnjes etj.
Më pas, në vitet 30-të, në Fier e Lushnje, shohim të vijnë dibranët, të njohur si ndërtues të mrekullueshëm. Disa nga ndërtimet e tyre janë edhe sot.
Po kështu nisën vërshimet e para të disa blegtorëve nga Skrapari të cilët u vendosën në Libofshë, Petovë, Roskovec, Kraps, Kosovë të Madhe të Lushnjes e Karbunarë, Mize, pa përjashtuar disa nëpunës e oficerë që ishin në administratën shtetërore të këtyre qyteteve. Po kështu edhe shumë familje nga Kurveleshi, Labëria e Mallakastra vendosen në Frakull, Levan, etj.
Ndërsa në muajt gusht-shtator të vitit 1944, mbrijnë refugjatët e parë çamë të shpërngulur me forcë, gjatë genocidit grek ndaj popullsisë çame, të cilët vendosen në qytetin e Fierit, në fshatrat, Ferras, Petovë, Kolonjë të Lushnjes Lushnje, Çermë, pa folur këtu për Vlorën, Tiranën, Sarandën, Durrësin, Elbasanin, Shkodrën,etj.
Kështu që popullsia vendase e Myzeqesë bëri gjithçka për t`i pritur e sistemuar në tokat e tyre, duke ndarë me ta deri edhe kafshatën e bukës.
Por ajo që bën të fokusohem në këto pak rreshta është tendeca migruese e skraparllinjve drejt tokave të Myzeqesë dhe integrimi i tyre me popullsinë vendase.
Skrapari është një nga njësitë gjeografiko-administrative më skajore të vendit. Ai kufizohet nga Korça, Kolonja, Berati e Përmeti dhe i përket një lartësie mesatare mbi 980 m mbi nivelin e detit. Klima është relativisht e ftohtë, kryesisht gjatë dimrit, i cili sjell edhe reshjet më të mëdha të dëborës. Vera është e nxehtë dhe me reshje të kursyera.
Ekonomia është më tepër e karakterit rural, e bazuar kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blektorisë. Para çlirimit ky sektor ishte tepër i prapambetur, aq sa fshatrat mezi mundnin të siguronin tre muj bukën e gojës në vit. Prodhimet blektorale siguroheshin nga kullotat e bollshme natyrore, por për tregëtimin e tyre skraparlinjtë shkonin deri në kasabatë e Korçës e të Beratit. Transporti i mallrave bëhej me kafshë pune dhe udhëtimi kryhej me rrugët këmbësore tradicionale.
Kushtet e një varfërie të tillë të skajshme dhe mundësia e kufizuar e shfrytëzimit të resurseve natyrore të kësaj treve, i bënë banorët e saj të kërkonin rrugë të reja jetese duke u larguar nga trojet e veta të vendlindjes. Në fillim ata bënin migrim sezonal duke zbritur fushave me bagëti vetëm në stinët e ftohta të vitit, pastaj dalngadalë filluan të blinin toka e të vendoseshin me banim të përhershëm në krahinën e Myzeqesë.
Lëvizjet gjatë dy luftërave botërore
Zhvendosjet e para të skraparllinjve drejt Myzeqes janë bërë pas vitit 1821. Kjo periudhë përkon me masat e shpronësimit të disa spahijve e bejlerëve të kësaj zone nga qeveria osmane. Rënia nga “vakti” e kësaj shtrese ndikoi që një pjesë e fshatarëve të dobësohej dhe rrënohej plotësisht. Ngulimet e tyre janë bërë në Roskovec, Velmish, Belinë, etj. Familje të tilla ruajnë mbiemrin Velmishi, Grëmi, Goduni dhe tashmë këto fise janë zgjeruar e përhapur edhe në zona të tjera të vendit.
Aty nga viti 1910, një numër i madh i të rinjve të Skraparit morën udhët e kurbetit drejt Amerikës, Turqisë dhe Italisë. Kjo periudhë ishte për të vazhduar lëvizjen emigruese të hershme të skrapallinjve të cilët vazhduan edhe në periudhat e mëvonshme të historisë.
Rreth vitit 1917, është përsëri një lëvizje e brendëshme migruese e popullësisë të Skraparit. Familje të njohura nga Vlusha (Sanxhakët), Koprënckat etj. Gjithashtu kemi edhe kuadro të emruar nga insitucionet e larta shtetërore të kohës. Ndër me kryesori ishte Maliq Vlusha (1884-1940), ose siç e therriste Ismail Qemali, Maliq Skrapari, që në atë periudhë kryente detyrën e drejtorit për bujqësinë e pyjet në Qeverinë e Vlorës. Ndërsa në Qeverinë e Austro-Hungarisë më 1917 u vendos në Libofshë në detyrën e drejtorit të pasurive të shtetit nga Shkumbini dhe gjithë Shqipërinë e Jugut, me qëndër në Libofshë, si dhe familje të tjera nga Koprencka, midis tyre ajo e Sadik Koprënckës,etj. Maliqi mori pjesë në Kongresin e Lushnjes më 21-31 janar 1920 si delegat i Skraparit.
Një figurë tjetër ishte edhe Ferid bej Vokopola (1887-1969) që pati një rol të rëndësishëm në Kongresin e Lushnjes (21-31 janar 1920), i cili mbajti fjalën e hapjes në Kongres dhe u zgjodh sekretar i Kongresit.
Po kështu nga Zaloshnja zbritën pjesëtarë të fisit të patrioteve Mahmut, Hysen e Servet Zaloshnja, të cilët zotruan disa dhjetëra hektarë tokë në fshatin Verbas. Në fshatin Kraps u vendosën familjet nga Staravecka, ajo e Xhelal Staraveckës, ndërsa familja Buba e Blezënckës u vendos në Ngurrëz të Lushnjes, ndërsa në fshatin Mizë, tre vëllezerit “Zaçe “nga Korita, Rizua, Qazimi, Sadushi, Dervishi, Isufi, Nekiu, vëllezërit Ahmet, Sadush, Seit dhe Arif Satka, Godunët nga Grëmshi,etj.
Mbas viteve `30 Hysen Zaloshnja, Servet Zaloshnja kryejnë detyrën si nënprefekt në Fier dhe Rroskovec si dhe Alush Grepcka (dëshmor), sekretar komune po në Rroskovec. Një shkollë në Rroskovec mban emrin e Alush Grepckës.
Në kryengritjen antizogiste të Fierit, gusht 1935, ishin angazhuar shumë ushtarakë skraparllinj, në krye të Organizatës së Fshehtë ishte Riza Cerova, ndërsa në Fier ishte toger Xhelal Staravecka dhe 7-8 skraparllinj të tjerë. Xhevahir Arapi (Spathara) në atë kohë xhandar, qëlloi për vdekje gjeneral Gjilardin.
Mbas vitit 1940 migrimi i skraparlinjve filloi të rritej ndjeshëm. Kështu në fshatin Petovë e Re (Krijuar rishtas pas viteve 1925 me vendosjen e disa familjeve nga Bosnja) u vendosën mbi 18 familje nga Skrapari, dy nga Vërzhezha, Hazis e Avni Hysi, nga Radëshi vëllezërit Asllan, Neshat e Njazi Sulçe. Nga Korita Ismet e Ferhat Korita, Sadik e Tajar Zaçe, nga Përrenjasi vëllezerit Isuf, Myslym e Ali Jaubelli, nga Vëseshta vëllezërit Hysen e Dalip Dika, të tjera si Hysen e Hamit Malo, Ismail Laska, Leshnja. Të tjerë u vendosën në fshatrat Drizë – Vajkan, Libofshë, Kolonjë të Lushnjës, Xhepaj, Portëz, Levan, Eskaj, Bitaj, Ngurrëz, Kosovë e Vogel, Mbrostar, Karbunarë të Lushnjes, etj.
Është fakt i pakundërshtueshëm se të gjithë skraparlinjtë e ardhur në Myzeqe, me fillimin e Lëvizjes Antifashiste Nac. Çl. u rreshtuan në radhët e saj, përkrah vëllezërve të tyre myzeqarë. Në celulën e parë komuniste të Libofshës, krijuar në nëntor 1942 në Libofshë bënin pjesë edhe skraparllinjë: Sadik Koprencka, Hysen Sanxhaku, Refail Hoxha (dëshmor) dhe Sefer Shahini, krahas shokëve të tjerë vendas si: Jovan Sema, Mihal Jano, Llaqi Jano, Nikoll Kulja e Joti Dhamo, të cilët u bënë pjese e çetës partizane të Kolonjës, ku më 23 janar 1943 sulmuan e asgjësuan garnizonin fashist në Libofshë
Ndërsa çeta partizane “Ismail Qemali”, e cila u formua më 16 mars 1943 në Kraps të Fierit kishte si komandant e komisar dy skrapalinj: Beqir Zaloshnja dhe Xhelal Staravecka.
Gjithashtu disa nga figurat kryesore të LANÇl, të qarkut Berat –Skrapar, Kahreman Ylli, Sekretar Politik, Mestan Ujaniku (Komandant i Qarkut Berat-Skrapar), Zylyftar Veleshnja (Hero i Popullit), Neshat Hysi, Skënder Malindi, marrin pjesë në organizimin e njësiteve dhe çetave partizane në këto rajone, si çetat e Jagodinës, Kurjanit, Krapsit,etj. Në fillim të marsit të vitit 1943 Zylyftar Veleshnja (Hero i Popullit), Xhevahir Arapi Spathara me një pjesë të Çetës “Plakë” të Skraparit vijnë në Myzeqe e luftojnë krahas partizanëve myzeqarë, kundër pushtuesit fashist dhe kriminelitfamëkeq, Isa Toska. Në njërin nga këto luftime bije dëshmor edhe zv/komandanti i çetës, Tefik Lapani (Dëshmor i Atdheut).Emrin e tij e mori bataljoni partizan i krahinës.
Më 14 shtator të vitit 1943 në qendër të Fierit, oficeri i xhandarmërise A.Sevrani plagosi rëndë kreminelin me të rrezikshëm të trevës së Myzeqesë e Mallakastrës, Isa Toskën.
Në çetën partizane të Myzeqesë u radhitën Avdulla Hysi dhe tre pjesëtarë të familjes Buba, Nasipi, Aliu e Xhaferri. Nasipi është plagosur dy herë gjatë përpjekjeve me armikun.Më pas ai është angazhuar me Komandën e Vendit, ku u zgjodh edhe kryetar i KANÇ-it për fshatin Bitaj.
Më pas ishte Skrapari ai që do të priste luftëtarët e Myzeqesë të Lushnjes e Fierit në territoret e veta, të cilët mbushën radhët e Brigadës 7 S,dhe 16 të sulmuse dhe së bashku me skraparllinjtë e shumtë, luftuan krah për krah në llogoret e frontit për çlirimin e vëndit nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpuntorët e tyre.
Në luftimet për çlirimin e Fierit, të zhvilluara në mesin e tetorit 1944 në malin “Bajrak” të Vajkanit bie heroikisht zv.komandati i Batalionit të Dytë të Brigadës 16 S, Sadush Myftari nga Vërzhezha dhe plagoset rëndë sekretari i Rinisë i Batalionit të Dytë, Ilmi Zaçe nga Korita.
Në teritorin e Myzeqesë dhanë jetën 16 bijë të Skraparit, sot dëshmorë të atdheut. Midis të cilëve: Tefik Bregasi nga Lapani, Veri Dosti, Uran Dosti, Përparim Dosti, Abedin Zylyftari, Faton Dyrmishi, Haredin Furtuna nga Zaloshnja, Sadush Myftari nga Vërzhezha, Hasan Musabelliu nga Ujaniku, Hajri Seitaj nga Shpatanji, Nesim Musabelliu nga Ujaniku, Qani Halilaj, Tosun Sulejmanasi dhe Riza Halilaj nga Staravecka, Shefqet Hasa nga Kapinova.
Po kështu bijtë e Myzeqesë të inkuadruar në Grupin e Parë partizan të Myzeqesë luftuan heroikisht ne malet e Skraparit kunder forcave nazifashiste në Operacionin e Dimrit ku dhanë jetën 18 bij të saj, sot dëshmorë të atdheut, memorial që iu eshtë ngritur në fshatin Leshnje. Ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtar ajo që forcoi e lidhi ngushtë dashurinë e vllazërimin midis krahinave dhe ngushtoi dallimet midis besimeve fetare e racave.
Vazhdon nesër…