“Korça pa makiazh”, libri më i ri i autorit Vepror Hasani
Ka dalë këto kohët e fundit libri i publicistit dhe studiuesit Vepror Hasani, “Korça pa makiazh”, një botim voluminoz dhe me shumë vlerë për të shkuarën historike të këtij qyteti, por edhe për rëndësinë e tij turistike. Ky libër vjen për lexuesin shqiptar nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, që, për hir të vërtetës, ka ditur të zgjedhë në këtë rast.
Në këtë vepër përshkruhet historia e qytetit të Korçës, jo si një legjendë a gojëdhënë, por me datë të saktë themelimi dhe me vërtetësi në çdo ngjarje e në çdo detaj.
Ajo është produkt i bashkëpunimit me disa autorë elitarë të angazhuar në shkrimin e historisë së Korçës. Gjithashtu, autori ka hulumtuar nëpër arkiva dhe ka shfletuar faqe të tëra revistash e gazetash të kohës.
Përmes një udhëtimi historik imagjinar, libri na tregon gjithçka mbi qytetin që si zanafillë ka një objekt kulti, por që dita-ditës u zhvillua, duke qenë se ndodhej në një kryqëzim rrugësh. Rrëfimi nis me domethënien dhe kuptimin e emrit “Korçë”, pastaj shtjellon hap pas hapi progresin e qytetit në urbanistikë, në arkitekturë, në ekonomi, në kulturë etj.
Përveçse si mozaik arkitektonik, Korça na prezantohet njëherazi edhe si amfiteatër ngjarjesh, lëvizjesh epokale për lëvrimin e gjuhës shqipe, për shkollën shqipe, posaçërisht heroizmi për mbrojtjen e trevës korçare, e lakmuar nga pushtuesit.
Përmes këtij rrëfimi, lexuesi zgjeron bagazhin e tij historik e kulturor, me zhvillimet e vrullshme të Korçës në fushën e kulturës, artit, letërsisë, muzikës etj. Libri është i shoqëruar edhe me foto ndër vite të Korçës me rrethina, në përputhje me ngjarjet e përmendura në çdo nënkapitull, duke e bërë edhe më konkret përshkrimin për lexuesin.
Ky libër do t′u shërbejë më së miri studiuesve dhe turistëve, duke qenë pjesë e bibliotekave, librarive dhe e zyrave të informacionit për guidat turistike.
Me interes është libri edhe për studiuesit dhe lexuesit skraparllinj, pasi, siç dihet në shumë aspekte historia e Skraparit është e lidhur me atë të Korçës.
Urime autorit! Urime botuesve dhe sponsorizuesve!