Luan Nikollari/ Dyer të mbyllura ndaj një “zbulimi tim shkencor”!…

Luan Nikollari/ Dyer të mbyllura ndaj një “zbulimi tim shkencor”!…

Ishte qershor 2005 dhe ndodhesha në Romë për një kualifikim të shkurtër në kuadrin e bashkëpunimit në fushën e mjekësisë ushtarake me ushtrine italiane. Qëndresa jonë e përditshme ishte nje vatër e ngrohtë shqiptare në Via “Principe Amedeo” 53, ku dy përmetarë, vëllezërit Alban dhe Lorenc nga krahina ime e Dëshnicës, kishin hapur nje Restorant-Piceri me emërtimin “Aquila Nera” (Shqiponja e Zeze), mjaft i frekuentuar nga italianë e turistë të huaj.

 

Shpesh me ta diskutonim për lashtësinë e kombit, vlerat dhe gjuhën shqipe (kuptohet, kur je jashtë si emigrant, ndjenjat nacionale janë të larta dhe për inat të atyre që ke rrotull). Ata kishin shumë materiale e midis tyre me treguan që ka dhe një libër ku gjuha shqipe renditet e para në gjuhët e botës . Ata e tregonin me “mburrje” me ata që diskutonin.

 

Une u interesova menjëherë dhe në një librari në Romë tek Piazza Republica e gjeta.

Libri titullohet “Geni, Popoli e Ligue” (Genet, Popujt dhe Gjuhet), botuar me 1996 dhe ribotuar në 2003, me autor profesorin italian Luigi Luca Cavalli-Sforza, lindur në Genova me 1922 dhe që kishte studiuar në Universitetin e Cambridge (Kembrixh), Parma dhe Pavia. Kur botoi këtë libër ishte  profesor në Universitetin e Stanfordit në Californi të SHBA. Autori  spikat dhe me shumë botime në fushën e gjenetikës humane të popujve të Evropës.

 

Tek ky botim, midis te tjerave, në faqen 244, është një pemë përmbledhëse e gjuheve indoevropiane, ku gjuha shqipe renditet mbi të gjitha gjuhet sëbashku me armenishten dhe greqishten. Autori merr si shembull se në numrin e madh të gjuhëve me origjinë të izoluar dhe të ndarë  evidentohen gjuha shqipe dhe greqishte.

Sa u ktheva në Shqipëri, i entuziazmuar me “zbulimin” tim, nëpërmjet një mikeshe në Bibliotekën Kombëtare arrita të shkoj tek titullari, i cili me pa me vërejte (veshur dhe ushtarak, se ishim afër Ministria e Mbrojtjes, ku isha  me bibliotekën kombëtare) dhe me padurim i tregova se ç’kisha gjetur.

 

E mori librin, pa pikërisht skemën kulmore që fola më siper dhe unë insistoja, me qetësi më tha: “Interesante”! Dhe ma la librin në dorë. Ika, natyrisht, i shfyrë, se do bëhej diçka, se do pasuroja biblioteken kombetare. Por nuk qe e thënë të isha kontribues!…

 

Përsëri doja që kjo gjë të evidentohej diku, dhe një ditë tjetër në Spitalin Ushtarak ku unë isha transferuar tashmë, takova të ndjerin, akademikun Gudar Beqiraj në korridor të spitalit. Iu luta të më priste pak. Shkova mora librin në zyrë dhe ia tregova.

 

Me tha me shumë dashamirësi që është vërtet shumë ineresant ky botim, por ti hajde në Akademinë e Shkencave dhe flasim.

Koha kaloi, për fat, pas disa vitesh e pashë të përkthyer në shqip me rastin e 100-vjetorit të Pavarsisë. E bleva menjëherë librin, krahas variantit italisht që kisha. Mua mu duk si një përkthim me urgjencë dhe jo bindës (sa njoh unë gjuhën dhe mbase e kam gabim), gati si nga “Google translate?!..

 

Natyrisht për gjuhën shqipe dhe vendin që ajo zë në gjuhët e ralla ka studime e botime nga shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj, por do sugjeroja (vetë nuk jam i këtij zanati) për njohësit e gjuhes shqipe,  ekspertet dhe akademikët e sotëm se sa i vlefshëm është ky studim i këtij autori dhe a është një gur i vogël për gjuhën shqipe!…