Sefedin Çela: Polena, e munguar në hartë, por jo në zemër!…  

Sefedin Çela: Polena, e munguar në hartë, por jo në zemër!…  

Sefedin Çela

Nuk jam tip i vështirë, duket jam nga ata tipa që edhe mund t’i duash. Ka ndodhur t’i krijoj telashe vetes, apo telashet të vijnë e të më gjejnë mua, po kurrë nuk kam dashur t’u krijoj telashe të tjerëve. Këto vite që kam nën lëkurë më kanë mësuar se qoftë me gjakun tënd, mikun tënd, fqinjin a këdo që ke në krah, edhe nëse gabon, nëse nuk e ndihmon dot, mos e gjyko si armikun që do të mundësh…

 

Nuk kam më kohë për herë të dytë!

 

Emër fushe, pa qenë fushë!

 

Gati i kam rënë botës rrotull; më ka mbetur pa parë vendi i kangurëve, Australia e Amerika e Jugut; mbi Afrikë vetëm kam fluturuar përsipër, kam qenë në Egjipt e kam pare piramidat, po asnjë gjirafë a tigër, Serengen a shkretëtirë.

 

Nuk kam dëshirë të zbuloj më shumë nga bota e madhe, më djeg malli të rishoh, të rigjej e të rijetoj fëmijërinë e rininë time, fshatin tim, Polenën, e të broçkullis me shokun e fëmijërisë, Beharin.

 

Si mundet një pëllëmbë vend, Polena, e një tekayt pensionist, që mbahet me një bastunpatericë për të qëndruar në këmbë, të të përvëlojnë shpirtin kështu?

 

 

Polena është si një dorë e argasur gjysmë e mbledhur, e ashpër e nevojtare, e hedhur si me ngut përballë Galinave të Qafës, e munguar në çdo hartë. E di, sa shtohej një dorë a një krah, thahej një tjetër, sa shtohej një shtëpi shuhej një tjetër; ara sa një tepsi, bokërrima që i ter dhe hëna, bajame, arrë, dardhë, qershi, mollë, fiq, rrush që të ngjitet si zamkë nëpër gishta, e raki, raki që dallgëzohet në enë e që në gotë vë një gjerdan me rruaza bukurosheje!… Pi një gotë e të duket sikur je sipër një reje, e ke të sapoardhurin në krah e të duket si një sy dielli, sikur ke një jetë që e njeh e që e sheh.

 

E shoh Polenën në ëndërr edhe kur jam zgjuar e nuk mund ta ndërroj me asnjë vend tjetër.

 

Nuk dihet pse ka emër fushe kur, po të rrokullisesh nga ara sipër, ledh më ledh bie te ara tjetër, te ara e fqinjit, nga një kopsht bie te kopshti tjetër; nëse nuk mbetesh varur gardheve, aty ku varen kungujt, përfundon në fund të fshatit.

 

Kodërza e veshur me lisa, si një ballkon ndanë fshatit, nuk dihet pse quhet Kishëz, ashtu si nuk dihet pse në Rrusaje një grumbulli gurësh të mbuluar nga myshku i thonë Varri i Kaurit. Si në jerm them se po të isha një kambanë, do të desha te kumboja këtu, në këtë ballkon, në Kishëz e të shpërndaja tinguj si dhimbje, si gëzim, si shpresë.

 

 

Një mjek që s’bën dot zap zemrën tij…

 

Ishte kthyer këto ditë nga Miçigani një doktor që e kam njohur dhe unë, Asqeri Guri. Dikur, mjek i ri, i martuar e sistemuar në Tiranë, iu kërkua të shërbente në Çorovodë, ku ishte hapur një spital i ri dhe ai nuk hezitoi, u kthye me gjithë familje në vendlindje. Nuk ish i vetmi, u kthyen inxhinierë, ekonomistë, traktoristë. Na rikthehet ky miçigansi pas gati një gjysmë shekulli në Çorovodë e na mallëngjehet e na i gëzohet Çorovodës e na e zë të qarët… Spitali i ri dritë kishte patur 80 shtretër e 22 mjekë të të gjithë specialiteteve, shkruan ai. Banonin në një pallat 12 familje të reja. Ishin si një shtëpi e madhe me 12 djem e 12 nuse. Mjekët kishin diploma e kravata, po kishin të njëjtat zemra si pacientët e sanitaret. Edhe kur më vonë u bë drejtor vazhdoi të bëjë natën shërbimin e mjekut të rojës e vizitat në ambulancë, si dhe të tjerët para tij. Dhe i kujton një për një me emër mjekë, infermierë e sanitarë.

 

 

Tani spitali është bërë si një hangar i braktisur. I kthyer në Miçigan, ku i mungon vetëm vendlindja, doktori shkruan: nuk i mbaj dot lotët. Njeriu qenka i gjithë lot, nuk kanë të mbaruar!

 

 

Unë i besoj lotët e këtij burri. Janë lot malli, nuk i fsheh dot. Distancë, plus kohë larg, plus mall, baras lot; Anshtajni, nëse ndërronte fushë interesi, nuk di si do ta formulonte mallin. Asqeri Guri zemrën nuk e kishte prej guri e nuk mund t’i thuash ç’mjek na qenke kur nuk bën zap zemrën tënde!

 

Behari, behar!

 

Kanë ndërruar kohët e kanë ndërruar njerëzit, për mirë e për keq. Në Polenë dimri ishte i ashpër, binte dëborë e bagëtia mbahej brenda. Ne, fëmijët na çanin rrugën për në shkollë një orë larg, deri në Qafë, një nga prindërit, me radhë. Ne viheshim njëri pas tjetrit, unë shkelja në gjurmët e Beharit e më duhej t’i bëja hapat më të mëdhenj se ai ishte dy a tre vjet më i madh. Nënat tona huanin kripë te njëra-tjetra e u hahej fjala.

 

 

Ai mbante rrasur deri te veshët një kokore leshi ngjyer me lëvore arre, punuar me shtiza nga e ëma, që i kishte shkruar thurur me gjalmë ngjyrë gurkali “Behar”. Unë e kisha shok e nuk ndihesha po kalamajtë e tjerë i hante meraku si ia bënte ai gjithë dimrin me atë emër e me atë kokore, që s’di pse i thoshte çajkë. Po kur vjen, ore behar, prit gomar të mbijë bar, i qeshnin ata në rrëzë të veshit…

 

 

Ai nuk e çante kokën e nuk i zemërohej askujt, ashtu i avashëm në të folur e i shkathët për të zgjatur dorën e ndihmës për këdo që i dukej se duhej ndihmuar. Ai e kishte beharin brenda vetes.

 

Duke dihatur e nxjerrë avull nga goja, unë ndiqja një për një hapat e tij e përrallisja sikur luftonim me shpata të bëra nga qirinj akulli, këputur nga strehët e shtëpive. Në vend të kuajve shalonim një qiri tjetër akulli më të madh, me grepça si jele, ku mbaheshim. Kali i mirë ishte gjysma e ëndrrës, gjysma tjetër ishte kalorësi me parzmore ari, që, edhe pse e ndryshoja sa herë që e tregoja ëndrrën, ndodhte të isha unë.

 

 

Herë-herë këto armë akulli i quanim mitraloza, i kapnim me të dy duart, duke përdorur çorape leshi si doreza e breshëritë i lëshonim me zërat tanë, se kjo ish lojë e jo luftë e ne nuk lëndonim kurrë asnjë, se nuk i kalonim caqet. Po kalove caqet del në anën tjetër e mos bëj të paditurin nëse gjërat shkojnë rrokopujë…

 

 

Vërtet bastunpatericë, por i fortë e njerëzor!

 

Aty rreth një vit më parë vjen Behari në Tiranë. U takuam pas Pallatit të Kulturës. Prej tij dëgjova fjalën bastunpatericë . Lëvizte me vështirësi. Qoftë me kaq,i thashë unë, po jam me fat që u pamë dhe njëherë, se në këtë moshë(!). Nuk jam hajmali që sjell fat – tha ai – nëmos ndjellsha rrufetë me gjithë këto hekura që kam në trup!

 

 

Nuk ishte aq i zoti sa të vinte te unë e nuk ishte aq i zoti sa të ngjiste gjashtë kate shkallë dhe se as unë nuk kisha qenë aq i zoti sa të merrja një shtëpi me ashensor. Unë i kujtova se një ish-fqinji im, me fëmijë të çalltisur që ditën të bëjnë tutje e ditën të bëjnë para, kish ndërruar dy herë shtëpi e, së fundi, për vete shkon e ble një goxha varr, gdhend një goxha pllakë mermeri me emrin e vet e pret i qetë ditën e mbrame. Ja ç’bën njeriu kur ka para, thashë, po unë nuk dua varr e gur varri sa të jem gjallë! As unë,t ha Behari. Nxori një shishkë nga xhepi i brendshëm e ma zgjati. Ishte zjarr e flakë, të nxirrte mallë e të shuante xhanë. E kaluam dorë më dorë. Kjo kohë e pistë që po jetojmë nuk ishte më e pista e mundshme, po as ai as unë nuk kishim arsye të ishim të kënaqur prej saj. E lënë të keqen të kalojë si një re në qiell, e lënë të trashet e të nxihet e pastaj thonë “nga na erdhi ky rrebesh, ç’është kjo e keqe që na zuri”? Dava mushkash që hedhin shqelma, bëjnë hásha baba gomarin e tunden e mburren me dajë kalin.

 

 

E thamë atë shishkën. Ishte sa për mostër, tha Behari. Futi dorën në çantë e nxori një gjysmë qilloshe për mua. Për këtë kam ardhur, tha, të të tregoj çfarë kam bërë e çfarë po bëj. Le të merren kokat e mëdha me ide të mëdha e punë të mëdha. Unë kam ide të vogla, nga ato që më mbajnë kokën mbi shpatulla, që u mbushin barkun fëmijëve e më mbushin shtëpinë me dritë. Dhe më mbajnë më këmbë.

 

 

Ja ku ishim si dikur, tani dy pleq, si të pa ndarë kurrë. Nuk ishim nga ata miq që i lidh gota, dëshpërimi e të vjellët. Nuk kemi dashur që gratë t’i bëjmë si veten, të bindura, të mërzitshme e t’u kërkojmë në fund të jenë ato që kanë qënë, kur nuk janë më, apo t’u kërkojmë të sillen si burra a pastaj të ankohemi pse s’i duam më. As unë as ai nuk i kemi thënë vetes “mblidhu kruspull në shtëpi e brej shpirtin tënd si bren thonjtë me dhëmbë”!

 

 

Për vite të tëra kish punuar drejtor shkolle në Osojë, deri sa doli në pension. Kish zbritur e ndërtuar një shtëpi në fund të Çerenishtit. Kishte ngritur në këmbë një vresht, si duket një dashuri që vjen me moshën. More kredi?, i thashë unë. Jo, tha, as nuk desha e as me jepnin po të doja. Thonë se bankat të japin çadër në ditë me diell e ta marrin kur bie shi. Ato janë për atë që ka jo për atë që s’ka.

 

 

Kam zbuluar se në çdo moshë njeriu mund të gëzojë, tha Behari, punoj e prodhoj rrush e bëj raki po nuk pi mendjen, gëzoj shpirtin. Shiko, i kam thonjtë të mbushur gjithë dhe e pleh,ushqej ato të uruara rrënjë për rrënjë. Hardhia të do pa hile, po i dhe ajo të jep, s’ka vickëla! Lëre viçin të pijë gjithë qumështin në gjirin e së ëmës, ti shkon ta përkëdhelësh ai vrik, ia shkel vrapit, sikur s’të ka parë kurrë. Edhe fëmija, që i ke bërë kokën, ta kthen për hiçmosgjë! Hardhia nuk ta thyen zemrën kurrë! E krasit, i merr lastarët e i mban në duar, rrallon ndonjë gjethe, e kthen bistakun e rrushit si të duash, ai të qesh në duar, për këtë diell po!

 

 

Nuk di t’i vë emër kësaj që bëj e kësaj që ndjej, më thotë Behari. Bën hesap sa kazanë bërsi duhen për një damixhanë nga kjo bukuroshja, sa duhet lënë rrushi të fermentohet në kade, sa raki duhet të marrësh nga çdo kazan, i di përmendësh të gjitha, po këto janë llogari, ndaç teknologji, ndaç thuaji shkencë, po mund t’i matësh në peshë, në kohë, me gradë. Rakia është tjetër gjë, mos vër kurrë bast për këtë bukuroshe, mos bëj trimin, je i humbur! Kaq nuk mjafton. Pa dashuri nuk bën dot vreshta, nuk bën dot raki!

 

I dhashë hak, arritjet në shkencë i mat, dashurinë as e llogarit, as e mat dot!

 

 

I verbri i : Bota ime, më e keqe se ajo që ju shani!

 

Përballë Kishës së re Ortodokse, në krah të një karabinaje si një kruajtëse e stërmadhe dhëmbësh, që ka vite në ndërtim, dimër verë gjen një të verbër që luan në fizarmonikë. E sjellin familjarë dhe ai me orë të tëra luan fizarmonikë për ne me sy në ballë që kalojmë aty me këmbët tona. Me një mendim në kokë ndala e hodha jo për qokë një monedhë mbi një kuti kartoni para këmbëve të tij. Në shpirtrat e kujtdo që sheh ka nga pak errësirë, po ç’e shtyn këtë njeri, kam pyetur shpesh veten, të dalë nga errësira e vet e t’u japë nga një shuplakë qarjeve tona të vockëla? Ai nuk lyp. Ai shpesh nuk merr asgjë, po përherë jep. Nuk ka rëndësi çfarë i thashë unë, po çfarë më tha ai:

 

”Që kur kam lindur nuk kam parë asgjë nga kjo botë. As zogj, as pushkë, as gra. As i kam prekur me dorë. Bota ime është më e keqe se ajo që ju shani! Unë rroj me shpresë e nuk dua ta humbas, se shpresa është gjë e mirë e nuk të lë të vdesësh. Nuk më pengojnë sytë për të shpresuar”!

 

 

Shqiponjat janë shpirt i paepur

 

 

Atë vit që punova në gazetën lokale në Skrapar kishim një daktilografiste që quhej Shqiponjë, them se shqiponjë ishte nga shpirti i paepur, jo vetëm nga emri e nga shtati. Kish humbur burrin, inxhinier pyjesh, në një aksident tragjik gjahu dhe duhej t’u vinte rrotull dy djemve, më trazovaçët që mund të mendohet. Futur në një fustan të zi, zbriste me vrap shkallët e na dukej se çdo lloj ere të frynte një ditë mund ta hidhte nga ura në lumë, pa mundur të mbërrinte në zyrë.

 

 

Ndoshta pse vraponte e vraponte e nuk qahej e nuk dorëzohej kurrë, më dukej se emri i rrinte pakëz ngushtë, ndaj unë e thërrisja Shqipëri. Kështu filloi ta thërriste dhe Dulja, kolegu agronom e i paharruar. Kështu i thoshim, Shqipëri. Dhe ashtu ishte, kish pak nga të gjitha, si Shqipëria dje e Shqipëria sot, edhe diell, edhe shi, hidhërim e gëzim e mirësi. Nuk ishte një Shqipëri e keqe, po nuk ishe i sigurt si do ta kishte të nesërmen. Një ditë Dulja i tha: “… je grua e zonja, gjej një njeri që të shohë te ty atë njeri që shohim ne shokët e tu te ti”! Të shihte beharin në shpirtin e saj.

 

 

Një zonjë grua, e dashur sa më s’ka, më tregonte se një ditë kish parë djalin, atëkohë i vogël, të dilte nga dhoma i ngashëryer. “Çfarë ke, bir”? e kish pyetur ajo. “Hiç, më bëhet vet fytyra kështu, po shihja një film nga ata që qan ti, me familje. O ma, eja ta shohësh e qajmë bashkë”! Duhet të kesh një zemër të guximshme të rritësh fëmijët, familja është dashuri e dhimbje, fatkeq është ai që nuk i provon në jetë.

 

 

Kjo zonjë grua, një ditë me diell, ulur në një lokal nga parku i liqenit, sheh ca zogj të vegjël si gishta dore, që merrnin nga tavolina fqinjë zarfa sheqeri e uleshin diku më tej, në bar, i shtrinin zarfat si çarçafë të vegjël e i çukisnin me hare çuk-çuk. Përditë kështu. Zonja e bukur, që dinte çdo të thotë të jesh mama, ish në merak mos të vegjlit e tyre bëheshin diabetikë!

 

 

Të hash për dyzetë vjet darkën bashkë, nuk ka asnjë magji, po nëse pas kaq e kaq mëngjesesh, drekash e darkash, gruaja vjen e të thotë se ia do zemra ta thotë: “E di si e ndjeja se më doje? Se të dielave më lije të flija sa të më zgjonte dielli e ti çoheshe e bëje tërë punët që bëjnë graria”, mos më thoni se kjo nuk është magji e familjes.

 

 

Njerëz që mbajnë njerëz gjallë

 

Beniamin Franklin na paska thënë se demokraci do te thotë që dy ujq e një qengj të votojnë çfarë do të hanë për drekë. Vetëm një komuniteti xhungle do t’i shkonte ne mend, paska thënë ai, se ujqërit në mënyre demokratike do të hanin për drekë qengjin. Në fakt, edhe njerëzit e dobët, zhvatës e të pashpirt bëjnë zullum të madh. Po që të na zaptojë e keqja njerëzit e mirë duhet të lidhin duart e të mos bëjnë asgjë. Në këto 70 vjet jetë unë e kam parë të keqen që me tërsëllëmë stë bëjë keq, po njerëzit e mirë, që përherë janë shumë, kanë ngritur në këmbë vreshta e kanë ndërtuar jetë. Edhe zogjtë, po t’u kish zaptuar e keqja trurin, do të ecnin mbrapsht e nuk do të çukisnin dot as zarfat e sheqerit.

 

 

Njerëzit mbajnë njerëz gjallë. Të duash nuk do të thotë sa ndere ke bërë e sa nder të kanë bërë. Të ndjesh se të duan është e mrekullueshme, po këtë mrekulli nuk e prek kurrë nëse ke humbur aftësinë te duash. Jeta është një rrugë e gjatë që duhet bërë, edhe pse e di se do te lodhesh e nuk je i sigurt nëse do të mbërrish. Duhet të kesh behar në zemër. Të shpërndash, si mesazh dashurie, te të dashur e miq nga ai eliksiri që bën në gotë gjerdanë fluckash, për t’u ngrohur zemrat.

 

 

Behar nuk është një emër kapistër, për mua ka qenë e mbetet zgjedhje e vetme për të ndërtuar një jetë, për të patur besim e për t’u bërë 70 vjeç!